Receta e Ahmetit për ujin!

0
722

Derisa prishtinasit vazhdojnë të ballafaqohen me mungesë të ujit të pijshëm, të martën zyrtarë nga Lëvizja VV thanë se Prishtina ka ujë, por se problemi kryesor mbetet mosfaturimi.

“Mbi 70 për qind e qytetarëve ballafaqohen me reduktime të përhershme. Problemi kryesor i Prishtinës mbetet uji i pafaturuar, gjegjësisht humbjet në rrjet që shkojnë në 53 për qind. Do të thotë më shumë se gjysma e ujit humbet në rrjet, në rrjedhje të gypave, në kyçje ilegale dhe humbje të tjera ashtu që rreth 800 litra humbin në sekondë.

Prodhimi ditor i ujësjellësit regjional “Prishtina”, arrin rreth 1411 litra në sekondë (122 milionë litra në ditë), ose afro 45 milionë metër kub në vit”, tha Shpend Ahmeti, kandidati i VV-së për kryetar të Prishtinës. Sipas tij, Prishtina ka ujë, por nevojitet një plan i detajuar i identifikimit të humbjeve dhe sanimit të tyre, një plan i detajuar i vlerësimit të borxheve, një plan i politikave sociale dhe politikave të çmimit dhe fushata sensibilizuese e motivuese për kursim të ujit.

“Në bashkëpunim me Ujësjellësin, do të bëjmë një vlerësim të saktë të rrjedhjeve në rrjet, edhe pse kjo është bërë disa herë përmes një projekti të përbashkët, komuna dhe partnerët e tjerë do të bëjnë vlerësimin e humbjeve në secilën lagje të qytetit. Pasi rrjeti ujor ka njehsorë zonalë, me teknologjinë e re është shumë lehtë të vlerësohet sasia që i shkon çdo lagjeje dhe të krahasohet me sasinë e faturuar. Po ashtu do të vlerësohet edhe mundësia e përdorimit të teknologjisë informative për kontroll qendror të informatave për ujin”, tha Ahmeti.

Sipas tij, nëse VV merr udhëheqjen e Prishtinës, brenda 12 muajve do të bëjnë një plan aksional për investimet e nevojshme në secilën lagje për parandalimin e humbjeve të ujit në gjithë rrjetin. Po ashtu do të krijojnë një drejtori të re të ujit.

“Ky problem është prioritet dhe kërkon angazhim maksimal të autoriteteve komunale. Njëra prej drejtorive funksionale do të merret me problemin e ujit për qytetarë, dhe do të jetë drejtori ndërlidhëse për bashkëpunimin me ujësjellësin regjional të Prishtinës. Po ashtu kjo drejtori do të jetë përgjegjëse për bashkëpunimin me komunat e tjera të cilat furnizohen nga kompania e njëjtë publike”, shtoi ai.

Lidhur me këtë çështje, zëdhënësi komunal, Asdren Osaj, nuk komentoi asgjë me arsyetimin se krejt kjo çka thotë është vetëm program politik i kësaj partie.

E Arjeta Mjeku, zëdhënëse në KUR “Prishtina”, u bëri thirrje të gjitha partive politike që të mos bëjnë fushatë me ujësjellësin dhe, sipas saj, furnizimi me ujë po vazhdon të jetë stabil.

“Në muajt korrik dhe gusht kemi hasur në vështirësi për shkak të keqpërdorimeve të shumta të ujit dhe rënies së nivelit në liqenet akumuluese Batllavë dhe Badovc”, tha ajo. Problemet me ujin, thotë ajo, do të marrin fund në vitin 2016, kur pritet të ndërtohet Fabrika e Ujit në fshatin Shkabaj.

 

Nga: Lindita Canolli

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu