Refuzohen propozimet e Thaçit, mandati i Speciales vazhdon

0
468

Mandati i Gjykatës Speciale do të vazhdojë siç është paraparë në amendamentin kushtetues numër 24, në bazë të së cilit edhe është formuar gjykata.

Me kërkesë të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ishte tentuar që përcaktimi i mandatit të Gjykatës Speciale t’i kalonte Kuvendit të Kosovës. Por, gjatë ditës së sotme, Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese ka thënë se kjo gjykatë do të vazhdojë mandatin e saj, përcjell Zeri.info.

Në një njoftim media bëhet e ditur se është vendosur që amendamentet kushtetuese të propozuara nga ish-presidenti i vendit Hashim Thaçi për zgjatjen e mandatit të Dhomës së Specializuar, pakësojnë të drejtat dhe liritë e garantuara prej Kapitullit II të Kushtetutës.

Sipas tyre mandati i Dhomave të Specializuara dhe i Zyrës së Prokurorit të Specializuar ka vazhduar dhe do të vazhdojë deri sa Këshilli i Bashkimit Evropian të njoftojë për përfundimin e mandatit të tyre.

Kujtojmë se mandati pesëvjeçar i Gjykatës Speciale përmendet në amendamentin kushtetues numër 24, në bazë të së cilit edhe është formuar gjykata.

“Mandati i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar do zgjasë në periudhën prej 5 vjetësh, përveç nëse lajmërimi për përfundimin e mandatit bëhet më herët, në përputhje me Ligjin numër 04/ L- 274”, thuhet në këtë amendament.

Ndërkaq, paragrafi pasues thekson që në mungesë të njoftimit për përfundim të mandatit, mandati do të vazhdojë deri në njoftimin për përfundim të mandatit, që do të publikohet në përputhje me të njëjtin ligj dhe në konsultim me qeverinë.

Njoftimi i plotë:

 Më 26 Nëntor 2020, Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese (‘Dhoma Kushtetuese’) nxori aktgjykimin e saj mbi referimin e amendamenteve të propozuara të nenit 162 të Kushtetutës së Kosovës (‘Kushtetuta’), për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Dhoma Kushtetuese vendosi se amendamentet kushtetuese të propozuara pakësojnë të drejtat dhe liritë e garantuara prej Kapitullit II të Kushtetutës.

Amendamentet kushtetuese u propozuan më 24 gusht 2020 nga Presidenti i atëhershëm i Kosovës dhe në vijim Kryetarja e Kuvendit të Kosovës ia përcolli ato Dhomës për vlerësim paraprak, në përputhje me nenin 144(3) të Kushtetutës.

Në aktgjykimin e saj Dhoma Kushtetuese vlerësoi amendamentet kushtetuese të propozuara duke u kushtuar vëmendjen e duhur kontekstit dhe veçorive specifike të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Dhoma Kushtetuese gjithashtu konfirmoi se në pajtim me nenin 162(3) të Kushtetutës, kjo Dhomë ka juridiksion ekskluziv për kryerjen e këtij vlerësimi, duke qenë se amendamentet e propozuara kanë lidhje me Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Po kështu, Dhoma Kushtetuese theksoi se në pajtim me nenin 162(13) dhe (14) të Kushtetutës, mandati i Dhomave të Specializuara dhe i Zyrës së Prokurorit të Specializuara ka vazhduar dhe do të vazhdojë deri sa Këshilli i Bashkimit Evropian të njoftojë për përfundimin e mandatit të tyre.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu