Rekordi i Qeverisë Thaçi, 38 zëvendësministra

0
732

Zbulohet numri i zëvendësministrave në Kosovës. Megjithëse kryeministri Hashim Thaçi ishte pyetur disa herë e nuk kishte treguar numrin e tyre, mësohet se në qeverinë e Kosovës janë gjithsej 38 zëvendësministra.

Burime të Kosovapress, brenda Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK), bëjnë të ditur se listat me emra e zyrtarëve që duhet të deklarojnë pasurinë tashmë qojnë numrin e zëvendësministrave në 37. Por, mësohet se para pak ditësh, edhe një tjetër ka marrë detyrën e zëvendësministrit në Ministrinë e Punës.

Derisa në AKK thonë se janë 37 ministra që duhet të deklarojnë pasurinë, sekretari i Ministrisë së Administratës, Fitim Sadiku, pohon se në Qeverinë e Kosovës janë 36 zëvendësministra.

Duket se pak ka rëndësi një më pak apo një më shumë, edhe pse shpenzimet që bëjnë ata, duke filluar nga pagat, pastaj mëditjet për udhëtime jashtë vendit, për telefon e veturë zyrtare, e shumë të tjera shërbime, qojnë në shifra marramendëse.

Instituti për Hulumtime të Avancuara GAP, në analizën e tyre në qershorin e vitit që kemi lënë pas, pati publikuar numrin e zëvendësministrave dhe shpenzimeve që ata bëjnë, e që atë kohë ishte 33.

Agron Demi, Drejtori i GAP-it, pohon se puna më sfiduese që kanë bërë ka qenë të mësojnë numrin e zëvendësministrave, ngase me këdo që kanë kontaktuar, nuk ka qenë në gjendje të japë një përgjigje të saktë; të gjithë kanë shprehur rezerva, madje edhe janë frikësuar për të thënë sa zëvendësministra janë aktualisht në ministritë e tyre.

Sipas Demit, paga që ata marrin mbi një mijë euro është e vogël në krahasim me shpenzimet e tjera që ata bëjnë.

“Kostoja e zëvendësministrave është tepër e lartë, për shkak se secili prej tyre ka të drejtën për një pagë prej mbi 1 mijë euro bruto, vizitat jashtë vendit tashmë janë shpeshtuar dhe ata kanë benificione shtesë për ato vizita jashtë vendit, si zëvendësministër kur emërohen kanë të drejtën të kenë një zyrë, një asistent në zyre, këshilltarë politikë, automjet në dispozicion 24 orë, telefon mobil dhe dreka, krejt kjo e rrit shumë koston e Qeverisë. Së fundmi kemi tentuar të marrim informata prej secilës ministri se si e kanë shpenzuar buxhetin e ndarë prej buxhetit të Kosovës, për reprezentacion dhe dreka zyrtare, dhe ka lëvizje të shumta ku ndodh që në disa ministri, zëvendësministri i cili fare nuk e di publiku që ai ka atë post shpenzon shumë më shumë për dreka zyrtare sesa vetë ministri, kjo të lë të kuptohet se çfarë takime zyrtare ka ai person kur publiku nuk e di që ai ka atë post”, ka thënë ai.

Burimet e Kosovapress-it brenda AKK-së, ndër të tjera, bëjnë me dije se në listat që ata aktualisht posedojnë, nga 19 ministri sa ka në Qeverinë e Kosovës, katër nga to kanë nga një (1) zëvendësministër, tri të tjera nga tre (3) zëvendësministra, ndërsa 12 të tjerat nga dy (2), megjithëse legjislacioni aktual nuk e kufizon numrin e tyre për një ministri.

Drejtori i GAP-it thotë se disa ministri nuk kanë nevojë farë për zëvendësministra, e shumë prej tyre që janë aktualisht nuk e din cila është puna e tyre, kanë punë të caktuar për njërën fushë, apo zëvendësojnë edhe shefin e tyre kur për një arsye apo tjetrën nuk ndodhet në punë.

“Te Ministria e Shërbimeve Publike kohë më parë ka pasur kompetenca të shumta edhe ka qenë shumë e arsyeshme të ketë zëvendësministër, por ka ministri, shembull ajo e Forcës dhe Sigurisë që nuk ka nevojë për zëvendësministër, por ka edhe të tjera si ajo e Arsimit që ka më shumë se dy zëvendësministra që pastaj nuk dihet ai zëvendësministër a ka të njëjtën punë si ministri apo janë të ndarë për arsimin njëri, tjetri për shkencën e tjetri për teknologjinë. Në mandatin e kaluar Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal kur ka pasur tre zëvendësministra ku nuk është ditur se çfarë pune kanë. Ka raste kur ish-zëvendësministra, tash deputetë në Kuvendin e Kosovës, kanë pranuar se nuk kanë pasur një përshkrim të caktuar të detyrës se çka kanë me bërë, ta zëvendësojnë ministrinë kur nuk është ai apo me u marr me çështje të caktuara të ministrisë ku i ndahet një përgjegjësi e caktuar”, ka thënë ai.

Emërimi i fundit që ka mësuar Kosovapress-i që është bërë për zëvendësministër në ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, që në këtë post është emëruar Berat Luzha, duke e quar në dy tashmë numrin e zëvendësministrave në këtë ministri, bashkë me Fatmir Shurdhaj, që tashmë kishte këtë post. Kjo nuk përjashton mundësinë që ka edhe emërime të tjera si zëvendësministra e që nuk janë mësuar ende, apo nuk janë bërë të ditur për publikun.

Ministria e Administratës Publike ka zëvendësministra Hajredin Hysenin dhe Nexhmedin Kastratin, ajo e Administrimit të Pushtetit Lokal ka Bastri Musmuratin dhe Rifat Krasniqin, Ministria e Arsimit ka Nehat Mustafën, Usmane Baldezin dhe Srboljub Djokiq. Pastaj Ministria e Bujqësisë ka Xhabir Morinën dhe Jashar Çukiçik, Ministria e Drejtësisë ka Daut Xhemajlin, Ministria e Financave ka Astrit Haraqinë dhe Ramadan Avdiun. Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka zëvendësministra: Gani Kocin dhe Ramadan Hasanin, ajo e Forcës dhe Sigurisë ka: Shemsi Veselin, Bejtush Gashin dhe Slavisa Filipovic. Ministria e Komunitetit dhe Kthimit ka zëvendësministër Husnija Beskovic, Ministria e Kulturës ka Gani Elshanin dhe Hajdin Abazin. Dy zëvendësministrat e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor janë Ilir Mirena dhe Shpëtim Rudi, Ministria e Punëve të Brendshme ka Ismet Ibishin, Izmi Zekën dhe Sasha Rashiqin, ajo e Punëve të Jashtme: Ibrahim Gashin dhe Petrit Selimin, e Shëndetësisë ka Naim Fetahun dhe Kadir Hysenin, e Infrastrukturës ka Emin Krasniqin dhe Banush Pacollin. Pastaj Ministria e Tregtisë ka Cuneyd Ustaibon, ajo e Integrimeve ka Gëzim Kasapollin dhe Refik Shaqirin dhe Ministria e Diasporës ka Nuredin Lushtakun dhe Qerim Bajramin.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu