Rënia pa shkëlqim e shtetit të Kosovës

0
730

Dialogu i Kosovës me Serbinë në Bruksel është përbrenda dialogut të Bashkimit Evropian me Serbinë në Beograd. Edhe në çështjen e MSA-së u pa që dialogu BE-Kosovë është në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, i cili, më tutje, është në kuadër të dialogut BE-Serbi. Serbia po integrohet në BE duke u integruar njëkohësisht edhe në Kosovë. Ndërkohë, jemi dëshmitarë që Kosova po anëtarësohet më shumë në banka e institucione financiare ndërkombëtare (WB, IMF, CEB, EBRD) sesa në organizata politike ndërkombëtare.

Republika e Kosovës numrin më të madh të marrëveshjeve ndërkombëtare e ka bërë për “Ripranimin e personave që Qëndrojnë pa Autorizim”, “Transferimin e personave të dënuar”, “Bashkëpunim policor”, “Bashkëpunim në Fushën e Sigurisë, “Luftimin e rrjeteve të trafikimit me njerëz” e të ngjashme. Janë të gjitha këto shprehje të këndvështrimit të shteteve anëtare të BE-së për Kosovën si krizë e rrezikshme që duhet menaxhuar së brendshmi (përmes EULEX-it) dhe duhet lokalizuar e frenuar së jashtmi (përmes këso marrëveshjesh).

Në anën tjetër, integrimi i serbëve në Kosovë po bëhet vetëm nëpërmjet Serbisë e me Serbinë. Të drejtat e serbëve në Kosovë po lindin jashtë Kosovës: në takime me Serbinë në Vjenë (2006, 2007) dhe në takime sërish me Serbinë në Bruksel (2012, 2013). Integrimi i proklamuar i serbëve të strukturave të Serbisë në veri në sistemin shtetëror të Kosovës para sovranitetit e integritetit territorial për shtetin tonë është gjithsesi gabim në hapa.

Aq shumë flitet për integrimin e serbëve në Kosovë, teksa entiteti ku duhet të integrohen serbët, pra shteti i Kosovës, po rrënohet, dhe kësisoj serbët s’po kanë as ku integrohen. Sovraniteti e shoqëria po dobësohen te ne. Të angazhohesh për sovranitet të plotë e shoqëri të zhvilluar është edhe angazhim për integrim të serbëve sepse ata duhet të integrohen në diçka të fuqishme e të qëndrueshme, apo jo? Duke i trajtuar serbët në mënyrë kaq të veçantë dhe si kombësi kaq e posaçme, shteti i Kosovës me këso qasje të tij po kontribuon shumë që serbët në Kosovë të bëhen të paintegrueshëm.

Pakoja e Ahtisaarit i ndan serbët (në ata që janë në veri të Ibrit dhe ata në jug të tij). Asociacioni i komunave me shumicë serbe po i bashkon ata (sipas dhe pas qëndrimeve të dhunshme të veriut).

Sot, shumë më keq flet Beogradi për Kosovën sesa Prishtina për Serbinë. Beogradi nuk ka ndryshuar, kurse Prishtina po. Dhe, Prishtina ka ndryshuar mendim për Beogradin e pandryshuar. Kjo sigurisht se ka rëndësi për qëndrimin që marrin faktorët ndërkombëtarë sepse asnjë parim s’po respektohet në këtë pazar total që po bëhet me fatin e Kosovës.

Politikanët e zyrtarët e ndryshëm perëndimorë, kur vijnë në Kosovë, përveçse në Prishtinë shkojnë edhe në Graçanicë, në veri të Mitrovicës e në Manastir të Deçanit, kurse në Serbi vetëm në Beograd. Kjo tregon se kë e konsiderojnë shtet (të centralizuar) e kë veçse hapsirë territoriale (të decentralizuar).
Paradoksalisht, Asociacioni i komunave me shumicë serbe, i levërdis edhe faktorëve ndërkombëtar që formalisht s’duan ta shohin një Republika Srpska të dytë në Ballkan sikurse ajo në Bosnje: ky Asociacion s’ka vazhdimësi territoriale të brendshme, ashtu siç do të kishte Asociacioni i komunave me shumicë serbe në veri të Ibrit!

Në njërën anë, BE-ja nuk mund të jetë neutrale në ndërmjetësimin e dialogut politik midis Kosovës e Serbisë sepse ajo është neutrale ndaj statusit të Kosovës. Në anën tjetër, BE-ja por edhe fuqitë tjera perëndimore asnjëherë nuk pushojnë së fascinuari me ‘ndryshimet’ në Serbi: prej Milosheviqit te Koshtunica, prej Koshtunicës te Tadiqi dhe tash prej Tadiqit te Nikoliqi, Vuçiqi e Daçiqi.

Kosova s’ka nevojë për dialog me Serbinë sepse ashtu bosnjëzohet. Kosova ka nevojë për monolog të brendshëm sepse kështu bëhet sovrane. Mirëpo, kryeministri Thaçi tashmë nuk e përfaqëson shtetin e Kosovës por ndryshimet e këtij shteti sipas kërkesave të Serbisë. Prej se e kanë pranuar Marrëveshjen Thaçi-Daçiq, jo vetëm Qeveria dhe deputetët e pozitës por edhe ata të opozitës kosovare që e pranuan këtë marrëveshje, nuk kanë problem me dhunën kriminale dhe krimet e shumta të strukturave të Serbisë, sa me aksionet simbolike të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Serbisë ia falin krimet, VETËVENDOSJE!-s as aksionet simbolike.

 

Shkruan: Albin Kurti

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu