Republika ‘Sui Generis’!

0
687

Protestues

Përvjetori i tetë i Republikës ndau në dysh qytetarët: ata që festuan me flamuj të Kosovës dhe të tjerët që protestuan më flamuj kombëtarë. Paradite FSK-ja demonstroi forcën e shtetit, pasdite dhjetëra mijëra protestues opozitarë ia numëruan dështimet Qeverisë, duke kërkuar dorëheqjen e kësaj të fundit brenda 10 ditëve. Pushtetarët në vend se ta vlerësonin protestën e qetë, me deklaratat nxitëse thelluan edhe më shumë hendekun e përçarjeve politike

Në përfundim të protestës paqësore, në praninë e dhjetëra mijëra protestuesve drejtuesit e tri subjekteve opozitare i kanë dhënë ultimatum Qeverisë që të japë dorëheqje deri më 27 shkurt, në të kundërtën, sipas tyre, protestat do të vazhdojnë.

Opozita po ashtu ka kërkuar që të premten (nesër) të protestohet për të kundërshtuar zgjedhjen e kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçi, për  president të vendit, pasi, siç thanë ata, kjo çështje mund të “kontrabandohet” në seancën e së premtes, ndonëse një gjë e tillë nuk është në rend dite.

Protestuesit e opozitës fillimisht u tubuan te Biblioteka Kombëtare për të marshuar shesheve deri te ndërtesa e Qeverisë.

Kryetari i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Visar Ymeri, ka thënë se kanë dalë në shesh që t’i heqin nga institucionet e vendit zaptuesit e shtetit, në mënyrë që Republika të jetë e qytetarëve.

Ymeri ka kërkuar që kjo Qeveri ka kohë të largohet deri më 27 shkurt, pas dhjetë ditëve, në të kundërtën, sipas tij, protestat e opozitës nuk do të ndalen.

“Ne qytetarët e Republikës i japim kohë kësaj deri më 27 shkurt. Këtë kohë kjo Qeveri duhet ta shfrytëzojë për t’u larguar nga aty, edhe pse Qeveria është dashur të largohet më 27 janar, i vetmi vendim që e pranojmë ne është vendimi për largimin e këtij pushteti. Nëse nuk shpallen zgjedhjet e parakohshme brenda kësaj periudhe, protestat tona më nuk do të ndalen”, ka deklaruar Ymeri.

Haradinaj: Sot e shkarkuam këtë Qeveri!

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se sot të gjithë së bashku shkarkuan Qeverinë “Mustafa – Thaçi”.

“Çka po bëjmë ne të gjithë së bashku këtu? E shkarkuam Qeverinë ‘Mustafa – Thaçi’, pra ky është kuorumi, ne sot e shkarkuam Qeverinë ‘Mustafa – Thaçi’. Kjo Qeveri e ka thelluar kapjen e shtetit, e ka rritur politizimin e turpshëm të të gjitha institucioneve, e ka rritur korrupsionin, klientelizmin, i ka bërë të korruptuarit të paprekshëm në Kosovë sepse kjo Qeveri e ka mbytur ekonominë e vendit, e ka mbytur prodhimin vendor”, është shprehur Haradinaj.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu