Res Privata

0
771

Kriza globale financiare e diskreditoi bindjen që sistemi financiar është vetërregullues. Mirëpo, edhe zgjidhja u bë sërish pjesë e problemit: investimi qeveritar për të shpëtuar bankat u ndërmor për ta rifituar besimin për të njëjtën bindje paraprake! Në vend se të kolapsojnë bankat, rrezikojnë të kolapsojnë shtetet dhe euroja është në krizë. Pra, bankat po shpëtohen sepse mendohet qysh mund të humbim edhe më shumë nëse humbin bankat.

Ndërkohë, bankat japin kredi edhe aty ku pothuajse dihet që kthimi do të jetë shumë i vështirë, për shkak se ato llogarisin gjithnjë që Qeveria do t’iu ndihmojë teksa ato evitojnë me sukses ligjet dhe rregullat duke mos i dhënë realisht llogari askujt. Kjo është arsyeja pse sektori financiar, në fakt, ndodhet te majat e hierarkisë së pushtetit. Financat janë vendi ku përfaqësohet ekonomia reale. Ngjashëm sikurse Kuvendi që është vendi ku përfaqësohet populli. E, dihet që bën të ketë popull me Kuvend, por me kusht që kurrsesi të mos përfundojmë me Kuvend pa popull.

Kriza financiare që nisi në shtator të vitit 2008 në ShBA i rrëzoi përtokë lidhjet dogmatike midis lirisë së kapitalit, rritjes ekonomike dhe mirëqenies së shtuar. Kjo krizë më pastaj u përhap edhe gjetiu sepse, siç thuhet, kur ShBA-të teshtijnë, bota ftohet: pas tkurrjes së ekonomisë amerikane, pasuan edhe tkurrje të shumë ekonomive të tjera. Para gati tre muajsh, buxheti republikan i prezantuar nga drejtuesi i Komisionit të Buxhetit në Dhomën e Përfaqësuesve, Paul Ryan, u pat kritikuar nga Presidenti i ShBA-ve, Barack Obama, meqë i shkurton shpenzimet për 5.3 trilionë dollarë më shumë se sa planet e tij për dekadën e ardhshme, duke goditur kështu mirëqenien e të varfërve.

Ky buxhet po ashtu i shkurton taksat për 2 trilionë dollarë, duke zvogëluar deficitin për 3.3 trilionë dollarë. Siç shkruante gazeta Financial Times e datës 4 prill 2012, në një drekë në Washington të shtruar nga Associated Press, zt. Obama ka thënë për këtë buxhet që “I maskuar si një plan për reduktimin e deficitit, në të vërtet, ai paraqet një përpjekje për ta imponuar një vizion radikal në vendin tonë. Nuk është asgjë tjetër përveçse darvinizëm social me një vello të hollë sipër. Është në kundërshtim me të gjithë historinë tonë si një tokë e mundësive dhe lëvizjes prej poshtë lart për cilindo që është i gatshëm të punojë për të – një vend ku prosperiteti nuk rrjedh prej lart, por rrjedh nga zemra e klasës së mesme”.

Edhe pas fitores në betejën për Shërbimin Shëndetësor Kombëtar, edhe nëse rizgjedhet kollaj për President të ShBA-ve, Barack Obama sërish do ta ketë shumë vështirë. Marrëdhëniet e caktuara ekonomike gjithmonë prodhojnë dhe sforcohen nga pasojat e tyre socio-kulturore. Kështu, pasuria e 10 kongresmenëve më të pasur në ShBA është afër 3 miliardë dollarë. Nga viti 2007 në vitin 2009 profitet e Wall Street janë rritur për 720% kurse papunësia është rritur për 102%. Në vitin 2009, pra në vitin e parë të Obamas si president, paga mesatare e CEO-ve të korporatave ka qenë sa 185 herë paga mesatare e punëtorëve. Dhe, gjasat që një amerikan të bëhet milioner janë 1:22 kurse gjasat që një kongresmen të bëhet milioner janë 1:2.

E megjithatë ShBA-të së paku e kanë një udhëheqje që po përpiqet për të mirë në rrugën e drejtë përkundër vështirësive dhe problemeve (në dukje të pakapërcyeshme dhe të pazgjidhshme). Edhe shtetet e ndryshme të BE-së me protesta, greva e zgjedhje elektorale, po i ndryshojnë qeveritë dhe elitat, drejtimet dhe modelet, për ta rimëkëmbur veten e tyre. Po Qeveria e Kosovës, çfarë po bën ajo në vendin tonë ku kriza po thellohet sepse po bien remitancat, po ngriten çmimet dhe po rritet papunësia edhe në numër absolut edhe në përqindje relative? Qeveria e Kosovës po e shndërron Republikën në Res Privata.

Në njërën anë, ajo bën privatizim të egër dhe abuziv, e në anën tjetër, është fiksuar te infrastruktura si asfalt mbi tokë (meqë për atë që është nëntokë si ujësjellësat e kanalizimet nuk e çan fort kokën). Për ta fituar durimin e popullit, Qeveria atij i premton investime të huaja dhe i sugjeron orientim te ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Mirëpo, kur kemi investime të huaja pa i pasur njëherë as investimet e mërgatës sonë, atëherë ky është indikacion, në mos edhe dëshmi, që ato investime të rralla janë të dyshimta. Me gjasë, janë aso të korporatave matrapaze, të cilat investojnë sikur peshkaqenët që vijnë të ta shqyejnë një copë dhe ikin pastaj.

E, ato korporata sigurisht që i duan këso politikanësh të korruptuar çfarë janë këta të instaluar në Qeverinë e Kosovës. Njëkohësisht, problemi me ndërmarrjet e vogla dhe të mesme është se ato mbesin të vogla. Dhe, kjo mandej quhet sukses (meqë zhdukja e tyre është dukuri ku e ku më e suksesshme). Ndërmarrjet e vogla gjenerojnë punësim më të pakët. Madje edhe revista prestigjioze liberale, The Economist, në numrin parë të marsit të këtij viti shkruante që bizneset e vogla janë problem i madh për periferinë e Evropës (si puna e Greqisë dhe jo vetëm e asaj).

Një e treta e ndërmarrjeve prodhuese greke kanë më pak se 10 punëtorë krahasuar me 4,3% në Gjermani. Vetëm 19% të prodhuesve portugezë i kanë më shumë se 250 punëtorë krahasuar me Gjermaninë ku kjo shifër është 55%. Ndërmarrjeve të vogla iu bie produktiviteti dhe janë gjithnjë e më pak konkurruese, sidomos në kohën kur ekonomia nuk shkon mirë. Prandaj, përherë duhet shikuar rritja e bizneseve më parë sesa madhësia e tyre. Ndërmarrjet e vogla janë interesante kur lindin, pra në krahasim me periudhën kur nuk ekzistonin, ama porsa të jenë të vogla e të vjetra, atyre iu rriten ndjeshëm gjasat që të zhduken plotësisht.

John Maynard Keynesi thoshte që duhet shikuar papunësia dhe buxheti mandej do ta shikojë vetveten. Dhe, duhet të ngriten taksat kur ekonomia ngritet dhe të zvogëlohen ato kur ajo bie. Politika fiskale, më parë sesa ajo monetare, e mban punësimin. P.sh. as shtypja e parave dhe as zvogëlimi i tatimeve nuk mjaftojnë meqë paratë duhet edhe të shpenzohen dhe jo vetëm ta rrisin fuqinë blerëse. Siç argumentojnë Robert Skidelsky dhe Felix Martin, ekziston prirja për t’i kursyer madje edhe paratë shtesë atëherë kur nuk pritet që shtimi i tyre të jetë i vazhdueshëm e i përhershëm.

Për Kosovën është më mirë të dalë nga këta binarë për te modeli i Keynesit i cili është afër konceptit të shtetit zhvillimor, duke dëshiruar kthimin te besimi e vetëbesimi, te optimizmi, meqenëse besimi e cyt investimin. E gjithë kjo në kontrast me atë që quhet neoliberalizëm (apo Konsensusi i Washingtonit nga disa të tjerë) e i cili predikon pesimizmin: shpëtimi dhe rritja vijnë nga jashtë, meqë s’është gjë puna e neve vendësve (sic.). Në Kosovë ku punësimi është i lidhur direkt me Qeverinë nuk ka shpresa as për Kosovën e as për Qeverinë. Përderisa punësimi nuk është i lidhur me prodhimin do të prodhohet veçse papunësia.

 

Shkruan: Albin Kurti

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu