Rexhep Qosja: Akuzat ndaj meje? Fushatë shpifjesh

0
713

Çaushi i ri i Klanit të vjetër Më 5 mars të këtij viti Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës reagoi, ndaj, si thuhet në këtë reagim, “prononcimeve të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë lidhur me debatin midis dy anëtarëve të ASHAK-ut”. Kjo fjali me të cilën fillon reagimi i ASHAK-ut ndaj kumtesës së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë përmban dy pasaktësi: e para, Akademia e Shkencave e Shqipërisë nuk pati prononcime, por vetëm një prononcim, një reagim, në lidhje me ato që shkruhen për ASHAK-un dhe me ato që po shkruan ASHAK-u. Dhe e dyta, Letra e 37 intelektualëve lidhur me fushatën që Kryesia e ASHAK-ut po zhvillon kundër anëtarit të saj, Rexhep Qosja, nuk është prononcim, nuk është reagim i Akademisë, po reagim vetëm i 37 intelektualëve të shquar të Shqipërisë, anëtarë të disa partive a të pa parti, midis të cilëve ka edhe disa anëtarë të Akademisë, që kanë reaguar si vetje, në emrin e vet e jo në emrin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Po këtë dyfishim të një reagimi, një “prononcimi” fare të shkurtër dhe plotësisht të paanshëm të ASHSH-së, udhëheqja e ASHAK-ut nuk e bën pa qëllim të keq, që do të shihet në vazhdimin e shkrimit të saj, sidomos në paragrafin e saj të fundit, që tregon shumë se çka e mundon sot këtë institucion pak shkencor, më pak artistik e kryekëput partiakisht politik të Kosovës.
Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe 37 intelektualët e Shqipërisë me reagimin e tyre bënë çka po bëjnë veç e veç edhe disa intelektualë të Kosovës: shprehën indinjatën e tyre se si është e mundshme që në Kosovën, e cila po quhet demokratike, mund të zhvillohet fushatë paskajshëm e egër kundër një intelektuali jashtëpartiak, e organizuar prej kryetarëve të dy partive: prej Isa Mustafës – kryetar i LDK-së dhe Lulzim Bashës, përkatësisht Sali Berishës – kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë.
Ç’është e vërteta, nuk kam pritur, në asnjë mënyrë nuk kam pritur, se qoftë edhe një anëtar i ASHAK-ut do të pajtohet me atë fushatë. Por, ja me atë fushatë u pajtua ai që nuk do të mendoja kurrë se do të pajtohej: u pajtua pedagogu dhe psikologu, Pajazit Nushi, i cili, si pedagog dhe psikolog që është, nuk do të duhej në asnjë mënyrë të pajtohej me gënjeshtrat, shpifjet, fyerjet dhe yshtjet që përmban ajo. Pedagogët dhe psikologët, zakonisht, as nuk duhet t’i lejojnë vetes të pajtohen me gënjeshtra, mashtrime e fyerje të të tjerëve as nuk duhet t’u flasin nxënësve të tyre gënjyeshëm dhe mashtrueshëm. Por, kur e ktheva mendjen në kohën e shkuar u binda se kjo nuk është hera e parë që pedagogu e psikologu Pajazit Nushi është pajtuar me çka s’do të duhej të pajtohej: është pajtuar me ide, me diferencime e me politika të cilat i ka dënuar historia e Kosovës dhe historia e popullit shqiptar në përgjithësi.
Për të qenë e keqja e tij edhe më e madhe, në shkrimin e Kryesisë së ASHAK-ut, që ka nënshkruar Pajazit Nushi, janë të përmbajtura edhe disa të pavërteta e akuza për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.
FIQIRI I PRISHUR 55-FISH
Të shohim se çka shkruan, në të vërtetë çka nënshkruan pedagogu Pajazit Nushi.
Nënkryetari i ASHAK-ut, Pajazit Nushi, nënshkruan pohimin e pavërtetë se Rexhep Qosja “pa të drejtë dhe në vazhdimësi e denoncon Akademinë tonë”. Siç e di mirë edhe vetë Pajazit Nushi dhe siç e dëshmon vepra ime letrare, shkencore dhe publicistike, denoncimet nuk kanë qenë, nuk janë dhe nuk do të jenë kurrë mënyrë e mendimit dhe e sjelljes së Rexhep Qosjes. Mënyrë e mendimit dhe e sjelljes së Rexhep Qosjes ishin: mospajtimi, kundërshtimi kritik dhe demaskues i politikës terroriste shtetërore të Serbisë e të Jugosllavisë ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe në Jugosllavi në përgjithësi – para Luftës sonë çlirimtare, sidomos pas vitit 1981, kur Pajazit Nushi me udhëheqësit e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe me anëtarët e Klanit preshevar, tani të gjithë anëtarë privatizues të ASHAK – ut, i rrëfeheshin vetëmohueshëm Serbisë dhe Jugosllavisë se demonstratat e rinisë sonë studentore dhe shkollore ishin nacionaliste, irredentiste, kontrarevolucionare, të drejtuara kundër integritetit territorial të Jugosllavisë, kun-dër bashkim-vëllazërimit dhe bara-zisë së kombeve e të kombësive të Jugo-sllavisë socialiste vetëqeverisëse dhe demokratike!!!
Mënyrë e mendimit dhe e sjelljes së Rexhep Qosjes sot janë, ndërkaq, jo denoncimi, si thotë Pajazit Nushi, po mospajtimi, kundërshtimi kritik dhe demaskues i korrupsionit kolosal politik dhe material në Kosovë e në Shqipëri, i pasurimit korruptiv të disa zyrtarëve, i politikës së tyre aq shpesh të bazuar në gënjeshtra e mashtrime, i kthimit në pushtet në Kosovë i zyrtarëve të Rrahman Morinës dhe të Millosheviçit siç është Isa Mustafa dhe i një varg bashkëpunëtorëve të ditur të UDB-ës, i privatizimit prej një Klani lokalist të ASHAK-ut. E të tjera. E të tjera të këqija politike e shoqërore.
Dhe kjo politikë e imja ndaj gjithë këtyre të këqijave në jetën tonë politike, shoqërore e kulturore është, natyrisht, e kohëpaskohshme, kurse i përhershëm, i vazhdueshëm do të thoshte Pajazit Nushi, është krijimi i historive, monografive, studimeve, trajtesave, sprovave historike letrare, i romaneve, i dramave dhe i shkrimeve publicistike, sasia dhe cilësia e të cilave, siç po shihet në fushatën kundër meje, ua ka prishur pesëdhjetë e pesë fish fiqirin përndjekësve e urrejtësve të mi politikë dhe akademikë pas botimit të Kompletit të veprave të mia. E kuptueshme. Vepra ime krijuese, me vëllimin, me kuptimin dhe me cilësinë e saj është aq e shumëllojshme saqë të vegjlit me mendje, me zemër e me shpirt në politikën dhe në ASHAK-un tonë i bën edhe 55 herë më të vegjël se ç’i ka bërë i Madhi Zot! (Për këto që do të them në vijim, le të më falë lexuesi i nderuar për jomodestinë e shprehur qëllimshëm.) Me shumësinë e përmbajtjeve, të temave, të motiveve, të çështjeve, të ideve, të vizioneve, të zgjidhjeve të propozuara për çështje e probleme të ndryshme kombëtare, shoqë-rore e politike, me gjykime historike e të përtashme, me veçanësinë, do-methënien dhe cilësinë artistike letrare të romaneve e të dramave, me thellësinë dhe rëndësinë shkencore të monografive, studimeve, trajtesave dhe historive letrare, me shumësinë dhe me ndikimin në jetën politike, shoqërore, kulturore, kombëtare në përgjithësi, të shkrimeve publicistike dhe polemike, me përkushtimin e vazhdueshëm ndaj të drejtave historike dhe të përtashme të popullit shqiptar, me gjykimet parathënëse të ardhmërisë së çështjes së Kosovës e të çështjes shqiptare në përgjithësi – vepra ime krijuese, pra, është vepër unike në letërsinë shqipe dhe në studimet shqiptare, të cilën akademikët e Seksionit të Gjuhës dhe të Letërsisë, me akademikët e Seksionit të Shkencave Shoqërore të ASHAK-ut, me organizuesit e fushatës së tyre kundër meje – me Isa Mustafën dhe me Lulzim Bashën, përkatësisht Sali Berishën, nuk do të mund ta mendonin dhe ta shkruanin edhe po t’i bashkonin të gjithë kalemat e tyre, të pas-ardhësve të tyre dhe të argatëve të tyre në parti e në disa medie. Jo. Kurrë! Për krijimin e Një Vepre të tillë, me sasi e me cilësi të tillë mendore e morale, atyre i Madhi Zot nuk ua ka dhënë as dhuntinë, as karakterin, as qëndrueshmërinë e as kthjelltësinë. I mëshiroj!
AKADEMIA – SHTËPI
PRIVATE
E LDK-së
Por, të shohim se me çka nuk pajtohet nënkryetari i ASHAK-ut, Pajazit Nushi, me Rexhep Qosjen. Ai nuk pajtohet me faktin se:
1.
Rexhep Qosja përmes kritikës së tij ka shprehur mospajtim me disa dukuri dhe shpërdorime në ASHAK. Ai nuk është pajtuar me kohë dhe nuk pajtohet as sot pse ASHAK-u është bërë institucion kryekëput partiak, institucion fare pak shkencor, më pak artistik e krejt politik i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Rexhep Qosja nuk ka mundur të pajtohet që udhëheqja e ASHAK-ut ka shkelur ligjin e Kuvendit të Kosovës për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve duke e kthyer në dyvjeçar afatin katërvjeçar të zgjedhjes së anëtarëve të rinj të saj, për aq kohë sa të realizonte pranimin e atyre që synonte, për ta rikthyer sërish në afat katër vjeçar. Dhe këtë shkelje të Ligjit udhëheqja e Akademisë e ka kryer për t’i bërë shpejt e shpejt anëtarë, natyrisht të pamerituar, të ASHAK-ut udhëheqësit e Lidhjes Demokratike të Kosovës – të partisë udhëheqja e së cilës në një varg rastesh ka luajtur rolin e kolonës së pestë në historinë e re të Kosovës! Dhe, kështu, në sajë të këtij veprimi antiligjor është bërë e mundshme që anëtarë të Akademisë sonë të bëhen kryetari i LDK-së, nënkryetari i LDK-së, shtatë anëtarë të Kryesisë së LDK-së dhe kryetarët e Partisë Katundare dhe të Partisë Socialdemokrate – dy partive infrastrukturore të LDK-së! Domethënë anëtarë të ASHAK-ut janë bërë 11 udhëheqës të LDK-së, emrat e të cilëve lexuesi mund t’i gjejë në faqen 343 të librit tim Shqipëria dhe Kosova – si janë dhe si do të duhej të jenë. Ku në këtë Evropë ka mundur të ndodhë apo mund të ndodhë që të shkelet një ligj e të falsifikohet një statut Akademie për t’u bërë anëtarë Akademie 11 udhëheqës të një Partie? Askund. Ku në këtë Evropë, në Azi a në Afrikë mund të ndodhë që kryetarët, nënkryetarët dhe shumica e anëtarëve të Kryesisë së një partie të bëhen njëkohësisht anëtarë Akademie? Në Bashkimin Sovjetik të Stalinit? Në Gjermaninë e Hitlerit? Në Italinë e Musolinit? Jo, as atje atëherë një marrëzi dhunuese e tillë nuk ka ngjarë. Kjo ka ngjarë vetëm në primitivizmin e ASHAK-ut tonë. Ky primitivizim dhe banalizim partiak politik i një institucioni shkencor dhe artistik nuk ka ndodhur askund sepse përmes këtij primitivizimi dhe këtij banalizimi cenohet e fyhet kultura e popullit të vendit ku ndodh kjo.
2.
Rexhep Qosja nuk është pajtuar pse tani e pesëmbëdhjetë vjet ASHAK-un e drejton, në të vërtetë e privatizon Klani i fshatrave të Luginës së Preshevës duke qenë anëtarët e tij 15 vjet njëri pas tjetrit kryetar në dy mandate, nënkryetarë në dy mandate, sekretar i Përgjithshëm i ASHAK-ut në dy a më shumë mandate? Si mund të ndodhë kjo, si lejohet kjo, që një Klan i krijuar mbi bazë lokale dhe partiake, i vetëportretizuar në 55 pyetjet e publikuara, të uzurpojë, në të vërtetë të bëjë shtëpi private një institucion me rëndësi shoqërore e kulturore, tani e sa kohë mjerisht tejet të zhvlerësuar dhe të komprometuar!
3.
Rexhep Qosja nuk është pajtuar dhe nuk pajtohet që e drejta për të propozuar kandidatët për anëtarë të Akademisë, prej udhë-heqjes partiake LDK-iste të Akademisë u është marrë shoqatave të shkrimtarëve, të piktorëve e të skulptorëve dhe të kompozitorëve të Kosovës, e cila në Statutin e mëhershëm u njihej atyre. Meqenëse ASHAK-u është Akademi e Shkencave dhe e Ar-teve, domethënë është akademi jo vetëm e shkencave, por edhe e arteve, marrja e të drejtave të krijuesve artistikë për të propozuar kandidatët për anëtarë të Akademisë është masë antiligjore që përmban nënçmim të krijuesve artistikë! Dhe, kjo masë antiligjore është bërë përbërëse e Statutit të ASHAK-ut me qëllim që të mënjanohet propozimi i atyre krijuesve artistikë, para së gjithash i atyre shkrimtarëve pjesëmarrës a përkrahës të UÇK-së, që nuk do të pajtoheshin e nuk pajtohen me privatizimin partiak LDK-ist të Akademisë.
4.
Rexhep Qosja nuk është pajtuar dhe nuk pajtohet që Seksionet e Akademisë të bëhen përzgjedhës dhe përcaktues se cilët kandidatë të propozuar prej fakulteteve e institucioneve shkencore do të zgjidhen anëtarë të ASHAK-ut. Për të qenë shpërdorimi politik partiak i seksioneve edhe më i skajshëm, ato, seksionet, i japin vetes të drejtë që të bëhen edhe vetë, si fakultetet dhe institucionet shkencore, propozuese të kandidatëve për anëtar të ASHAK-ut! Se sa kundërligjore, se sa partiake, dhe se sa primitive është kjo praktikë e udhë-heqjeve preshevare të ASHAK-ut dëshmon fakti: u merret e drejta e propozimit shoqatave të krijuesve artistikë e u jepet seksioneve të ASHAK-ut, i merret shumicës pluraliste e i jepet pakicës LDK-iste! Në këtë mënyrë antiligjore është zgje-dhur jo vetëm një kandidat, një maturant, në ASHAK-un tonë të privatizuar, që e mbron Pajazit Nushi.
ISH-ZYRTARI I
MILLOSHEVIÇIT BËHET AKADEMIK
5.
Rexhep Qosja nuk është pajtuar dhe nuk pajtohet pse para gjashtë vjetësh Klani preshevar bëri që anëtar i ASHAK-ut të zgjidhet kryetari i Rinisë Socialiste të Kosovës në kohën e Stambolliqit dhe të Markoviqit, kryetar i Komunës së Prishtinë me mandat dyvjeçar në kohën e dhunës dhe terrorit të Millosheviçit, sekretar krahinor, domethënë ministër i Këshillit Ekzekutiv të Kosovës (i Qeverisë së Kosovës), po ashtu në kohën e Millosheviçit, Isa Mustafa. Ku mund të ndodhë në një vend të quajtur demokratik që anëtar Akademie të Shkencave dhe të Arteve të zgjidhet një zyrtar i pushtuesit, që anëtar Akademie të zgjidhet zyrtari i pushtuesit pa merita shkencore a artistike? Askund në asnjë vend në Evropë, në Azi dhe në Afrikë. Pse fundoset në këtë humnerë staliniste, të pamoralshme zgjedhore, Akademia jonë? Për dy arsye: e para, për të forcuar pozitën LDK-iste të Klanit uzurpues të Akademisë dhe, e dyta, për të realizuar privilegje të caktuara komunale qoftë anëtarët e Klanit qoftë servilët e tyre në Akademi a jashtë Akademisë!
Pse jo? Isa Mustafa, ish-bashkëpunëtori zyrtar i Millosheviçit, kur u zgjodh anëtar i ASHAK-ut ishte kryetar i Prishtinës dhe kryetar i LDK-së.
6.
Rexhep Qosja nuk është pajtuar dhe nuk pajtohet as pse në Akademi është zgjedhur partizani tjetër i LDK-së dhe i Isa Mustafës, Sali Gashi, dikur kryetar e në kohë të fundit nënkryetar i Komunës së Prishtinës! Dhe shok, bashkautor punimesh e bashkëpartiak i krijuesit të Klanit preshevar, Nexhat Dacit!
Si zgjedhja e Isa Mustafës ashtu edhe zgjedhja e nënkryetarit të tij, Sali Gashit, anëtar i Akademisë është rënie në konflikt të interesit e konflikti i interesit, siç dihet, është trajta më e rëndë, ligjërisht më e dënueshme, e korrupsionit.
*SHËNIM: Titujt e detajet, janë të redaksisë. Titulli në origjinal – “AKADEMIA UDHËHUMBUR”.

(Vijon nesër)

Prof. Rexhep QOSJA*


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu