Rexhep Qosja: Berisha para gjyqit, që të luftohet korrupsioni

0
610

TIRANE – Lufta Lufta kundër korrupsionit nuk do të jetë e suksesshme në qoftë se nuk dalin para drejtësisë edhe të ashtuquajturit ‘peshq të mëdhenj’. Ndaj, Sali Berisha duhet të nxirret në gjyq!” Kjo është deklarata e Prof. Rexhep Qosjes në një intervistë për “GAZETA SHQIPTARE”, ku flet për tre muajt e parë të qeverisë “Rama” dhe sfidat e saj. Akademiku nga Prishtina, teksa fajëson ish-kryeministrin për gjendjen e tanishme të Shqipërisë, ndalet në pikat kyçe e më të diskutueshme të politikës së Tiranës. Krimi i organizuar, korrupsioni, sistemi i drejtësisë, ndërtimet pa leje, çështja “Imami”, reformat e para dhe masat urgjente që duhen ndërmarrë janë temat që ai prek.
Por, përkrah nxitjes që i jep qeverisë për të punuar, shënon se duhet pasur kujdes nga hakmarrja primitive.
Profesor, si i keni parë tre muajt e parë të qeverisjes Rama?
Qeveria e socialistëve, dhe e socialistëve për integrim, e kryesuar prej kryeministrit, Edi Rama, e ka trashëguar një gjendje të rëndë në funksionimin e organeve e të institucioneve shtetërore. Politikanët shqiptarë, në mandatet e përpara qeverisëse, i kanë lëshuar të gjitha gjasat për ta ngritur shoqërinë shqiptare në nivelin e shteteve bashkëkohore, moderne. Shqipëria me pushtetet e para 23 qershorit 2013 ka mbetur një lloj parashteti me pseudodemokraci të potershme, e karakterizuar prej autoritarizmit të mbuluar me frazeologji liberale! Këtë që po them e dëshmojnë të paligjshmet, korrupsionet, krimet, gënjeshtrat, mashtrimet, nepotizmat, klientelizmat, që po konstatohen në të gjithë sektorët e parashtetit, ndaj të cilave qeveria e re është e detyruar të veprojë duke marrë masa ligjore.
Korrupsioni në të cilin janë përfshirë institucione, organe e zyrtarë nga më të vegjlit e deri te më të mëdhenjtë, këshilltarë e rojtarë të tyre;
Gjyqësori i korruptuar prej shkallës më të ulët deri te shkalla më e lartë që, siç jemi bindur sa e sa herë, krimin dhe kriminelët kur e kur i amnistonte pa brejtje të ndërgjegjes;
Policia me kreun e çorganizuar dhe të korruptuar, që përskaj të bërave të palejueshme, të dënueshme, përskaj krimeve, përskaj kriminelëve në institucione, në familje, në rrugë, në biznes, në tregti, në kulturë shpesh, padurueshëm shpesh, kalonte symbyllur;
Shpërfillja, cenimi, zhvlerësimi, pengimi i institucioneve të pavarura –të Presidencës, të Kryeprokurorit, të Gjyqësorit nga ana e kryeministrit;
Cenimi, frikësimi dhe korruptimi i medieve që provojnë të vënë në dukje sjelljet, veprimet dhe të paligjshmet e qeverisë;
Lulëzimi i lojërave të fatit, që lulëzojnë paligjshëm para syve të të lulëzuarve në pushtet, shpesh të lidhura me njerëz të pushtetit, që mashtrojnë të tjerët, që plaçkitin mendjelehtët dhe të varfrit, që krijojnë përfytyrim të keq për Shqipërinë si për një kazino të madhe në të cilin lejohen lehtë ndotësi të ndryshme;
Shpërfytyrimi i identitetit historik dhe kulturor kombëtar qoftë duke mos ndalur shkatërrimin e vlerave kulturore historike – të kështjellave të të gjithë shekujve, të mureve rrethuese të tyre, të urave, të ndërtesave, të shtëpive të figurave historike, kulturore, shkencore, arsimore kombëtare, të muzeve të qyteteve me vlera të rëndësishme në to, të busteve, shtatoreve, përmendoreve të figurave historike e kulturore, qoftë duke amnistuar, duke përmendorizuar dhe glorifikuar tradhtarë e zyrtarë të pushtetit fashist;
Krimet patologjike në familje – vrasjet e grave prej burrave të tyre, vrasjet e bijave prej baballarëve a vëllezërve të tyre, vrasjet e kunatave prej kunetërve të tyre, vrasjet e baballarëve prej bijve a bijave të tyre – vrasje të gjithfarëllojshme me motive të gjithfarëllojshme thuajse nuk ka kurrfarë pushteti shtetëror dhe kurrfarë pushteti zakonor në jetën shqiptare;
Fatkeqësitë në rrugë që më së shpeshti i shkaktojnë vozitës pa leje, vozitës të alkoolizuar, njerëz të çekuilibruar, rrugaçë të papërmirësuar thuajse nuk ka polici dhe thuajse nuk ka ligj që duke ndëshkuar si duhet shkaktarët e tyre parandalon fatkeqësi të tjera;
Droga e rritur në lazaratet e Shqipërisë dhe e eksportuar në Evropë me të cilën helmohet Evropa dhe me të cilën krijohet pamje edhe më e keqe për Shqipërinë se me shumësinë abnormale të kazinove;
Politika e jashtme në të cilën janë të përmbajtura kur e kur servilizëm qesharak e kur e kur nacionalizëm primitiv;
E të tjera. E të tjera.
E tillë ishte Shqipëria e qeverisë së para 23 qershorit që me gënjeshtra, me mashtrime, me statistika të trilluara nga mendje qeveritare të korruptuara materialisht dhe moralisht donte t’i krijonte popullit iluzionin se i janë çelur dyert e jetës në parajsën e demokracisë që po ndërtonte ajo!
E tillë ishte Shqipëria – cënuese, shtypëse, shfrytëzuese, dëshpëruese, madje edhe frikësuese për shqiptarët që e duan duke mos u pajtuar me zhvatësit e pasurive të saj. Për shqiptarët që kanë bërë ç’kanë ditur e mundur të bëjnë për të, për shqiptarët që mendojnë për ardhmërinë e saj, për dinjitetin politik, shtetëror e kombëtar të saj.
E tillë ishte Shqipëria e artizanëve të gënjeshtrave në disa gazeta banale dhe në disa televizione të frikësuara a të blera prej qeverisë siç ishin TVSH- ja dhe Klani, që prej mëngjesit të sotëm e deri në mëngjesin e nesërm, si në kohën e komunizmit, këndonin këngë për qeverinë dhe për shërbëtorët e saj në shkencë, në letërsi, në arte, në kulturë!
Siç po shihet prej veprimtarisë së saj politike dhe shtetërore, Qeveria e dalë prej zgjedhjeve të 23 qershorit është plotësisht e vetëdijshme për këtë gjendje të rëndë, ndoshta është më e saktë të thuhet, politikisht dhe institucionalisht të mjerueshme të shoqërisë shqiptare. Për këtë arsye shumë vendosmërisht u është kushtuar përpjekjeve për reforma në disa fusha të organizimit shtetëror; për ta bërë Shqipërinë shtet të së drejtës.
Nuk ka aspak dyshim se do t‘i duhet shumë kohë dhe, si po shihet, do të hasë në shumë pengesa e kundërshtime të egra në këto përpjekje për shërimin shtetëror të parashtetit.
Ç’më mbetet mua të them tjetër si vështrues kritik i politikave shqiptare? Më mbetet që kryeministrit dhe ministrave të qeverisë së sotme shqiptare t’u uroj vendosmëri dhe qëndrueshmëri në këtë përpjekje atdhetare për normalizimin dhe modernizimin e Shqipërisë, që po ndikon frytshëm edhe në Kosovë dhe t’i lutem Zotit që t’i ruajë prej gënjeshtrave, ulurimave dhe prej urrejtjes së atyre të cilëve këto përpjekjeve historike ua cenojnë qoftë interesat, qoftë iluzionin e prestigjit të tyre dëmtues, pa dyshim.
Sa reale i gjykoni konkurset për emërime në administratë? Dhe, emërimet në disa prej posteve kyçe që kanë në varësi tatimet dhe policinë?
Konkurset janë një institucion shumë i rëndësishëm për përzgjedhjen përkatëse të njerëzve në administratë dhe kudo tjetër në shtet. Ndoshta edhe të caktuarit në postet kyçe në tatimet dhe në policinë do të mund të zgjidheshin me konkurs. Konkurset në Kosovë përdoren qe shumë vjet, mjerisht tani në demokracinë tonë fillestare më rrallë se përpara në komunizmin jodemokratik.
Si e shihni ju vendimin për prishjen e ndërtimeve pa leje në Vlorë?
Ndërtimet pa leje nuk ka sesi të quhen ndryshe përpos ndërtime të paligjshme. E për çdo të paligjshme duhet të ketë masë të ligjshme.
Pse sipas jush nuk po shtrihet kjo nismë në të gjithë bregdetin nga Saranda e në Shkodër pa lënë në harresë Durrësin që është kthyer në moçal për shkak edhe të derdhjes në det të ujërave të zeza?
Unë nuk mund ta di a do të shtrihet a nuk do të shtrihet kjo nismë në gjithë bregdetin sado më duket e arsyeshme të shtrihet në gjithë bregdetin ku ka ndërtime pa leje, kundërligjore. E besoj se për prishjen a mosprishjen e ndërtimeve pa leje merret parasysh vendi ku janë bërë ato ndërtime dhe a cenojnë a jo interesin e përgjithshëm.
A e shihni Berishën të tërhequr nga politika apo edhe ju e shihni dorën e tij në shumëçka që po ndodh sot në Partinë Demokratike?
Kur ka dhënë dorëheqje në detyrën e kryetarit 22 vjeçar të Partisë së tij private Demokratike, kam menduar se nuk do të kem nevojë më të merrem me të. Po shoh se jam mashtruar. Ai po vazhdon ende të flasë e të sillet si të ishte ende kryeministër! Patologji despotike! Në sjelljet dhe në veprimet e kryetarit të tanishëm të Partisë Demokratike, fatkeqësisht, po shihet plotësisht qartë dora e kryetarit të përparshëm. Në këtë mënyrë po vazhdohet politika e konfliktit e Partisë Demokratike dhe në këtë mënyrë po cenohet identiteti politik edhe ashtu kurrëfare i kryetarit të tanishëm.
A ka pasur në dijeninë tuaj një Katovicë shqiptare dhe cilët janë emrat e njohur sot që kanë qenë pjesë e saj?
-Në këtë pyetje që ma bëni mua është përgjigjur njëri prej analistëve më të mirë, më të sigurt të bashkëkohësisë politike në Shqipëri, Bedri Islami. Le ta lexojnë ata që u intereson përgjigjja në pyetjen që më bëni mua.
Video – skandali i transmetuar në ”Fiks Fare” sa i takon Gjykatës së Pukës, duket se po jep efektin e duhur nëse kemi parasysh arrestimet e bëra. Por, çfarë do të thonë ngjarje të tilla për sistemin e drejtësisë në Shqipëri? Kush duhet t’i kryejë këto hetime dhe pse janë kaq periferike?
Korrupsioni në gjykatën e Pukës tregon qartë se deri në ç’shkallë ka katandisur Gjyqësori dhe në përgjithësi drejtësia shqiptare. Për përdorimin politik partiak të Gjyqësorit prej qeverisë, për sjellje aq shpesh të pa kurrfarë ndërgjegje juridike dhe morale të këtij gjyqësori, prej vendimeve haptas të padrejta të disa gjykatave ka mundur të supozohet se deri në ç’shkallë ka katandisur ky gjyqësor. Institucioni i quajtur Fiks fare i Televizionit Top Chanel me çmaskimin e sjelljeve kundërligjore të Gjykatës së Pukës i ka bërë edhe një prej shërbimeve të tij të shumta, vendimtare, politike e atdhetare Shqipërisë. Dhe, Kosovës, them. Është detyrë e Kuvendit të Shqipërisë të cilin Ilir Meta me maturinë e tij, me racionalizmin e tij, me qëndrueshmërinë e tij po e nxjerr prej teatrit tragjikomik në të cilin e mbante kryetarja e para 23 qershorit, pra, është detyrë e Kuvendit të Shqipërisë dhe e Qeverisë së Shqipërisë që të merren vesh e të vendosin si, me anën e cilit institucion ekzistues a tani të krijuar, qoftë si këshill, qoftë si komision a si do ta quajnë ndryshe, të merren me punët reformuese në sistemin e drejtësisë në Shqipëri.
Kush mund të quhet fajtor për këtë, si e quajtët ju, katandisje të sistemit të drejtësisë në Shqipëri?
Fajtor është Kuvendi i Shqipërisë, që nuk kryente detyrat që ishte i obliguar me Kushtetutë dhe me besimin që ia kishte dhënë populli për t’i kryer. Në mënyrë të veçantë fajtore është ish Qeveria e Shqipërisë e cila mitoste në gjyqësor ata që mund të mitoseshin, frikësonte ata që mund të frikësoheshin dhe i largonte prej detyrave ata që nuk i përuleshin, siç ishin kryeprokurorja Ina Rama, paraardhësi i saj dhe një varg gjyqtarësh emrat e të cilëve nuk po më kujtohen.
Fajtore për këtë katandisje të gjyqësorit janë edhe mediet që qeveria, po ashtu, i korruptonte ato që mund të korruptoheshin dhe i frikësonte ato që mund të frikësoheshin.
Fajtorë në një mënyrë mund të konsiderohen edhe intelektualët shqiptarë që heshtnin, në mënyrë të veçantë intelektualët e njohur në radhët e Partisë Demokratike, disa prej të cilëve janë emra të shquar në krijimtarinë shkencore a letrare shqiptare që kryeministri i kishte korruptuar me pozita e me leverdi të ndryshme.
Arben Imami është i pari ish-ministër që pritet të dalë para drejtësisë, pas premtimit të Ramës se do të kapen peshq të mëdhenj dhe të vegjël. Si e shihni këtë luftë ndaj korrupsionit?
Lufta ndaj korrupsionit është një ndërmarrje politike dhe juridike tepër e rëndësishme për shtetin shqiptar, për popullin shqiptar dhe për demokracinë shqiptare. Suksesi në këtë luftë kundër korrupsionit e krimit të organizuar në Shqipëri (dhe në Kosovë) është kusht i parë për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat për Bashkimin Evropian. A do ta çojë Qeveria e sotme shqiptare deri në fund këtë luftë kundër korrupsionit mbetet të shihet. Mendja ime e thotë se kjo luftë kundër korrupsionit nuk do të jetë e suksesshme në qoftë se nuk nxirren para drejtësisë edhe të ashtuquajturit peshq të mëdhenj – ata që e kishin korruptuar e frikësuar gjyqësorin, ata që largonin prokurorët dhe gjykatësit e pavarur, ata që bënin çmos që të mos merreshin në përgjegjësi juridike fajtorët kryesorë të tragjedisë së Gërdecit dhe të vrasjes së katër demonstruesve më 21 janar dhe të një vargu vrasjesh të tjera, dorasit e të cilave kanë mbetur të pazbuluar deri sot.
Mendja ime e thotë se kjo luftë kundër korrupsionit, që po e bën Edi Rama me Qeverinë e tij, nuk do të jetë plotësisht e suksesshme, nuk do të jetë e çuar deri në fund, nuk do të bëhet premtuese për komprometimin moral dhe juridik të të ashtuquajturës kulturë e pandëshkueshmërisë, nuk do të bëhet përbërës i kulturës politike shqiptare në qoftë se Drejtësia shqiptare, nuk do ta bëjë atë që do të bëhej në të gjitha demokracitë moderne: në qoftë se nuk ballafaqohet me drejtësinë, domethënë në qoftë se nuk nxirret në gjyq, protagonisti kryesor, autokrati i pseudodemokracisë së potershme në Shqipëri, shkelësi i Kushtetutës e i ligjeve, cenuesi i pavarësisë së institucioneve të pavarura, mbuluesi pushtetor i sa e sa ndodhive korruptive e ky është kryeministri i qeverisë së ndëshkuar politikisht prej popullit në zgjedhjet e 23 qershorit.
Ka pasur raste që akuzat janë hedhur poshtë dhe zyrtarët janë lënë të lirë, duke u kthyer kështu më shumë në shfaqje mediatike se sa në hetime të mirëfillta të paktën sipas perceptimit të opinionit publik. A besoni se do i shkohet deri në fund apo çdo gjë do të mbetet në kuadër akuzash, pa i dhënë zyrtarëve dënimin që mund të meritojnë?
Nuk mund të kem mendim të prerë në këtë pyetje tuajën. Jam i vetëdijshëm se, siç e thashë, lufta që po bën Qeveria e sotme, në krye me Edi Ramën, nuk është e lehtë dhe nuk është e pa rreziqe në të cilat janë të përmbajtura vrazhdësi, rrena e dinakëri të pa skrupuj dhe gatishmëri për hakmarrje primitive. Mund të besohet se suksesi në këtë luftë kundër korrupsionit, në kushtet e Shqipërisë e të Kosovës, në masë të madhe do të varet prej përkrahjes që sot po i jepet prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian.
E di se fajtori kryesor për shumë, shumë nga të këqijat, më të mëdha e më të vogla, që kanë ndodhur në Shqipëri gjatë 23 viteve të demokracisë rurale me argatin e tij do të bëjë çmos, bash çmos, çka mund të lejohet e çka nuk mund të lejohet, për të penguar këtë luftë kundër korrupsionit, për t’iu shmangur drejtësisë.
Gjuha agresive, aq shpesh e tollovitur e Partisë së tij, gënjeshtrat e kërcënimet që po shqipton lakej i tij tani në krye të kësaj partie, fjalia e tij kërcënuese se Qeveria e Edi Ramës po luan me zjarrin, populizmi i tij sa i programuar në kuzhinën e paraardhësit, sa prodhim instinktesh – të gjitha këto u çojnë porosi Edi Ramës dhe Ilir Metës se në Shqipëri mund të ndodhë ajo që ish kryeministri italian, Silvio Berluskoni, ia paratha Italisë në qoftë se e çon në burg: do të ketë revolucion!
Në Itali kjo fjali e karagjozit Silvio Berluskoni do të mbetet një komedi karakteristike për stilin e tij politik, por në Shqipëri ajo nuk është e liruar prej ngjyresash tragjike zakonore!
(Vijon nesër)
Shënim: Titujt janë të redaksisë. Titulli në origjinal: PUSHTET PA TURP

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Nga: Fatmira Nikolli

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu