Rexhep Qosja: Tropoja më bllokon titullin? I detyroi stalinisti i fundit

0
672

Pak ditë pasi “GSH” publikoi lajmin se Tropoja i ka bllokuar titullin “Qytetar Nderi”, ka reaguar profesor Rexhep Qosja. Akademiku i njohur ia ‘faturon’ këtë ngjarje kryeministrit Sali Berisha. “E kuptoj dhe e ankoj”, – thotë ai për kryekomunarin e Tropojës, duke vijuar se “është detyruar prej stalinistit të fundit europian ende në pushtet të bëjë çka në të vërtetë s’ka dëshiruar të bëjë!” Akademiku, teksa falënderon nismëtarët e vlerësimit të tij, shprehet i bindur se një ditë do t’i kërkojnë falje për anulimin e vendimit të marrë në muajin nëntor. Nga ana tjetër, profesori i përgjigjet kryeministrit shqiptar, që para dy muajsh e akuzoi se nuk kishte hapur shtëpinë në Vuthaj për shqiptarët e Kosovës gjatë luftës. Qosja, nuk lë jashtë vëmendjes as komentet e bëra në adresë të tij e të kryebashkiakut Shpëtim Gjika, për titullin “Qytetar Nderi” i Vlorës, duke deklaruar se do të ishte i lumtur nëse vlerësimi do t’i ishte bërë për kritikat ndaj shefit të qeverisë shqiptare, pasi ai gjithmonë e ka konsideruar fatkeqësi ngritjen e Berishës në politikë.
Në intervistën e dhënë për “Gazeta Shqiptare”, Rexhep Qosja ndan me ne mendimin e tij, mbi çështje të ndryshme të aktualitetit, që nga ngrirja e vendimi që Akademia e Shkencave mori për Kosta Bajrabën, e deri tek deklaratat e fundme të “Agimit të Artë” ndaj shqiptarëve.
Profesor, si e pritët anulimin e vendimit, me të cilin këshilltarët e komunës Tropojë ju shpallën Qytetar nderi i Tropojës, nga ana e kryetarit të kësaj komune? A ka të bëjë kjo me shkrimet tuaja për kryeministrin e Shqipërisë?
I falenderoj këshilltarët e Komunës Tropojë për vendimin e tyre me të cilin më kanë shpallur qytetar nderi i Tropojës. Kryetarit që ka anuluar vendimin e këshilltarëve, me përshëndetjen ia shpreh edhe bindjen time të sigurt se njëri nga kryetarët e ardhshëm me rastin e rishpalljes sime qytetar nderi i Tropojës do t’i kërkojë falje Rexhep Qosjes për sjelljen ndaj tij të kryetarit të sotëm të Tropojës. E kuptoj dhe e ankoj: është detyruar prej stalinistit të fundit europian ende në pushtet të bëjë çka në të vërtetë s’ka dë-shiruar të bëjë!
Qytetar Nderi i Vlorës
Vlerësimi me titullin Qytetar Nderi i Vlorës, që Ju dha nga kryebashkiaku, Shpë-tim Gjika, shkaktoi reagime në kampin e djathtë në Shqipëri, zëra brenda të cilit nuk ngurruan ta komentojnë këtë vlerësim që Ju bë, me faktin se socialisti Gjika ju vlerësoi si një anti-Berishë më shumë sesa për kontributin që ju i keni dhënë Vlorës. Keni një koment?
Të jesh Qytetar Nderi i qytetit në të cilin është shpallur pavarësia e Shqipërisë etnike, që do të përbëhej prej të gjitha tokave shqiptare, është nder i madh, është ngjarje jete për çdo krijues shqiptar. Dhe, për çdo shqiptar. I kuptoj reagimet e disa vetjeve ndaj këtij nderimi që më është bërë: ata mendojnë se vetëm ata me kryetaren e tyre të Kuvendit të Shqipërisë, me kryetarin e tyre të Shqipërisë dhe me kryeministrin e tyre të Shqipërisë, që në të vërtetë është kryetar i të gjithë kryetarëve të Shqipërisë, meritojnë të nderojnë vetëm ata që duan ata me rastin e 100 – vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Dhe, ç’është e vërteta, nderuan shumë kë: shumë kë që meritonte dhe shumë kë që nuk meritonte të nderohej me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. E kuptoj edhe rrenën në asnjë rast të fundit, të kryeministrit, që tha për mua në takimin me gazetarët. E ai, tha, se unë nuk paskam lejuar që në shtëpinë time në Vuthaj të vendosej ndonjë familje e Dukagjinit, që gjatë luftës në Kosovë u shpërngulën në Plavë e në Guci. E vërteta është: në shtëpinë time në Vuthaj në atë kohë ishte vendosur Cen Krasniqi nga Lugu i Baranit me familjen e tij: me gruan, me të bijën dhe me dy djemtë. Gënjeshtari i lindur gënjeshtar, Sali Berisha, mund të informohej për këtë të vërtetë, por jo: ai donte të rrente. Por krijimtaria ime intelektuale dhe veprimtaria ime politike e duron lehtë, jo vetëm këtë rrenë të Sali Berishës.
Ata që kanë reaguar siç thatë ju se kanë reaguar ndaj shpalljes së Rexhep Qosjes Qytetar Nderi i Vlorës sigurisht nuk duan të kuptojnë pse jipet ai: titulli qytetar Nderi i Vlorës nuk u jepet vetëm atyre që kanë bërë më së shumti për Vlorën, po, në radhë të parë, atyre që kanë bërë më së shumti për Shqipërinë, dhe u jepet atyre që kanë bërë më së shumti për Shqipërinë sepse duke bërë çka kanë bërë për Shqipërinë ata kanë bërë edhe për Vlorën njëkohësisht. Dhe, kanë bërë edhe për Vlorën njëkohësisht sepse Vlora është Shqipëria: zemra dhe mendja e Shqipërisë. E ç’kam bërë unë për Shqipërinë, prandaj edhe për Vlorën, nuk mund ta caktojë Sali Berisha me nënbishtërinjtë e tij: e cakton Vepra ime albanologjike – historiko-letrare dhe historiko-politike, vepra ime publicistike dhe vepra ime letrare. Le ta lexojnë! Apo së paku le ta shikojnë!
Shpëtim Gjika
Sa i përket vërejtjes që i bëhet kryebashkiakut të Vlorës, Shpëtim Gjikës, se më ka dhënë titullin Qytetar Nderi i Vlorës si një intelektuali anti-Berishë, unë vetë do të doja që kjo të ishte e vërtetë. Në arsyetimin pse më jepet ai titull unë do të doja shumë të ishte theksuar se më jepet edhe për kundërshtimin tim ndaj politikës së Sali Berishës: ndaj politikës së tij gjithnjë të konfliktshme, domethënë përçarëse në Shqipëri; ndaj politikës së tij autonomiste, me të cilën kundërshtohej pavarësia e Kosovës deri në çlirimin e Kosovës; ndaj politikës së tij të furnizimit të Serbisë me naftë edhe në kohën kur OKB i kishte vënë embargo Serbisë; ndaj politikës së tij cenuese, nënçmuese të studimeve shqiptare dhe të kulturës shqiptare jo vetëm me mjetet mjerueshëm të pakta financiare për të, por edhe me disa nga kuadrot që vendosin për qeverisjen e tyre; ndaj politikës së tij të mbështetur gjithnjë në shpifje, në gënjeshtra e në mashtrime me të cilat ai fyen mendjen dhe nderin e qytetarëve të Shqipërisë; ndaj politikës së tij despotike orientale që ka bërë të mundshëm një lulëzim të jashtëzakonshëm të korrupsionit në Shqipëri dhe një përdallim të tmerrshëm mes të pasurve politikë dhe të varfërve të sotëm në Shqipëri; ndaj politikës së tij, me të cilën po i sillen aq shpërfytyrime dhe aq ndotje përtashësisë dhe historisë shqiptare. Do ta kisha për nder po të më ishte dhënë titulli Qytetar Nderi i Vlorës, si anti-Berishë sepse, ngritjen e Sali Berishës në politikën shqiptare e konsideroj fatkeqësi për Shqipërinë, kurse largimin e tij prej politikës shqiptare e kam konsideruar dhe e konsideroj interes kombëtar shqiptar.
Agimi i Artë – Agim i Errët
Ka pasur një shkëmbim deklaratash të ashpra nacionaliste mes Aleancës Kuqezi dhe Agimit të Artë në Greqi. Pavarësisht patriotizmit që karakterizoi kryeministrin në fundvitin që lamë pas, ai nuk është ndjerë, ndonëse deklaratat e Agimit të Artë e shpallin grek Skënderbeun dhe Vorio – Epirin…
Shkrimet dhe deklaratat e përfaqësuesve të partisë greke e quajtur Agimi i Artë përmbanin një nacionalizëm primitiv! Ato ishin njëkohësisht edhe fyese ndaj shqiptarëve si komb. Deklarata kryesore shumë e nevojshme me të cilën Aleanca Kuqezi u përgjigj ndaj shovinizmit kundërshqiptar të një partie parlamentare greke, që e paraqiti Lisen Bashkurti, nuk më bëri përshtypjen e deklaratës nacionaliste: ajo ishte një deklaratë politike atdhetare me të cilën mbrohej kombi shqiptar prej atij nacionalizmi primitiv të asaj partie neonaziste greke. Por disa prej argumenteve në të cilat mbështetej kjo deklaratë e Aleancës Kuqezi nuk mu dukën bash përkatëse sepse mu dukën romantike, kur e kur të paqëndruara. Mendoj se ne nuk kemi farë dobie prej paraqitjeve me pohimin se jemi populli më i lashtë në Evropë, më i lashtë se, ta themi, grekët. Grekët janë popull i lashtë sa edhe shqiptarët: paraardhësit e tyre – të shqiptarëve dhe të grekëve, janë popuj të njëkohshëm, kurse historia e lashtë antike e grekëve është shumë më e njohur se e ne shqiptarëve.
Ne nuk kemi farë dobie prej paraqitjeve me pohimin se jemi populli më i kulturuar në Ballkan. Edhe grekët janë popull me kulturë, me kulturë të lashtë, madje me kulturë të lashtë më të pasur se e jona dhe me kulturë bashkëkohore të pasur.
Ne nuk kemi farë dobie prej paraqitjeve me pohimin se jemi më evropianë se grekët jo vetëm se grekët qe shumë vjet janë në BE por edhe sepse, pos me retorikë, nuk mund të jemi më evropianë se grekët.
Agimin e Artë do të duhej fundosur politikisht duke fundosur ideologjinë dhe politikën e tij neonaziste. Agimin e Artë, në përgjigjen e Aleancës Kuqezi, do të duhej fundosur duke fundosur ideologjinë e tij fundamentaliste neonaziste, e cila dikur i ka sjellë Evropës dhe Botës tragjedi shumë të madhe. Atë do të duhej quajtur jo Agimi i Artë po Agimi i Errët. Kjo parti është një devijim patologjik politik dhe ideologjik në njëmendësinë e sotme greke.
Heshtjen e kryeministrit, i cili me kiçin e tij politik atdhetar e dalldisi infrastrukturën e tij politike në fundvitin e kaluar dhe në fillimvitin e filluar do kuptuar. Para Greqisë dhe para Italisë ai në vazhdimësi bëhet pulë! Pse jo? Atje, në Greqi dhe në Itali ai don që të jenë të gjithë shqiptarët të cilëve atdheu i tyre, Shqipëria, të cilën po e sundon Sali Berisha, nuk u jep punë dhe nuk u jep bukë! Duhet t’i lutemi Zotit të Madh e të Plotfuqishëm që Greqisë ai të mos i falë edhe toka shqiptare siç i fali det shqiptar! E ai u jep lehtë dhurata të shtrenjta të gjithë atyre që e ndihmojnë sidoqoftë e me çkadoqoftë që të mbetet sa më gjatë në pushtet në Shqipëri!
Akademiku i akuzuar
Ditë më parë, Akademia e Shkencave e Shqipërisë vendosi t’i ngrijë titujt e një anëtari të saj, Kosta Bajraba, i cili u ndalua në SHBA për vjedhje. Ju, si akademik, si e komentoni këtë vendim nëse kemi parasysh se titujt akademikë jepen për shkencë e jo për moral?
Vendimi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë për t’ia ngrirë titujt anëtarit të saj, Kosta Bajraba, për shkak se u ndalua për vjedhje ende të padëshmuara në SHBA, më duket i shpejtuar. Ndoshta është dashur të pritet sqarimi i atij rasti: sqarimi a ka ndodhur dhe nëse ka ndodhur si ka ndodhur ajo vjedhje për të cilën institucioni anëtar i të cilit është ai po e ndëshkon aq rëndë. Mund të jetë që Kosta Bajraba është bërë viktimë e intrigave të grupeve tona të partishme që mbërrijnë edhe në Kaliforni!
Në Akademitë e Shkencave, në të vërtetë në Akademitë e Shkencave e të Arteve krijues të ndryshëm pranohen për shkencë dhe për arte. Ata, siç e theksoni edhe ju, pranohen, pra, për krijimtari shpirtërore e jo për moral. Por, edhe morali mund të bëhet arsyeja që një akademik të përjashtohet prej Akademisë. Raste të këtilla kanë ndodhur në botë dhe raste të këtilla e di se kanë ndodhur edhe në ish Jugosllavinë. E di se në Jugosllavi ka pasur akademik që është përjashtuar prej Akademisë së Shkencave e të Arteve anëtar i së cilës ishte për arsye politike: për arsye se ishte ngritur kundër politikës së brendshme e të jashtme të shtetit. E di se në Jugosllavi një akademike është përjashtuar prej Akademisë së Shkencave e të Arteve për arsye se është akuzuar për plagjiat dhe komisioni i caktuar për të hetuar çështjen e plagjiaturës së saj e kishte pohuar akuzën. Dhe, ajo ishte përjashtuar prej Akademisë . Dhe, prej Fakultetit ku punonte.
Në statutin e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, dikur , në kohën e komunizmit, shkruante se zgjedhja anëtar i Akademisë është e përjetshme, përpos nëse akademiku bën dy veprime të palejueshme, domethënë të ndëshkueshme: e para, në qoftë se çohet kundër shtetit, domethënë kundër Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë dhe, e dyta, në qoftë se bën plagjiat.
Në shtetet demokratike asnjë akademik nuk mund të përjashtohet prej Akademisë pse flet e shkruan kundër shtetit të vet. Por, në shtetet demokratike akademiku mund të përjashtohet prej Akademisë për plagjiaturë.
Siç dihet, dy-tre viteve të fundit prej akademive a fakulteteve evropiane u përjashtuan dhe doktoratat iu morën për shkak të plagjiaturës kryetarëve të Hungarisë e të Rumanisë dhe një ministri gjerman. Ç’është e vërteta, plagjiatura është një vjedhje, domethënë një shkelje e parimeve morale, që në këtë rast përcaktojnë portretin moral të çdo autori të krijimtarisë shpirtërore. Por, shkelja e parimeve morale duke bërë plagjiaturë nuk është e barabartë me shkeljen e parimeve morale duke vjedhur në një shitore, në një shtëpi mallrash, në një bankë a në një fermë. Me vjedhjen e quajtur plagjiaturë cenohet rëndë, komprometohet rëndë vepra shkencore a letrare në sajë të të cilave plagjiaturisti është zgjedhur anëtar i Akademisë, kurse me vjedhje të gjërave materiale në shitore, në vetëshërbim, në bankë a në fermë kjo nuk ndodhë. Duke vjedhur, në shitore, në vetëshërbim, në bankë a në fermë komprometohet morali shoqëror i akademikut vjedhës, por jo identiteti i tij krijues, por jo vlera e veprave të tij. Të isha anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe të merrja pjesë në mbledhjen ku do të vendosej për titujt e tij unë nuk do të votoja për ngrirjen e titujve të Kosta Bajrabës. Sa akademiku është i pamoral ekonomik, finansiar, politik, shoqëror, por askujt nuk i shkon mendja t’i përjashtojë prej Akademisë. Disa prej tyre vjedhin me të madhe, por vjedhin në mënyra të sofistikuara, vjedhin “ligjshëm”, korruptueshëm, në administratën e Akademisë në të cilën janë, në fakultetet në të cilat japin mësim, në pozitat politike e shtetërore që kanë. Dëmi që këta hajna shumë “të autoritetshëm” i bëjnë shtetit dhe popullit të vet është shumëfish më i madh se dëmi që mund t’i ketë bërë Kosta Bajraba, i akuzuar, ende nuk e dimë pse: pse ka bërë deliktin apo pse deliktin ia kanë trilluar!

*Titujt, nëntitujt dhe detajet janë të redaksisë.
(Vijon nesër)

 

Nga Fatmira Nikolli

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu