Rexhep Selimi: Hashim Thaçi nga ushtari i atdheut është kthyer në një ushtar servil

0
579

R Selimi

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, në një intervistë për gazetën tiranase Tema, ka hedhur akuza të ashpra ndaj Hashim Thaçit.

“Sot me Thaçin jemi oponentë politikë me bindje të ndryshme politike e konceptuale, siç kemi qenë pothuajse prej shumë kohësh. Unë nuk mund të kem raporte të afërta qoftë edhe me një ‘shok lufte’ pikërisht kur një shok lufte shkel mbi luftën që kemi bërë dikur, kur nga një luftëtar kundër armikut kthehet në luftëtar kundër luftës së vet”, ka thënë Selimi për gazetën Tema.

“Unë nuk mund të kem raporte e afërsi me një ‘shok lufte’ ku nga një ushtar i atdheut kthehet në një ushtar servil i marrëveshjeve kundër interesave të atdheut”.

“Ju kujtoj se ai nënshkroi marrëveshjet më të dëmshme të mundshme me Serbinë. Marrëveshjet e tilla e kanë larguar Kosovën nga Shqipëria dhe e kanë afruar Kosovën më afër Serbisë, për të mos thënë e kanë kthyer Kosovën në një shtet satelit të Serbisë”, tha ai.

“Sot ai ‘shok lufte’ ka hequr dorë nga flamuri me të cilin luftoi UÇK, ka hequr dorë nga bashkimi kombëtar për të cilin luftuan dhe ranë dëshmorët, ka hequr dorë nga betimi i ushtarit të UÇK-së, ka hequr dorë nga gjithçka për të cilën luftoi UÇK-ja”.

“Ne dikur ndoshta edhe ishim bashkë shokë të një ideali, por sot ai është larg atij ideali. Sot, unë, në mes një shoku lufte pa ideal dhe një ideali pa një shok lufte, e kam zgjedhur të dytin”.

“Kjo që thash nuk vlen vetëm për Thaçin, por për të gjithë ata që dikur ishim bashkë në luftë e tash janë kthyer në shërbyes servilë kundër interesave kombëtare”, ka thënë Selimi.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu