Rezoluta çame, shanset dhe vazhdimi

0
742

Çamët janë ndër komunitetet më të pasura në vend. Për më tepër të vendosur në qytetet më të begata të Shqipërisë, siç janë Tirana, Durrësi,
Fieri, Vlora dhe Saranda. Është edhe një parti, e quajtur PDIU, e cila pretendon se i përfaqëson. Themi “pretendon”, pasi vështirë se një komunitet i cili ka mëse 60 vjet që integrohet me një popull me të cilin ka të njëjtën gjuhë e konstituim shpirtëror, të mund të ruajë integritetin e tij. Dhe aq më shumë të votojë në bllok. Pasi nuk ndodh kështu me komunitetin grek, i cili, megjithëse qartësisht më i definuar se çamët në realitetin shqiptar, prapë nuk është monolit në preferencat politike.
Me prona, biznese dhe shpirt sipërmarrjeje, çamët janë më të pavarur se shumë shtetas të republikës sonë, nga ndërrimet e administratës. Nisur nga kjo premisë, partia që i përfaqësonte, duhej të ishte qartazi më idealiste, parimore dhe qibare, në preferencat e saj për koalicionet qeverisëse. Por nuk ndodh kështu. Kërkon drejtori si ajo e patentave, e cila nuk ka lidhje asfare me aspiratat e këtij komuniteti; rri në koalicion qeverisës të dënuar me vendim të Gjykatës Kushtetuese për dorëzim të sovranitetit shtetëror siç qe rasti i kufirit detar; ulet në një tavolinë me Spiro Kserën, ministrin minoritar që i hahet muhabeti me fashistët e “Agimit të Artë”. Pa përmendur banalitetet e Muhedin Tahirit, i cili kërkon heqjen e emrit, sheshit “Avni Rustemi”.
Por ditët e fundit, PDIU ka paraqitur një rezolutë për çështjen çame, dhe këtu hapet një lojë e re politike. Fillimisht duhet thënë se, të tilla rezoluta që prekin marrëdhëniet ndërkombëtare e aq më shumë ato me një fqinj të mirëintegruar në strukturat euroatlantike siç është ai grek, duhej të kishin nisur me parapërgatitjen për sqarim të qëllimit të kësaj rezolute. Nëse kërkohet realisht miratimi, dhe çfarë është më e rëndësishmja zbatimi i saj, duhej nisur nga puna përgatitore midis PDIU-së dhe Ministrisë së Jashtme shqiptare. Kjo e fundit në sinkron, duhej të inicionte fushatën për sqarimin e fqinjit grek, të cilit do t’i bëhej e qartë se iniciativa ndërmerret për nxjerrjen nga impasi të këtij problemi dypalësh, i cili vazhdimisht jep ngërçe. Ndërkohë, një grup pune i kësaj partie, duhej të ishte marrë me evidentimin e pasardhësve të shqiptarëve të përzënë nga tokat e tyre, si dhe me aspiratat që kanë. Pasardhësit e çamëve që u larguan, tashmë janë stabilizuar në Shqipëri dhe pak prej tyre kërkojnë kthimin. Po ashtu, t’i kërkosh shtetit grek që t’u paguajë pasardhësve të të dëbuarve pasurinë e lënë mbrapa, me shifra fantomike, është naivitet dhe mungesë serioziteti. Ndaj, ky grup pune duhej të përpunonte të dhënat, në mënyrë që të ndihmonte punën e ardhshme të administratës që bën politikën e jashtme shqiptare, dhe kur të vinte koha, të ishte serioze ndaj partnerëve tanë jugorë.
Pas miratimit të rezolutës, Ministria e Jashtme detyrimisht duhet të ngrejë grupin e punës, të përbërë nga diplomatë, ekonomistë, juristë të së drejtës ndërkombëtare dhe përfaqësues të komunitetit çam, i cili do përgatiste platformën zyrtare, të mbështetur mbi studimin paraprak të partisë së çamëve. Më pas do përcaktohej strategjia e bisedimeve, etapat, hapat ligjorë dhe diplomatikë, si dhe do përcaktoheshin procedurat që do t’i kërkoheshin palës tjetër, për zgjidhjen e problemit. Kjo është rruga që ndjek një parti, shtet dhe popull serioz, i cili aspiron qenien europian dhe integrimin në kontinentin ku shtrihet. Në të kundërt, politika shqiptare bën blofin e saj të radhës për efekt elektoral, ku si çdo aventurizëm politik, do t’i shkaktojë vendit kosto diplomatike dhe dëmtojë integrimin e tij. Sa i takon PDIU-së, do tregonte mungesë serioziteti, duke vërtetuar edhe një herë aksiomën se “nëse do ta varrosësh një kauzë, mbroje keq atë”. Fakti që nuk ka bërë asnjë punë përgatitore për të pasur shanse një vazhdim konkret i zbatimit të rezolutës, janë shenja të këqija.
Historikisht çështja çame, është nga më të ndërlikuarat e pas Luftës së Dytë Botërore. Miliona gjermanë dhe kombe aleate të tyre, u deportuan nga kombet fituese. Vetë Greqia, humbi mbi 400 mijë njerëz në luftën botërore dhe atë civile që pasoi. Komunistët kundër nacionalistëve, nacionalistët kundër mbretërorëve, myslimanët kundër ortodoksëve, maqedonasit dhe shqiptarët kundër grekëve, grekët kundër të gjithëve, ishin pamjet e kasaphanës që përgjaku Greqinë në mesin e shekullit të 20-të. Dëbimet dhe internimet, hakmarrja e ndërsjelltë, vrasjet pa gjyq dhe ato me gjyq, të bëra nga gjykata të sapodala nga lufta dhe vështirë të besueshme në drejtësinë e tyre, ishin panorama e mëvonshme e fqinjit tonë jugor. Në këtë kontekst u zhvillua edhe drama e shqiptarëve myslimanë të Çamërisë. Ka pasur në dëbimin e tyre nga tokat, mëri fetare, nacionale, historike dhe vullnet të grekëve për të dëbuar çamët. Kishte qëllim krijimin e homogjenitetit fetar të territorit për të realizuar më vonë, ashtu siç edhe rezultoi, asimilimin kombëtar. Fati dyfish i keq i çamëve ishte se përfaqësonin kombin shqiptar ku kishin fituar komunistët, aleatët dhe sponsorët e komunistëve grekë, që humbën duelin me nacionalistët dhe aleatin e tyre, Çurçillin. Nuk përjashtohet që reminishencat e urrejtjes të jenë ende thëngjij në politikën greke. Por është një problem që i duhet dhënë udhë. Zgjidhja, kërkon vullnet politik dypalësh, maturi në kërkesa, të cilat do t’i japin shtysë një procesi për rehabilitimin e kësaj plage. Ndërkohë, çamët duhet të jenë sa më të përgatitur në këtë ballafaqim, dhe pjesëmarrjen e tyre në qeveri apo mbështetjen për to, ta përcaktojnë nga zbatimi i rezolutës nga shteti shqiptar. Në të kundërt, do përfundojnë një fraksion klientelist banal, që përdor çështje kombëtare, si retorikë për të kamufluar interesat pasurore dhe të punësimit në administratë. Siç ndodh rëndom në realitetin politik shqiptar. E kjo është diçka për të cilën ky komunitet nuk ka nevojë.

 

Nga Dritan Hila

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu