Rezoluta për çështjen çame, nesër në Kuvend. Protesta, Tahiri: Kërkojmë shtëpitë e baballarëve tanë

0
707

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Klubi i Patriotëve të Rinj dhe Shoqata “Çamëria” zhvilluan sot një protestë përpara bllokut të ambasadave, drejtuar Ambasadës greke në Tiranë, në kuadër të 9 dhjetorit, Ditës Ndërkombëtare Kundër Gjenocidit.

Në këtë aktivitet, ku u brohoritën thirrje kombëtare dhe kërkesa për zgjidhjen e çështjes çame, u paralajmërua se nesër, dy deputetët e PDIU-së, z. Shpëtim Idrizi dhe z. Dashamir Tahiri do të dorëzojnë zyrtarisht në Kuvendin e Shqipërisë, Rezolutën për Zgjidhjen e Çështjes Çame. Fjalën kryesore në aktivitet e mbajti, z. Servet Mehmeti, ish kryetar i Shoqatës Çamëria dhe një aktivist i çështjes çame prej fillimit të demokracisë.

Servet Mehmeti: Çështja çame nuk do të vdesë asnjëherë.

“Jemi këtu për të përkujtuar ditën botërore të gjenocidit, fiksuar në 9 dhjetor në Paris. Ata që e shpallën atë ditë, donin t’i jepnin viktimave të përbotshme të këtij gjenocidi, kudo që ndodheshin, kudo ku ishin kryer krimet, një ditë kur të përkujtonin të gjithë këto viktima, një ditë kur të dënonin më me forcë këtë krim të shëmtuar. Mes nesh ka viktima të gjenocidit grek mbi Çamërinë. Grekët thonë se nuk u bë gjenocid mbi ne, por se ne ikëm vetë. Konventa Ndërkombëtare për gjenocidin e miratuar në 9 dhjetor 1948 ka dhënë disa përkufizime se ç’është gjenocid. Unë sot dua t’ju pyes juve, sipas këtyre përkufizimeve. A nuk pati mbi ne çamët, vrasje masive të anëtarëve të komunitetit tonë ? A nuk pati mbi ne imponim kushtesh jete, që kishin për qëllim asgjësimin tonë ? A nuk kishte mbi ne, shpërngulje të sforcuar të fëmijëve, grave dhe të moshuarve ? A nuk pati planifikim të gjithë krimeve, aksioneve kriminale mbi ne, duke filluar nga ato para Luftës së parë botërore, pas saj, në vitet 20, në fund të Luftës së dytë botërore ? A nuk ishte brenda këtij planifikimi qëllimi që të na shkulnin përjetësisht nga rrënjët, nga trojet tona etnike ? Por siç e tregon pjesëmarrja juaj, pjesëmarrja e të rinjve dhe të vjetërve, askush nuk i shkul çamët nga rrënjët. Siç e tregon këtu prania e përfaqësuesve të PDIU-së, kryetarit të saj zotit Shpëtim Idrizi dhe deputetit z. Dashamir Tahiri, çështja çame nuk do të vdesë asnjëherë. Sot, në emër të tij, dua t’ju bëj publike se nesër, deputetët tanë do të paraqesin në Parlament rezolutën për zgjidhjen e çështjes çame. Ajo nuk do të dënojë thjesht gjenocidin siç bëri Parlamenti në 1994-ën. “ – tha z. Mehmeti.

Dashamir Tahiri: Qeveria e atëhershme greke i dëboi dhe i vrau shqiptarët e Çamërisë

Pas tij foli, deputeti i PDIU-së, z. Dashamir Tahiri, i cili deklaroi se rezoluta për zgjidhjen e çështjes çame, që do të prezantohet nesër në mëngjes në Kuvend është një hap i drejtë, që kërkon zgjidhjen e një çështjeje të drejtë. ‘Ne nuk kërkojmë shtëpi në Athinë, ne kërkojmë shtëpitë e baballarëve tanë në Prevezë, aty ku i kanë pasur. Kjo është një çështje e drejtë. Askush nuk mund ta quajë ndryshe. Hebrenjtë u kthyen në trojet e tyre amtare pas dymijë vjetësh dhe ne do të kthehemi shumë shpejt. Qeveria e atëhershme kuinslinge greke i dëboi dhe i vrau shqiptarët e Çamërisë, duke shfarosur 20 për qind të popullsisë. Por edhe qeveria e sotshme greke nuk po kërkon ndjesë, ndonëse e cilëson veten si demokratike “- tha z. Tahiri. Në kuadër të 9 dhjetorit, Ditës Ndërkombëtare kundër Gjenocidit, Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Klubi i patriotëve të Rinj dhe shoqata “Çamëria”, kanë protestuar sot te hyrja e pasme e Ambasadës Greke në Tiranë. Deputeti i PDIU-së, Dashamir Tahiri deklaroi se i vetmi gjenocid i padënuar në Ballkan, është ai i grekëve. Protestuesit edhe një herë kanë kërkuar zgjidhjen e çështjes çame, që sipas Shpëtim Idrizit, ajo tashmë është jo vetëm ligjore por edhe politike, dhe kthimin e pronave. Protestuesit kanë mbajtur pankarta në duar me shkrimet “Duam pronat tona” ndërsa kanë kërkuar zgjidhjen e çështjes çame. Dje një reagim për deklaratat e Ministrisë së Jashtme, sipas së cilës çështja çame nuk ekziston, Idrizi kujtoi se Greqia ka bërë një prej gjenocideve më të përgjakshme në histori, dhe për këtë duhet të kërkojnë falje publike. “Dhe së dyti është një çështje njerëzore, ku Greqia së pari duhet të kërkojë një falje publike për masakrën e kryer nga ushtritë zerviste dhe të lejojë qindra mijëra pjesëtarët e komunitetit çam që të mund të shohin shtëpitë e tyre dhe të vendosin lule mbi varret e të parëve të tyre”, thuhet në njoftimin për shtyp të PDIU-së.”

REZOLUTË MBI ZGJIDHJEN E ÇESHTJES ÇAME

Prezantuar nga deputetët Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri, më  10 dhjetor 2012

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, i orientuar përherë nga qëllimet e larta të ruajtjes së paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajon. Duke vlerësuar marrëdhëniet miqësore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë. Duke mbështetur dhe inkurajuar rritjen e bashkëpunimit në të gjitha fushat midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë si dy vende fqinje dhe aleate në strukturat euroatlantike.

Duke shprehur mirënjohjen për luftën e përbashkët antifashiste të popullit shqiptar dhe popullit grek, e në veçanti të shqiptarëve çamë, themelues dhe të inkuadruar në Ushtrinë Çlirimtare Greke (ELAS) dhe në Ushtrinë Antifashiste Nacional Çlirimtare (UANÇ)

Nisur nga fakti se populli shqiptar, dhe asnjë shtet sovran shqiptar nuk e ka sulmuar popullin dhe shtetin grek gjatë Luftës së Dytë Botërore.

I bindur se edhe Populli Grek, Parlamenti dhe Qeveria e Republikës së Greqisë vlerësojnë lart marrdhëniet e mira ekzistuese midis dy vendeve tona, dhe nevojën për përmirësim të pandërprerë të tyre,që nënkuptondhe zgjidhjen përfundimtare të çështjeve të mbetura pezull nga e kaluara e afërt.

I bindur se me vullnet të mirë të të dy palëve, ekzistojnëhapësirat e mundshme të negocimit dhe mund të gjenden instrumentat e nevojshëm për konsolidimin e mirëkuptimit nëpërmjet drejtësisë në zgjidhjen eçështjes çame, në interes thelbësor të të dy vendeve e popujve tanë.

Në bazë të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë:

Duke marrë parasysh qëllimet dhe parimet e larta të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, të parimit të mosndëshkueshmërisë kolektive, si dhe të akteve ndërkombëtare më të rëndësishme në lidhje me to;

Duke marrë në konsideratë Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, në veçanti neneve 1.2.6, 9, 13, dhe 15; Rezolutën 4780 të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara mbi « “Spastrimin etnik” dhe urrejtjen raciale »; Nenin 1 të Protokollit shtesë nr. 1 të Konventës Evropiane për Liritë dhe të drejtat e njeriut ;

Mbështetur në ligjin 7839, të datës 30.06.1994, “Për shpalljen e datës 27 qershor në kalendarin kombëtar si dita përkujtimore e genocidit të shovinistëve grekë ndaj shqiptarëve të Çamërisë”, shpallur me dekretin e Presidentit nr.885, datë 12.7.1994;

Nën frymën e Traktatit të Miqësisë, Bashkëpunimit, Fqinjësisë së Mirë dhe Sigurisë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Greke (këtu e më poshtë Traktati i Miqësisë);

Duke vlerësuar sefryma e nenit 15 dhe gjithë teksti i Traktatit të Miqësisë,  midis dy vendeve, fryma e akteve ndërkombëtare të lartcituara, imponojnë heqjen e pengesavepër restaurimin e të drejtave të shqiptarëve në Republikën e Greqisë nëpërmjet një kuadri ligjor adeguat për gjithë komunitetin e cënuar dhe jo nëpërmjet rrugëveindividuale gjyqësore.

Pikat e Rezolutës

1. Njeh, mbështet, dhe angazhohet për nevojën e restaurimit të të gjithë të drejtave të shqiptarëve çamë, dikur nënshtetas grekë, në përputhje me rrethanat e reja, sipas parimeve të legjislacionit ndërkombëtar mbi genocidin, spastrimin etnik, procesin e rregullt ligjor, mosdiskriminimin mbi bazë të kombësisë, e parimet e tjera të ndërlidhura me to si dhe frymën e Traktatit të miqësisë midis dy vendeve.

2. Kërkon rivendosjen e të drejtave themelore të shtetasve shqiptarë, ish shtetas grekë, që përfshin rikthimin e pronave, njohjen e të drejtës së riatdhesimit, njohjen e të drejtës së rimarrjes së shtetësisë, dhe të të drejtave të tjera të pakicave kombëtare.

3. Kërkon shfuqizimin shprehimisht të Ligjit grek të Luftës nr. 2636 dhe 2637/1940i shpallur me dekret mbretëror në vitin 1940 akoma në fuqi, në veçanti pjesën e ligjit që mban sekuestron konservative të pasurive shqiptare,

4. Kërkon shtrirjen e efekteve të ligjit grek 1540/1985 “për rregullimin e refugjatëve”, tek të gjithë shtetasit grekë të larguar si pasojë e konfliktit civil, pa diskriminim kombësinë e tyre, ligj që bie në kundërshtim me shumë akte ndërkombëtare, për mosdiskrimimin mbi bazë kombësie, race, feje, etj;

5. Kërkon nga qeveria e Republikës së Shqipërisë, që së bashku me Qeverinë e Republikës së Greqisë, të riaktivizojë Komisionet e Posaçme Dypalëshe, të sanksionuara në Traktatin e Miqësisë, të shqyrtojnë çështjen, të njohin përmasat e saj, të përpunojnë zgjidhjet e duhura në këtë drejtim;

6. Ngarkon  Ministrinë e Punëve të Jashtme që të mbrojë të drejtat e shqiptarëve, të padëbuar nga trojet e tyre amtare dhe të kërkojë njohjen e statusit të minoritetit etnik për ata;

7. Kërkon ngritjen në Paramithi dhe Filat, të dy lapidarëve, që do të përkujtojnëgratë, pleqtë, e fëmijët, viktima të pafajshme të krimeve kryera nga njësitë paramilitare greke.

8. Kërkon mundësinë e ngritjes apo përkujdesjes për varrezat e çamëve, ish qytetarëve grekë, të vrarë gjatë genocidit grek;

9. Ngarkon Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës që të pasqyrojë, në mënyrë të përshtatshme dhe në proporcionalitet, historinë e kësaj pjese të popullsisë shqiptare në tekstet shkollore;

10. Ngarkon Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe sporteve që, në kuadër të marrëveshjeve dypalëshe me ministrinë homologe të Republikës së Greqisë, të promovojë vlerat kulturore të tyre dhe objektet kulturore që gjenden jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë si dhe Ministrisë së Arsimit dhe të shkencës t’i kërkojë Ministrisë homologetë nxisë heqjen në tekstet greke të referimeve fyese dhe diskriminuese ndaj popullsisë çame;

11. Ngarkon Qeverinë shqiptare, që në përputhje me këtë Rezolutë, t’i shprehë palës greke në kontaktet diplomatike qëndrimin e Republikës së Shqipërisë në lidhje me këtë problem;

12. Ngarkon Ministrinë e Punëve të Jashtme që këtë Rezolutë t’ua bëjë të njohur qeverive dhe parlamenteve të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, dhe institucioneve ndërkombëtare ku Shqipëria është anëtare.

13. I rezervon vetes të drejtën që në rast reagimi refuzues të palës greke, për ta konsideruar problemin në dritën e akteve ndërkombëtare mbi diskriminimin, lëvizjen e lirë, të drejtat themelore të njeriut në përgjithësi, ta paraqisëçështjen në instancat ndërkombëtare adeguate.

Shekulli OnlineE.SH

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu