Riaktualizohet ‘trafikimin e organeve’ kësaj radhe në Krumë të Hasit

0
616

Krumë, 8 tetor – Media serbe është hedhur sërish në ofensivë me akuzat për trafik organesh, ku viktimë, sipas këtyre mediave, kanë qenë serbët gjatë luftës së vitit 1998-1999. Pas Radiotelevizionit Shtetëror të Serbisë, i cili transmetoi një intervistë me një dëshmitar të mbrojtur, i cili ishte i përfshirë, sipas këtij televizioni,  në heqjen e organeve të të burgosurve serbë në veri të Shqipërisë, një tjetër media serbe ka pasur në fokus këtë ngjarje. Gazeta javore “Nedeljni”, në një reportazh të saj nga zona e Krumës në krahinën e Hasit në Shqipëri, ka identifikuar shkollën  ku sipas gazetës realizohej heqja e organeve të serbëve, të cilat më pas  transportoheshin për në Aeroportin e Rinasit në Tiranë. Kjo ndërtesë e fotografuar nga reporteri serb është një shkollë e vjetër e hapur në vitet 1920 të shekullit të kaluar(ish-internati “Kosova”) nga Qeveria e Mbretit Zogu i Parë, ku pas viteve 90 i ka dalë pronari, megjithatë shërben si muze i arsimit në Has, por që nuk është në funksion prej më shumë se 20 vjetësh. Në këtë ndërtesë, sipas reporterit të “Nedeljni”, i është hequr organi(zemra) një  të riu 19-20- vjeçar serb. Ndërkohë që reporteri në reportazhin  e tij i përshkruan hasjanët si njerëz mjaft mizorë, megjithëse nuk ka vendosur asnjë kontakt me ta dhe zonën e Krumës e krahason si një rajon të Afrikës Veriore. Por zyrtarë dhe banorë të Hasit e cilësojnë shkrimin e gazetës serbe si një shpifje e ulët që kalon çdo cak të fantazisë së sëmurë të artikullshkruesit.

Dritan Musa, ish-shef i Komisariatit të Policisë së Hasit gjatë luftës së vitit 1999, thotë për “Kohën Ditore” se ndërtesa  për të cilën bën fjalë gazeta serbe është në rrethimin e një kompleksi shkollash, por nuk shërben si shkollë, pasi pas vitit 1990 i ka dalë pronari, megjithatë ajo ndërtesë shërben si muze i Arsimit në Has, por që qëndron e mbyllur për shkaqe teknike që prej 20 vjetësh. Sipas Dritan Musës, në afërsi të  shkollës për të cilën bën fjalë gazeta serbe, rreth 200 metra në veri të saj ka qenë i improvizuar një spital norvegjez me një sallë mikrokirurgjie. Kjo sallë, sipas Musës, ka qenë instaluar në një ndërtesë aneks të xhamisë së Krumës. “Me vendosjen e batalionit ‘Atlantiku’ në malin e Pashtrikut dhe me fillimin e operacionit ‘Shigjeta’ u bë e domosdoshme ngritja e një  salle operacioni në Krumë që do shërbente për trajtimin e të plagosurve. Me ndërmjetësimin e një personi nga Kosova me emrin  Hysni Hoxha, në një ambient të Qendrës Islamike për Zhvillim, që ishte pronë e xhamisë së Krumës, u vendos spitali norvegjez që shërbente kryesisht për të plagosurit e batalionit ‘Atlantiku’, pjesëmarrës në operacionin ‘Shigjeta’. Por në këtë spital janë kryer shumë vizita dhe ndërhyrje mjekësore edhe për refugjatë të luftës nga Kosova dhe për banorë të Krumës. Në ngritjen e këtij spitali ka qenë përfshirë edhe misioni i OSBE-së që vepronte asokohe në Krumë”, deklaron Dritan Musa, ish-shef i Komisariatit të Policisë në Has gjatë vitit 1999

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu