Ribllokim rrugësh në Kosovë, acar deri minus 22 gradë

0
731

Acari dhe reshja e borës, e shoqëruar edhe furtunë, ka vështirësuar shumë jo vetëm qarkullimin nëpër rrugët e Kosovës, por edhe ka përkeqësuar kushtet e jetesës në fshatra e qytete. Prishtina po përballet me mungesë ngrohjeje, për shkak se Termokosi nuk ka mundur të furnizohet me mazut, ndërkaq KEK-u ka vështirësi të përballojë ngarkesën nga shfrytëzuesit, të cilët përdorin energjinë për ngrohje. Ka probleme edhe me fluturimet nga Aeroporti i Prishtinës. Lehtësuese në këto rrethana del vetëm mbyllja e shkollave gjatë këtyre ditëve.

 

Ndonëse reshjet janë me intensitet më të vogël se ditëve të kaluara, Policia e Kosovës njofton për bllokim më të madh të rrugëve, duke përfshirë këtu edhe ato magjistrale. Zëdhënësi i Policisë Baki Kelani, ka thënë për Koha.net. se rruga Pejë-Kullë-Rozhajë është e bllokuar, është e bllokuar rruga në drejtim të Rugovës, në drejtim të pikës kufitare në Mutivodë, në malësi të Gollakut etj. Rrugët e tjera magjistrale, rajonale dhe ato kryesore urbane, ai ka thënë se janë të kalueshme, ani pse me vështirësi, kurse shumica e rrugëve malore në vend janë bllokuar si pasojë e reshjeve. Por, zëdhënësi Kelani, megjithëkëtë ka theksuar se për fat të mirë asnjë aksident me fatalitet nuk ka ndodhur. Mirëpo, sipas tij, janë lënduar 5 persona, kurse janë shkaktuar 64 dëme materiale në automjete.

 

Nga ana tjetër, Sylë Tahirsylaj, drejtor i Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, ka theksuar se në bazë të matjeve temperaturat minimale gjatë ditës do të sillen nga minus 16 në minus 13, kurse ato maksimale nga minus 10 deri në minus 8.5.

 

Gjatë dy ditëve të ardhshme, ndërkaq, sipas Tahirsylës, temperatura do të shkojnë deri në minus 22 gradë. Ai ka thënë se nga e premtja fillon një ngritje e lehtë e temperaturave.

 

Ndërkaq nga Aeroporti i Prishtinës kanë bërë të ditur se mëngjesi i së martës është shoqëruar me vështirësi serioze. Kësisoj, aeroplani i kompanisë “Easy Jet”, është detyruar që fluturimin ta bëj nga Aeroporti i Shkupit, për shkak se në AP dukshmëria nuk ka lejuar ngritjen e aeroplanit.

 

Ndërkohë në mesditë, zyrtarë të AP-së kanë bërë të ditur se përmirësimi i kushteve klimatike ka bërë që aeroplani i kompanisë “Adria Ariways” të aterrojë pa pengesa. Pas përmirësimit të dukshmërisë pritet që të gjitha fluturimet të zhvillohen normalisht.

 

Ndërsa Komuna e Podujevës ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në tërë territorin e Llapit për shkak të reshjeve të borës që po vahzdojnë panderprerë dhe bllokimit të shumë fshatrave të kësaj pjese. Kryetari i Komunës, Agim Veliu, pas shpalljes së gjendjes emergjente, ka nxjerr edhe 7 kërkesa. E para ka të bëjë me mobilizimin e kompanive lokale që kanë mekanizëm për pastrimin e rrugëve që të angazhohen në ndihmë të kompanisë për mirëmbajtje. Shefi i Shërbimeve Publike, Rasim Fejza, ka thënë se vazhdojnë të mbesin të bllokuara fshatrat Ballofc, Lladofc, Herticë, një pjesë e fshatit Sfeçël, Dumnicë e Epërme, Lupç, Majac, Konushefc, etj.

Kanë vazhduar përpjekjet për të përballuar borën, e cila nuk pushon së reshuri në komunën e Ferizajt. Të marten, nëntë kompani private, brigade e zjarrëfikësve Forca e Sigurisë së Kosovës si dhe kompania ‘Pastërtia” kanë marrë për obligim që të bëjnë pastrimin e rrugëve nga bora si në fshatra po ashtu edhe në qytet. Gjendja më e vështirë është në fshatrat mbi magjistrale si në Sazli, Mirash, Rahovicë dhe disa fshatra të tjera. Mirëpo tash për tash Burrniku ka mbetur i bllokuar, kurse Jezerci malor kryesisht është i kalueshëm. 26 familjet e fshatit Jezerc janë ndihmuar me rreth 1400 kilogramë miell dhe më artikujt të tjerë ushqimore në vlerë 50 euro, për çdo familje nga subvencionet e komunës.

 

Tri familje të fshatit Gjocaj të Junikut kanë mbetur fare të izoluara nga të reshurat e shumta të bores, që kanë arritur lartësinë mbi një metër e gjysmë. Familjet e Demë, Nimon, dhe Hajdin Gjocit nga Gjocaj janë të bllokuara tash e më shumë se një javë. Ata përveç lidhjeve telefonike që kanë me zyrtarët komunalë të Junikut, nuk kanë asnjë lidhje tjetër me ta.

Kryetari i Komunës, Agron Kuçi tha se në Junik vetëm rruga kryesore ka një kalueshmëri më të lehtë, ndërsa rrugët tjera lokale janë të kalueshme, por më vështirësi të mëdha. “Rrugët që lidhin me fshatrat Gjocaj, Jasiq, Voksh dhe Dobrosh janë totalisht të bllokuara. Bora arrin deri në një metër e gjysmë”, ka thënë ai.

Moti i lig ka shtyrë Komitetin Komunal për Menaxhimin e Krizave, që të shpallë gjendje të jashtëzakonshme. Situiata më e rënduar nga moti i lig në Komunën e Vitisë raportohet të jetë në viset kodrinore –malore, ku sasia e borës është më e madhe dhe ku qarkullimi është më i vështirësuar. “ Disa lagje të fshatit Debelldeh për disa ditë kanë mbetur të bllokuara nga bora dhe kjo po u shkakton telashe banorëve, pasi ata po kanë vështirësi që të përballojnë situatën e krijuar në mungesë të qarkullimit”, ka thënë Zymri Ilazi, përfaqësues i Debelldehut.

Bora e përcjelle me ere të fuqishme ka bllokuar edhe disa fshatra në pjesën verilindore të Klinës si dhe zonën e Lugut të Drinit. Fshatrat Qabiq, Zabergjë e Caravikë pothuajse janë bllokuar totalisht nga bora. Ramiz Rrusta, drejtor i Arsimit, i ka thënë gazetës përmes telefonit se fshati i tij Caravikë është bllokuar dhe se nuk ka mundur të dalë as në punë. Edhe në Lugun e Drinit, saktësisht në fshatin Stupë është shumë vështirë të shkohet. Në Budisalc qytetarët janë vetorganizuar në heqjen e borës.

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu