Riformatizimi, propagandë qeveritare!

0
675

Tash e sa muaj është paralajmëruar një riformatizim i Qeverisë së Kosovës, ku do të ndërroheshin dhe do të zëvendësoheshin disa prej ministrave e zëvendësministrave, por deri më tani nuk ka asgjë konkrete. Madje, tash e sa kohë kanë mbetur vakante disa pozita shumë të rëndësishme, si mungesa e ministrit të Financave, që prej se Bedri Hamza dha dorëheqje për të shkuar në krye të Bankës Qendrore të Kosovës.

Megjithatë, zërat për riformatizimin e ekzekutivit kishin nisur që prej largimit të ministrit të FSK-së, Agim Çeku nga Partia Socialdemokrate, që ishte pjese e Koalicionit për Kosovë të Re, në Partinë Demokratike të Kosovës, ku KKR-ja e udhëhequr nga Behgjet Pacolli kërkoi edhe një ministri shtesë.

Që nga ajo kohë, Pacolli në secilën paraqitje publike i jep ultimatume kryeministrit Thaçi, por që asnjëherë deri më tani nuk është marrë seriozisht.

Deputetët opozitarë dhe analistët politik mendojnë se riformatizimi i ekzekutivit nuk po ndodh për shkak të bisedimeve. Por, sipas tyre edhe nëse ndodh nuk presin diçka pozitive nga kjo qeverisjeje.

“Edhe nëse ka riformatizim, asgjë nuk pres të ndryshohet për mirë, për shkak se kemi të bëjmë komplet me një keq qeverisje. Arnimet e kësaj qeverie aktuale nuk do të sjellin asgjë”, tha Skënder Hyseni, deputet i LDK-së.

Ai shtoi se vetë fakti që kjo qeveri tash sa kohë e ka lënë Ministrinë e Financave me zëvendës, tregon se sa të papërgjegjshëm janë.

Më herët u pati thënë se ndryshimet duhet edhe për shkak të keqqeverisjes, dhe pozita pati kërkuar largimin e ministrit të Brendshëm, Bajram Rexhepi, shkaku i skandaleve në këtë ministri, e pastaj edhe të ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, për shkak faturave të rrymës.

Por, Hyseni mendon se edhe nëse bëhen këto ndryshime, nuk ka kohë për përmirësime.

“Nuk ka kohë përmirësimi, sepse zgjedhjet më së largu do të jenë vitin e ardhshëm”, tha ai.

Ganimete Musliu, deputete nga partia në pushtet, thotë se nuk e ka idenë nëse do të ketë riformatizim, për shkak se një lajm të tille e jep vetëm kryeministri dhe ai deri sot nuk ka thënë asgjë.

“Edhe nëse ka pas një vendim të tillë, nuk ka mund të ndodhë për shkak se e gjithë energjia e kësaj qeverie së fundi ka qenë te zhvillimet në procesin e bisedimeve në Bruksel”, tha Musliu.

Edhe Suzana Novobërdaliu, deputete nga Koalicioni për Kosovë të Re, mendon se agjenda e ngjeshur e bisedimeve në Bruksel, ka marrë gjithë koncentrimin e udhëheqësve. Zëvendëskryeministri Pacolli nuk i është përgjigjur gazetës, derisa nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi, tha për ‘Zëri’, se nuk ka informatë për këtë.

“Për këtë e vendos kryeministri. Unë nuk kam informatë”, tha shkurt Kuçi.

Në anën tjetër, Erzen Vraniqi nga Lëvizja Vetëvendosje, konsideron se riformatizimi i qeverisë ishte vetëm një mënyrë për ta tërhequr vëmendjen si nga proceset e dëmshme në të cilat ka hyrë kjo qeveri, po ashtu edhe për të lënë përshtypje, që qeveria do të bëjë diçka lidhur me skandalet e shumta korruptive të ministrave të saj.

“Ne si Lëvizje kemi marrë disa iniciativa për formimin e disa komisioneve hetimore në Kuvend për proceset në të cilat po e shpie vendin kjo qeveri, mirëpo nuk kemi pasur  asnjëherë mirëkuptim nga subjektet tjera opozitare në Kuvend”, ka thënë Vraniqi. Ndërkaq, analisti, Ardian Arifaj shprehet se riformatizimi nuk është bërë kurrë sepse sipas tij, ka pas pika të tjera më të rëndësishme në agjendë kjo qeveri, dhe se sipas tij,  krejt varet se çka kuptohet me riformatizimm ndryshimin e partnerëve në koalicion apo ndryshimin e ndonjë ministrie. “Në fakt deri tash ka qenë më shumë spekulim medial këto parashikimet për ndryshime në qeveri, se sa që kemi parë fakte konkrete. Koalicioni ka funksionuar gjithmonë marr parasysh ç’ka thotë matematikën e numrave që e ka qeveria në kuvend, kjo asnjëherë nuk  e ka pasur të vështirë t’i gjej votat e mjaftueshme për çfarëdo projekti”, ka thënë Arifaj.

Nga ana tjetër, analisti, Fadil Lepaja thotë se riformatizimi është varë nga suksesi i projekteve, si për shembull privatizimi i PTK, e disa ngjarje tjera që po rrjedhin në Kosovë. “Sikur të mos arrinin me privatizuar PTK-në , e me filluar privatizime të tjera, këta kanë pas plan t’i ndërrojnë njerëzit dhe prapëseprapë ta bëjnë të veten me njerëz të tjerë. Gjithashtu, privatizimi është varur edhe prej rrjedhës së bisedimeve”, ka thënë Lepaja. Sipas tij, ka qenë një zinxhir faktorësh që s’kanë të bëjnë me ligjin dhe demokracinë. “Qeveria nuk është frikësuar nga dështimi para elektoratit, as prej parlamentit, por para grupeve të interesit vendorë dhe ndërkombëtare ndaj të cilëve kanë obligime”, ka thënë Lepaja.

 

Nga: Besiana Xharra & Fadil Sertolli

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu