Rivotim edhe kur mungon vetëm një votë

0
941

TIRANË- Mospërputhja e shifrave vota-votues do të dërgojë kryeqytetasit edhe një herë që të zgjedhin kryetarin e ri të bashkisë. Në mënyrë indirekte Kolegji Zgjedhor e ka vendosur këtë gjë në momentin që ka dhënë vendimin për komunën Kolsh ku diferenca mes dy kandidatëve ishte pesë vota, ndërsa në kuti u gjendën tetë vota më shumë se sa votues. Kolegji urdhëroi përsëritjen e zgjedhjeve në këtë komunës sepse numri i votave më shumë të gjendura në kuti mund të ndryshonte rezultatin. Në Tiranë kemi të njëjtën situatë. Sipas shifrave zyrtare të KQZ-së, në kutitë e votimit janë gjendur 870 vota më shumë se sa votues. Vetëm në kutitë e rivlerësuara nga KQZ për 117 qendra votimi të kërkuara nga Partia Demokratike dolën 357 vota më shumë se sa votues. Duke pasur parasysh se diferenca mes kandidatëve Lulzim Basha dhe Edi Rama, gjithmonë duke iu referuar shifrave zyrtare të KQZ-së është 93 vota, ndërsa numri i votave më shumë të gjendura në 485 kutitë e kryeqytetit është 870, banorët e Tiranës do t’i drejtohen edhe një herë kutive të votimit.

Por “Shekulli” ka zbuluar edhe një tjetër vendim të tillë ku Kolegji ka vendosur përsëritjen e zgjedhjeve për shkak të mospërputhjes së shifrave mes votave dhe votuesve. Bëhet fjalë për komunën Armen në Vlorë ku u gjend një votë më pak se sa votues. Në një situatë kur diferenca mes dy kandidatëve ishte vetëm dy vota, edhe një votë e vetme mund të ndryshonte rezultatin. Me këto dy vendime Kolegji ka vendosur një standard të ri në zgjedhjet shqiptare: Sa herë që diferenca e numrit të votave të gjendura në kuti me numrin e njerëzve që kanë votuar është vendimtare, do të ketë pavlefshmëri dhe përsëritje të zgjedhjeve. Në rastet e komunave Armen dhe Kolsh kanë votuar të tetë gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor dhe në të gjitha rastet ata kanë qenë dakord për përsëritjen e zgjedhjeve.

 

Rasti i Armenit

Në zgjedhjet për Kryetar të Komunës Armen, në katër QV janë konstatuar probleme mes numrit të njerëzve që kanë votuar dhe votave të gjendura në kuti. Konkretisht, në QV nr. 4422 rezulton se në tabelën e listës së votuesve kanë marrë pjesë 127 zgjedhës, ndërsa në kutinë e votimit kanë rezultuar 128 fletë votimi. Një fletë votimi e gjetur në kuti, mban një vulë të ndryshme nga vula e përdorur nga kryetari për QV 4422.

Në QV nr. 4544 kanë marrë pjesë 311 zgjedhës, ndërsa në kutinë e votimit kanë rezultuar 310 fletë votimi. Në QV nr. 4521 kanë marrë pjesë 591 zgjedhës, ndërsa në kutinë e votimit kanë rezultuar 593 fletë votimi. Në QV nr. 4520 kanë marrë pjesë 395 zgjedhës, ndërsa në kutinë e votimit kanë rezultuar 392 fletë votimi.

Në total, në katër kutitë problematike të Armenit kemi këtë situatë: në kutinë nr. 4520 janë gjetur tre fletë ma pak, në kutinë nr. 4521 janë gjetur dy fletë votimi më shumë, ndërsa në kutinë 4522 është gjetur një fletë votimi tepër dhe në kutinë nr. 4521 është gjetur një fletë votimi më pak. Në total kemi vetëm një fletë votimi më pak se sa votues në një zonë kur diferenca mes dy kandidatëve është dy vota.

 

2

Janë rastet kur Kolegji Zgjedhor ka vendosur përsëritjen e zgjedhjeve për shkak të mospërputjes së numrit të njerëzve që kanë votuar me numrin e votave të gjendura në kuti. Në rastin e komunës Kolsh në kuti u gjendën tetë vota më shumë se sa votues ndërsa në rastin e komunës Armen, në kuti u gjend një votë më pak se sa votues.

 

8

Gjyqtarët e kolegjit zgjedhor kanë votuar pro standardit sa herë që diferenca e numrit të votave të gjendura në kuti me numrin e njerëzve që kanë votuar është vendimtare, do të ketë pavlefshmëri dhe përsëritje të zgjedhjeve. Gjyqtari Petraq Koço ka qenë relator në rastin e komunës Armen ndërsa Sashenka Jonuzi ka qenë relatore në rastin e komunës Kolsh.

 

Pse do të votohet sërish në Kolsh

Në komunën Kolsh kandidonin Jak Pjetri për mazhorancën dhe Ferdinant Ndoj për opozitën. Në përfundim të zgjedhjeve diferenca mes dy kandidatëve ishte pesë vota, por numri i votuesve nuk përputhej me numrin e votave të gjendura në kuti. Në qendrën e votimit 0726 janë gjetur më shumë fletë votimi për kryetar komune se numri i zgjedhësve që kanë votuar sipas nënshkrimeve në listë dhe përkatësisht: Nr. i zgjedhësve që kanë votuar sipas nënshkrimeve në listë 616. Nr. i fletëve të votimit të gjetura në kuti 624. Pra, në këtë kuti ka tetë fletë votimi më shumë seç duhet të kishte. Diferenca e votave ndërmjet kandidatëve është 5 vota, përkatësisht: Ferdinat Ndoj 1198 vota ndërsa Jak Pjetri 1203 vota. Pesë gjyqtarët shqyrtuan rastin dhe vendosën ripërsëritjen e zgjedhjeve në këtë komunë duke arsyetuar se diferenca mes dy kandidatëve (pesë vota) ishte më e vogël se sa numri i votave shtesë të gjendura në kutitë e votimit (tetë vota). Me logjikën e Kolegjit, tetë votat shtesë të gjendura në kuti mund të ndryshonin rezultatin mes dy kandidatëve dhe për këtë arsye njësia zgjedhore duhet të shkojë sërish në zgjedhje.

 

Rasti i Tiranës

Në Tiranë diferenca mes dy kandidatëve, pas procesit të rivlerësimit dhe rinumërimit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ndryshoi nga 10 vota në favor të Edi Ramës në 95 vota në favor të Lulzim Bashës. Por ky proces rinumërimi nxori në pah një numër të madh problemesh me situatën pas zgjedhore. Kuti ku mungonin fletë votimi, kuti ku gjendeshin fletë nga qendra të tjera kilometra larg, por më kryesorja ishin kutitë me më shumë fletë. Gjatë rinumërimit të 117 kutive të para të kërkuara nga Partia Demokratike dolën 357 vota më shumë se sa njerëz që kishin shkuar të votonin. Ndërsa në shifrat zyrtare të KQZ-së për 485 kuti rezultonin 870 vota më shumë se sa votues. Sot KQZ do të miratojë tabelën përfundimtare të rezultateve, por diferenca prej 357 votash më shumë se sa votues nuk ka ndryshuar. Ajo është krijuar gjatë rivlerësimit të 117 kutive të para.

 

 

PS mbledh juristët për të zgjedhur strategjinë e re

TIRANË- Vetëm një ditë pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili shpalli kandidatin Lulzim Basha fitues në Tiranë, PS mblodhi dje grupin e juristëve për padinë e re në Kolegjin Zgjedhor. Padia e re e socialistëve do të bazohet në mospërputhjen e numrit të votuesve me votat e gjendura në kuti. Në total diferenca është 870 vota, ndërsa vetëm për kryetar kemi një diferencë prej 357 votash, e krijuar gjatë rivlerësimit të votave në 117 kutitë e para të kërkuara nga Partia Demokratike.

Sekretari për Çështjet Ligjore në selinë rozë Fatmir Xhafaj, dy përfaqësuesit ligjorë të PS në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve Genc Gjonçaj dhe Eridian Salianji shqyrtuan detajet që do të përdoren për kërkesë padinë e re. Deri në mesditë në selinë rozë ka qenë i pranishëm edhe kryetari i Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçi.

Ashtu siç ishte paralajmëruar, bazuar në mospërputhjen e shifrave të numrit të zgjedhësve dhe numrit të fletëve të votimit të gjetura në kuti, socialistët do të kërkojnë pavlefshmërinë e zgjedhjeve në Tiranë. Duke u mbështetur te tabelat përmbledhëse për Tiranën, juristët filluan dje të kontrollojnë të gjitha ato qendra votimi në të cilat ka mospërputhje. Për këtë qëllim ata filluan punën me vlerësimin e të gjitha problematikës së tabelës përmbledhëse për të 11 Komisionet Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve, ose siç njihen ndryshe 11 njësitë e Tiranës.

Janë rreth 300 tabela, të cilat kanë një mospërputhje me numrin e votuesve dhe votave të gjetura në kuti. Në kutitë e votimit të Tiranës janë gjendur 870 vota më shumë se sa zgjedhës ku sipas shifrave zyrtare të KQZ-së, në Tiranë kanë votuar 256507 persona ndërsa në kuti janë gjendur 257377 vota. Në kërkesë padinë e re të socialistëve pritet që të shtohen edhe element të re që nuk kanë qenë në kërkesat e tjera të depozituara në Kolegj. Mungesa e kodeve të sigurisë dhe kutitë e thyera do të jenë argumentet në të cilat do të mbështetet edhe lufta e opozitës për të penguar demokratët që të rimarrin pas 10 vjetësh Bashkinë e Tiranës.

Në mbi 500 kuti të cilat u rihapën në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kishte problem me njërin prej pesë kodeve të votimit ku më e shpeshta ishte mospërputhja e numrit gjashtëshifror të kodit me atë të shënuar në procesverbale. Në disa raste kishte edhe mungesë të zarfeve të votave të pavlefshme edhe pse në procesverbalet që kanë shënuar numëruesit është shkruar se brenda kutisë gjenden zarfe të tillë duke ngritur dyshime te opozita për ndërhyrje në rezultat.

 

Çfarë do të ndodhë?

Partia Socialiste ka afat deri të enjten për dorëzimin e kërkesë padisë së re në Kolegjin Zgjedhor. Shqyrtimi administrativ i ankimeve zgjedhore ose të kalimit të afateve të ankimit për zgjedhje, bëhet brenda pesë ditëve nga shpallja e tyre. Brenda 24 orëve Kolegji do të njihet me kërkesën e re. Më pas do të hidhet shorti për përbërjen e trupit gjykues dhe relatorin e çështjes si dhe do të caktojë cakton datën dhe orën e fillimit të shqyrtimit gjyqësor. Dhurata Haveri, Astrit Kalaja, Marie Qirjazi, Sashenka Jonuzi, Meriban Mullaj, Entela Prifti, Tom Ndreca dhe Petraq Koço janë tetët gjyqtarët prej nga do të përzgjidhen pesë prej tyre për të shqyrtuar edhe seancën më të rëndësishme që mund të ripërsërisë zgjedhjet për Tiranën.

 

Gjyqtarët që kanë votuar pro për rastin e komunës Kolsh: Meriban Mullaj, Maria Qirjazi, Sashenka Jonuzaj, Dhurata Haveri dhe Tom Ndreca

Të tetë gjyqtarët kanë gjykuar Armenin dhe Kolshin. Petraq Koço tek Armeni dhe Sashenka Jonuzi tek Kolshi

Përmes dy vendimeve Kolegji ka vendosur një standard të ri: Sa herë që diferenca e vota-votues është vendimtare, do të ketë pavlefshmëri dhe përsëritje të zgjedhjeve. Zbulohet rasti i ri i komunës Armen

 

Kristaq Kume, ish-kryetari i KQZ-së

“Nëse opozita është në gjendje që të sjellë prova të pakundërshtueshme për ekzistencën e diferencave midis numrit të votuesve që kanë marrë pjesë në zgjedhje dhe fletëve të numëruara, në kushtet kur kjo diferencë kapërcen diferencën midis dy garuesve, që janë 935 vota tashmë, problemi ligjërisht është i zgjidhur. Kolegji Zgjedhor merr vendimin që ai tashmë ka marrë për rastet e ngjashme: pavlefshmëri e zgjedhjeve”

 

870

Në kutitë e votimit të Tiranës janë gjendur 870 vota më shumë se sa njerëz që kanë votuar. Sipas shifrave zyrtare të KQZ-së, në Tiranë kanë votuar 256507 persona ndërsa në kuti janë gjendur 257377 vota

 

626

Votat në kuti ndahen në të vlefshme dhe të pavlefshme, por nëse mbledhim këto dy shifra del sërish një diferencë prej 626 votash, e cila nuk mund të shpjegohet nga administrata e KQZ-së

 

357

Vota më shumë se sa votues është shifra e fiksuar në 117 kutitë e para që u hapën nga KQZ me kërkesë të Partisë Demokratike. Edhe pas rinumërimit të 1800 kutive të tjera, kjo shifër mbeti e njëjtë.

 


Luis Tanushi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu