Riza “Rezili” nuk është vrasësi i Gëvalljave

0
1039

Hysen Gërvalla nuk beson se Riza Salihu ka gisht në vrasjen e patriotëve Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka. Akuzat e Ibrahim Kelmendit se Riza Salihu, të cilin e quan “Rezili”, ka gisht në këtë atentat, vëllai i patriotëve Gërvalla i quan guxim të tepruar. Hyseni thotë se ka biseduar personalisht me Riza Salihun dhe është bindur se ai nuk ka dorë në këtë atentat.

Familjes së Jusuf e Bardhosh Gërvalles nuk u kanë bërë shumë përshtypje akuzat e rënda që ka bërë Ibrahim Kelmendi, në adresë të Riza Salihut.

Kelmendi në programin televiziv “Zona B” në Klan Kosova, ka thënë se Riza Salihu është i dyshuari kryesor në vrasjen e vëllezërve Gërvalla.

Madje vëllai i patriotëve Gërvalla, Hyseni, i ka quajtur “guxim të tepruar”, – deklaratat e Kelmendit, sipas të cilit, Riza Salihu nga Mushtitshti i Suharekës, ka gisht në vrasjen e Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës në Gjermani.

Hysen Gërvalla, i cili jeton në Zvicër, ka thënë të martën për Express se nuk ka ndonjë dëshmi apo fakt se Riza Salihu është autori apo ka ndihmuar në vrasjen e vëllezërve të tij dhe shokut të tyre.

“Deklaratat e Ibrahim Kelmendit janë më tepër si guxim i tepruar. Ne si familje, deri më tani nuk kemi asnjë dëshmi apo diçka të ngjashme se Rizai ka gisht në vrasjen e tyre”, thotë Hysen Gërvalla nëpërmjet telefonit nga Zvicra.

Ai rrëfen për Express se për ta hequr merakun në lidhje me këto dyshime, para tri vjetësh, në fshatin Mushtisht është takuar me Riza Salihun, për të kërkuar sqarime nga ai.

“Para tri vjetësh, në fshatin e tij në Mushtisht të Suharekës, në prezencën e dhjetëra burrave jam takuar me Riza Salihun, por ai ka qenë mjaft argumentues duke na bindur se nuk ka lidhje me vrasjen”, thotë Hysen Gërvalla

Ai sqaron se deri më tash, familja Gërvalla nuk ka asnjë argument apo dëshmi se kush ka mundur të vrasë apo të ndihmojë në vrasjen e familjarëve të tyre.

“Pa pasur argumente, nuk dëshirojmë të flasim me emër e mbiemër. Në momentin që do të kemi diçka konkrete, do të dalim me fakte”, thotë Hysen Gërvalla.

Megjithëkëtë, ai sqaron se familja Gërvalla ka një listë të gjatë me emrat e personave që dyshohet se kanë lidhje me vrasjen e më të dashurve të tyre, e që dyshohet se janë shqiptarë që kanë punuar për UDB-në, ish-shërbimin sekret jugosllav.

“Emrat nuk i qesim, sepse nuk kemi shumë dëshmi, por janë dy në Gjilan, dy në Prizren, dy në Podujevë, dy në Tetovë, dy në Dibër, e në të gjitha komunat e Kosovës…”, rrëfen vëllai i Jusuf e Bardhosh Gërvallës.

Ai ka sqaruar se Riza Salihu në atë kohë kur ishin vrarë vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka, ka qëndruar më pak se dy muaj në paraburgim në lidhje me këtë çështje, por më pas ai ishte liruar në mungesë provash.

Hysen Gërvalla tregon se në lidhje me këtë vrasje, ka biseduar edhe me vetë Ibrahim Kelmendin, si person që përflitej se mund të kishte gisht në këtë rast, por që edhe ky i fundit e ka bindur këtë familje se nuk ka të bëjë asgjë me këtë likuidim.

“Edhe Kelmendi, nëse më kujtohet, ka qenë në paraburgim në atë kohë, dy apo tri javë, por më pas është liruar. Kam biseduar edhe me të, por më ka bindur se nuk ka lidhje me këtë”, thotë Hysen Gërvalla, duke shtuar se atyre më shumë u intereson se kush e ka e nxitur dhe kush e ka ndihmuar vrasjen e tyre.

“Dihet se vrasja e tyre ishte urdhëruar nga UDB-ja, por na intereson se kush janë ata shqiptarë që ndihmuan këtë vrasje”, thotë Hysen Gërvalla.

Gazeta Express gjatë gjithë ditës së martë ka qëndruar në Mushtisht të Suharekës dhe në Prizren, në përpjekje për të kontaktuar me Riza Salihun, por kjo ishte e pamundur.

Vrasja

Ibrahim Kelmendi, njëri nga themeluesit e Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK) dhe ish-udhëheqës i Fondit “Vendlindja Thërret” në Gjermani, si mysafir në “Zonën B” të Klan Kosovës, ka deklaruar se e njeh me emër e mbiemër vrasësin e Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, vrasje kjo e ndodhur më 17 janar 1982, në Gjermani. Vrasësi, sipas tij, është Riza Salihu nga fshati Mushitisht i Komunës së Suharekës. Por pjesëmarrës në këtë atentat, sipas Kelmendit, ka qenë edhe një tjetër – të cilit nuk ia ka përmendur emrin, me arsyetimin se “do ta pengonte procesin e hetuesisë”. “Unë kam prova të mjaftueshëm për të besuar se ai ishte vetëm një argat i UDB-së. Gjithsesi, e kam akuzuar për ekzekutor, të komanduar nga UDB-ja dhe vazhdoj ta akuzoj, përderisa ai nuk e provon të kundërtën”., ka thënë Kelmendi.

 

Nga Nebih Maxhuni

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu