RKL: Kosovën po e shtyjnë drejt kaosit ata që më së shumti mbajnë përgjegjësi për interesat e saj

0
618

Kosova po rrëshqet drejt kaosit dhe rreziqeve që mund të na kushtojnë shumë shtrenjtë. Konfrontimet tashmë të hapura mes Qeverisë dhe Kuvendit, përçarjet e pariparueshme në Partinë Demokratike të Kosovës, protestat e drejta të Vetëvendosjes kundër privatizimit të Distribucionit të KEK-ut, gjendja gjithnjë e tendosur në veri të Kosovës, fushata e vazhdueshme kundër vlerave të luftës së UÇK-së, privatizimi i egër i pasurisë së Kosovës nga klanet mafioze, rritja e papunësisë, rritja e shkallës së varfërisë ekstreme, vera e thatë dhe vjeshta pa shi dhe shumë fatkeqësi të tjera, janë tregues të qartë se Kosova është mbarsur me probleme, që nuk mund të zgjidhen pa një politikë, e cila mbi të gjitha mbron interesat e vendit  dhe jo interesat e feudeve të profiterisë politike, ekonomike e tregtare.>>>

 

Politikanët, të cilët pasuritë e Kosovës  i kanë bërë tapi personale, ata të cilët kanë qenë të dëgjueshëm e të përshtatshëm për të gjitha ish-regjimet dhe të cilët në shumicë dërrmuese qeverisin në të gjitha institucionet e vendit, nuk mund t’i mbrojnë interesat e vendit dhe duket se nuk  kanë fare interesim për ta mbrojtur Kosovën nga katandisja.

 

Qysh prej shpalljes  së Pavarësisë, më 17 shkurt të vitit 2008, Kosova vazhdimisht ka qenë në një presion të fuqishëm ndërkombëtar, të forcave të cilat nuk e kanë pranuar pavarësinë dhe të cilat bëjnë përpjekje të pareshtura, për ta mbajtur vendin tonë në një status-quo, për ta degraduar pavarësinë e saj dhe për t’ ia mbajtur nën rrethim ardhmërinë. Pikërisht për këtë, BE-ja, Serbia, Rusia dhe pesë vendet e BE-së, që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, kanë vepruar në drejtim të nënshtrimit të vendit tonë, duke e gjetur të gatshme në një klasë politike poltrone, e cila në vazhdimësi ka treguar lojalitet të neveritshëm në çdo trysni të Brukselit, dhe  pranuar madje edhe rikthimin në rezolutën 1244, e cila me rastin e shpalljes së pavarësisë, duhej të shpallej e pavlershme,  jo vetëm sa për sy e faqe.

 

Kosova e përçarë nga brenda, kjo ka qenë dhe po mbetet maksima vepruese e  djallëzore e Serbisë, e cila këtë përçarje e ka arritur përmes bashkëpunimit intensiv të EULEX-it dhe “miqve” ndërkombëtarë duke instaluar  në shumë nga  institucionet, të lakueshmit, ata të cilët i bëjnë amin BE-së, e cila po tregon një interesim të jashtëzakonshëm për ta joshur Serbinë në BE, duke shkelur dhe duke devalvuar pavarësinë e Kosovës.

 

Postimi në krye të Kosovës i tre katër qeveritarëve me prejardhje nga lufta e UÇK-së dhe i ndonjë të burgosuri politik ka qenë farsë e politikave antishqiptare, për të na hedhur  hi syve dhe për t’ u krijuar bindja se ky është rezultat i fitores së Kosovës. Realisht, pas këtyre tre katër emrave veprojnë të gjitha garniturat politike të së kaluarës, prej titistëve e deri te ata që kanë bashkëpunuar edhe me regjimin e Milosheviqit.  Në krye të Policisë së Kosovës janë postuar bijtë e atyre që kanë ndjekur dhe kanë burgosur shqiptarë liridashës, qysh prej vitit 1981. Nga kontingjentet e policisë së Kosovës janë larguar mijëra ish pjesëtarë të UÇK-së. Në FSK, për veç nga radhët e kreut komandues, janë larguar 80-90 për qind e ish-luftëtarëve të UÇK-së.

 

Në Prokurorinë dhe gjyqësinë e Kosovës punojnë 95 për qind e kuadrove që kanë prejardhje nga ish nomenklatura komuniste titiste e milosheviqiane, që  kanë dënuar pamëshirshëm shqiptarë liridashës, të cilët kërkonin liri dhe pavarësi.

Në administratën shtetërore punojnë 90 për qind e ish zyrtarëve që kanë punuar në të gjitha ish regjimet. Zhvatjen dhe tjetërsimin e pasurisë publike e kanë bërë dhe po e bëjnë bashkëpunëtorët e Serbisë, gjithnjë në kontakt me lidhjet e tyre me profiterët serbë, lidhje këto të cilat mjerisht  nuk kanë qenë të ndërprera  as gjatë kohës së luftës së  Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Më se 90 për qind të medieve të Kosovës i drejtojnë ish gazetarët e bashkim vëllazërimit të konvertuar në gazetarë të multietnicitetit sikur është BIRN-i, gazetarët e vetëquajtur profesionistë dhe ata që vetë-deklarohen si gazetarë hulumtues, shumica prej të cilëve janë bij dhe bija të ish regjentëve të bashkim vëllazërimit.

Me rikthimin klasës së tillë pacifiste në institucione, në Polici, Prokurori, Gjyqësi, në të gjitha segmentet e administratës, në FSK, në strukturat partiake e qeveritare në Agjencinë e Intelegjencisë së Kosovës, liria dhe pavarësia a Kosovës ka stagnuar, është stërkequr dhe ka arritur buzë katastrofës, ka arritur deri atje sa të rehabilitohen strukturat kriminale në veri dhe të kërkohet dënimi sa më i ashpër për ish luftëtarët e UÇK-s,  të akuzuar se kanë vrarë policë e ushtarë të okupatorit dhe bashkëpunëtorë të tyre.

 

Fajin kryesor për këtë deformim shoqëror, politik, ekonomik  e ka pikërisht kreu i luftës, i postuar në institucione, i cili nuk e unifikoi një qëndrim të përbashkët për interesin kombëtar. Përçarja e tillë, e cila ka për bazë përfitimin  tashmë ka dalë në sipërfaqe dhe pikërisht kjo i konvenon Bashkimit Evropian, Serbisë dhe shteteve aleate të saj.

 

Kjo situatë kaotike, ku ligjin e bëjnë  klanet, ku Policia e Kosovës është nën urdhra të po këtyre klaneve, ku keqtrajtohen brutalisht protestuesit, ku shpërfillen dhe përbuzen më meritorët për çlirimin e Kosovës nga robëria shekullore serbe,  kjo situatë mund të dalë shumë shpejt nga kontrolli edhe me faktin se gjendja e sigurisë në tërë Kosovën është shumë e brishtë, ndërsa nuk duhet harruar as faktin se në zonat rurale nuk ka shtëpi shqiptare që nuk posedon armë zjarri. Mjafton një veprim i pamatur në drejtim të degradimit të mëtejmë të pavarësisë së Kosovës dhe kjo mund të manifestohet me një rebelim të përgjithshëm të të gjithëve kundër të gjithëve.

 

Nga kreu politik dhe institucional i Kosovës kërkohet shumë maturi, e cila tash për tash është e pamjaftueshme dhe nuk premton ndonjë zgjidhje në të mirë të interesit të qytetarëve të saj. Nuk është interes i vendit të përsëritet 100 herë në ditë fjalia, Kosova e ka vendin  në BE, me qëllim për të mbuluar të gjitha të ligat që iu kanë shkaktuar dhe po i shkaktohen vendit nga klanet e pushtetarëve  mujsharë. Ky slogan hipokrit nuk ka si të mos na kujtojë vitet e kohës së pezullimit të autonomisë,  kur Azem Vllasi e Rrahman Morina me sojin e tyre  trumbetonin se Kosova duhet të integrohet në Serbi, sepse nuk ka rrugë tjetër për zhvillim dhe emancipim, meqë shqiptarët duhet të jetojnë  në përbashkësi me serbët për të realizuar të drejtat e plota dhe për t u zhvilluar ekonomikisht.

 

Gjaku i derdhur për liri, me të cilin manipulojnë politikanët në retorikat e tyre patriotike, nuk duhet lejuar të behet kapital për gradime të pamerituara dhe përfitime personale e grupore, sepse kështu zbehet edhe gjaku i lirisë.

 

Radio Kosova e Lire

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu