Rrëfimi për fundin e Gaddafit

0
969

Kryengritësit libianë që luftonin kundër regjimit të tij diktatorial 42-vjeçar, Moammar Gaddafi shpesh i quante “minj”. Por ishte ai vetë që, para se të vritej, në fund u kap teksa fshihej në një gyp kanalizimi përplot bërllok dhe ndyrësi.

Ngjarjen deri në vrasjen e tij, për mediat ndërkombëtare e përshkruan të dyja anët, ajo e Gaddafit dhe ajo e kryengritëseve.

Rrëfimi i shefit të sigurimit të Gaddafit

“Teksa po ngushtohej rrethimi përreth nesh, Gaddafi vendosi që të mundohemi të depërtojmë dhe të kërkojmë strehim në shkretëtirë”, i tha televizionit Al-Arabya, Mansour Dao, ish-shef i shërbimit të sigurimit të kolonelit të vrarë, i cili u zu rob nga kryengritësit derisa po synonte të ikte nga Sirte.

“Menjëherë pasi kryengritësit hynë në Tripoli, Gaddafi vendosi të depërtonte deri te qyteti i tij i lindjes dhe aty të strehohej për kohë të pacaktuar. Ai nuk mori pjesë në udhëheqjen e operacioneve luftarake atje, por këtë gjë ia la djalit të tij, Mutassim, i cili u vra bashkë me të atin”, tregoi Dao, përndryshe një kushëri i Gaddafit.

Sipas tij, në qytet kishte shumë përkrahës të Gaddafit, por me afrimin e kryengritësve ata gradualisht filluan ta lëshonin Sirte’n.

“Familjet me fëmijë largoheshin, dhe ne nuk i ndalonim ta bënin këtë gjë, madje i lejonim edhe kryengritësit që të furnizonin popullatën me ushqim dhe karburante. Koloneli dhe përcjellësit e tij më të afërt banonin nëpër banesa të zakonshme, në lagjet rezidenciale të Sirtes, dhe kohë pas kohe e ndërronin vendqëndrimin për shkaqe sigurie. Porositë e kolonelit për vazhdimin e luftës i dërgonim nëpërmjet një telefoni satelitor”, sqaroi ai.

Dao po ashtu tregoi se si ditëve të fundit situata u përkeqësua ndjeshëm, bashkë me ngushtimin e rrethimit të qytetit.

“Vendosëm të depërtonim në zonën e afërt Jarif. Por, në dalje të qytetit u përballëm me një sulm të ashpër, dhe sërish mbetëm të rrethuar. Të gjithë automobilat na u shkatërruan, andaj u detyruam të ndaheshim në grupe. U nisëm në këmbë drejt Jarif. Unë isha bashkë me Gaddafin dhe me ministrin e Mbrojtjes. Me ta ishte edhe një grup truprojash. Pastaj u plagosa dhe e humba vetëdijen. Se çfarë ndodhi ndërkohë, nuk e di”, përfundoi gjenerali, edhe pse theksoi se Gaddafi “i përjetoi rëndë ato që po ndodhnin në Libi, por në asnjë moment nuk frikësohej për jetën e tij”.

Rrëfimi i kryengritësve

“Ai na quante minj, por shikoni se ku e gjetëm”, i tha të enjten agjencisë Reuters kryengritësi Ahmed Al Sahat (27), derisa tregonte me gisht drejt dy gypave të kanalizimit afër autostradës, në periferi të Sirte’s. Kryengritësit, video-xhirimet dhe skenat e kasaphanës në afërsi të tyre tregojnë për orët e fundit që ish-diktatorit libian.

Pak para faljes së mëngjesit së enjtes, Gaddafi, i rrethuar nga disa truproja luajale dhe në përcjellje të komandantit të ushtrisë së paqenë, Abu Bakr Jabr, nisi ikjen drejt perëndimit, pas rrethimit dymujor dhe rënies të Sirte’s. Por, nuk shkoi larg.

NATO’ja njoftoi se të enjten, rreth orës 8:30, një aeroplan i saj luftarak kishte qëlluar disa automjete ushtarake të forcave të Gaddafit afër Sirte’s. Por, në Aleancë nuk ishin të sigurt nëse projektilet e aeroplanit ishin ato që e plagosën Gaddafin. 15 kamionetë me mitraloza të montuar sipër tyre ndërkohë u gjetën të shkatërruar dhe të djegur përskaj rrugës kryesore, afro 3.5 kilometra nga Sirte, njoftoi Reuters. Ishte e qartë se i kishte goditur një fuqi e madhe, shumë më e madhe se ajo që posedon ushtria laramane e kryengritësve libianë, e cila arriti që për tetë muaj të rrëzojë ish-kolonelin libian. Por, në afërsi nuk kishte asnjë krater bombe, gjë që tregonte se sulmi mbase ishte kryer nga helikopteri, me mbështetjen e aeroplanëve. Brenda automjeteve ende shiheshin mbetjet e karbonizuara të vozitësve dhe udhëtarëve të ulur nëpër ulëse. Trupat e tjerë të sakatosur dhe të përgjakur ishin shtrirë nëpër bar. Gjithsejtë rreth 50.

Vetë Gaddafi dhe disa njerëz të tij iu shmangën vdekjes, dhe shpëtimin e kërkuan brenda dy gypave të kanalizimit, që ndodheshin poshtë rrugës kryesore. Por, grupi i luftëtarëve kryengritës tashmë u kishte rënë në gjurmë.

“Fillimisht shitnim nga armët kundërajrore, por nuk kishte ndonjë përfitim nga kjo punë. Kështu që, ia mësymë në këmbë”, i tha agjencisë Reuters luftëtari Salem Bakeer, përderisa disa kryengritës të tjerë ishin ulur skaj rrugës.

“Një njeri i Gaddafit doli para nesh me mitraloz në duar dhe filloi të bërtiste se dëshironte të dorëzohej, por sapo na pa fytyrat filloi të shtinte drejt meje”, vazhdoi ai.

“Pastaj na the se Gaddafi e kishte urdhëruar të na ndalonte. ‘Patroni im është këtu, patroni im është këtu’, bërtiste. ‘Moammar Gaddafi është këtu dhe është i plagosur’”, tregoi Bakeer për fjalët e oficerit të Gaddafit.

“Depërtuam brenda dhe e nxorëm Gaddafin. Ai na pyeti: ‘Çka nuk është në rregull? Çka nuk është në rregull?’. E arrestuam dhe e futëm në automjet”, vazhdoi tregimin Bakeer.

Në atë moment, sipas tij, Gaddafi ishte i plagosur në këmbë dhe në shpinë.

Edhe ushtarët e tjerë që Këshillit Transitor Kombëtar që morën pjesë në kapjen e Gaddafit e konfirmuan versionin e Bakeer për ngjarjen, megjithëse njëri nga ta tha se njeriu që për 42 vjet sundoi me Libinë në momentin e fundit ishte plagosur në gjoks edhe nga një vartës i tij.

“Një roje e Gaddafit e qëlloi atë në gjoks”, tha Omran Jouma Shavan.

Komandanti i ushtrisë së thyer të Gaddafit po ashtu u kap i gjallë, tregoi Bakeer, megjithëse pak më vonë zyrtarët e pushtetit të ri libian konfirmuan se edhe ai ishte i vdekur.

Kabllot e rrëzuara të rrymës elektrike mbulonin një pjesë të hyrjes në gypat e kanalizimit dhe trupat e tre meshkujve të vrarë aty afër. Qartazi që bëhej fjalë për rojet e Gaddafit, njëri prej të cilëve ishte me pantallona të shkurtër, mbas shkaku i një plage të lidhur që kishte në këmbë. Edhe katër trupa të tjerë shiheshin në anën tjetër të gypave. Të gjithë ishin zezakë. Njërit i mungonte koka, tjetrit truri…

Menjëherë pas publikimit të lajmit për kapjen e Gaddafit, luftëtarët e entuziazmuar të Këshillit filluan të arrinin në vendngjarje dhe të shtinin në ajër, duke brohoritur “Allahu Akbar’, dhe duke zënë poza për fotografim. Të tjerët filluan të shkruanin grafite në betonin skaj autostradës.

“Këtu u kap Gaddafi”, thuhej në njërin prej tyre.

Sido që të jetë, prej aty Gaddafi u transferua drejt strehimores së tij të fundit, drejt Sirte’s, ku ai dhe banda e tij e përbërë nga njerëzit më besnikë për dy muaj rresht ishin shënjestër e sulmeve artilierike dhe raketore.

Video-xhirimi i mëvonshëm shfaq Gaddafin të trullosur dhe të plagosur, por ende të gjallë, derisa gjestikulon me duar, ndërkohë që nga një kamionetë e tërheqin zvarrë për flokësh disa nga luftëtarët Këshillit. Pastaj, shihet se si ai bije në tokë dhe rrethohet nga masa e njerëzve.

Zyrtarët e Këshillit Transitor Kombëtar publikuan të enjten vonë se Gaddafi vdiq pas arrestimit, si pasojë e plagëve të marra.

Varrimi i tij, siç u tha nga zyrtarët e Këshillit,është shtyrë për kohë të pacaktuar, ndonëse pritet që varrimi të bëhet në një lokacion sekret në Libi, me qëllim që të shmanget mundësia e keqpërdorimit ose e shkatërrimit të varrit të tij. Ndonëse, shtyrja më tepër ka të bëjë me kërkesën e OKB’së për hetimin e rrethanave në të cilat vdiq Gaddafi. Sipas disa mediave, ai u vra me revolen e vetë nga ana e një kryengritësi rreth 20-vjeçar.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu