Rreth Dino Asanajt dhe vdekjes së tij – Andrea Lorenzo Capussela

0
696

Pak ditë më parë “Koha Ditore” botoi një artikull në të cilin Albin Kurti numëron dhjetë arsye pse e vërteta zyrtare rreth vdekjes së Dino Asanajt nuk është kredibile. Unë pajtohem plotësisht me z. Kurti.Edhe një herë, me heshtjen e turpshme të institucioneve zyrtare, ishte z. Kurti ai që demonstroi se mbreti është lakuriq: duke drejtuar gishtin nga mungesa e besueshmërisë të së vërtetës zyrtare. Njëjtë sikur që bëri dikur Emil Zola në aferën Dreyfus.

E kam njohur Dino Asanajn mirë, sepse çdo muaj rrinim ulur bashkë në Bordin e drejtorëve të Agjencisë së Privatizimit të Kosovës. Unë nuk besoj se ai ka kryer vetëvrasje: ai ishte një njeri i fuqishëm dhe optimist, dhe kishte një bijë të re. Ai nuk ishte njeri që do të merrte jetën e vet për t’u ikur akuzave për korrupsion të cilat, sikur që thotë z. Kurti, nuk ishin as shokuese as të pazakonta, dhe nuk kishin të bënin me kontratat më të mëdha në të cilat Dino ka luajtur rol.

Unë nuk jam pajtuar me Dinon shumicën e kohës, dhe pothuaj vazhdimisht kam luftuar kundër tij dhe propozimeve të tij. Fuqishëm kam dyshuar në lojalitetin e tij ndaj interesit publik, dhe kam menduar se ai ka punuar kryesisht në interes të Thaçit dhe grupit të tij, dhe në interesin e vet personal. Për të qenë edhe më i drejtpërdrejtë, supozoja se nga posti i tij publik Dino ka dëmtuar qytetarët e Kosovës, në emër të elitës së saj, dhe ka kufizuar mundësitë e tyre ekonomike.

Por në Kosovë shumë njerëz të tjerë abuzojnë me funksionet e tyre publike, dhe Dino ishte i vetmi prej tyre për të cilin kisha respekt (sikur që i kam thënë në një rast edhe z. Kurti). Ai ishte i hapur, i guximshëm dhe – në mënyrën e tij – njeri transparent, dhe kur ishte i lirë nga barra e kënaqjes së disa interesave të koncentuara ai e përdorte inteligjencën e tij për të mirën e përbashkët. Pas tri viteve luftimi, ne u bëmë shokë: mendoj që secili prej nesh e shihte tjetrin si një kundërshtar të ashpër por disi të sinqertë. Ne thjesht jemi pajtuar rreth një kodi për duelet tona, dhe që të dy e respektuam atë. Herën e fundit që isha në Kosovë, kisha një drekë të gjatë me të, dhe ndieja se po bisedoja me një mik që ndodhi se kishte marrë rolin e armikut.

Nuk kam dëshmi për këtë që e them, por besoj se ai është vrarë, dhe se arsyet e vrasjes së tij mund të gjinden në marrëveshjet që ai bënte në emër të elitës së Kosovës.

Jam i neveritur nga mënyra me të cilën Thaçi dhe miqtë e tij të tjerë në PDK dhe Qeveri e kanë braktisur Dinon, tani që ai nuk mund ta mbrojë veten, dhe si qyqarë fshihen para gënjeshtrës për vetëvrasjen e tij. Kjo është e ligë dhe e neveritshme. Nëse këta njerëz kanë ndërgjegje, shpresoj se fantazma e Dinos do ta trazojë gjumin e tyre.

Do të doja të përfundoj me një lavd për humanitetin dhe ngrohtësinë e madhe të Dinos, si dhe për moralitetin e tij të çuditshëm e të veçantë.

Nga Andrea Lorenzo Capussela

(Autori, si shef i njësitit ekonomik të Zyrës Civile Ndërkombëtare, ka qenë anëtar i Bordit të drejtorëve të Agjencisë për Privatizim të Kosovës në vitet 2008-2011)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu