Rrëzimi i shtëpive të braktisura të serbëve në Gjakovë, nxit reagimin e Beogradit

0
940

Rrezimi i shtepive serbe

Aksioni për rrënimin e disa shtëpive – gërmadha në rrugën “Mbretëresha Teutë” në Gjakovë, prona të braktisura nga ish – qytetarët serbë të Gjakovës, e ka nxitur reagimin e këtyre të fundit, të cilët nga Serbia kanë thënë se ky është një provokim dhe një përpjekje për t’i trembur dhe ndaluar serbët të kthehen në komunën e Gjakovës.
I pari që ka reaguar ka qenë Gjokica Stanojevic, ish – kryetar i dhunshëm i komunës së Gjakovës, aktualisht përfaqësues i ish – banorëve serbë të kësaj komune. Ai ka thënë se këto veprime janë vazhdimësi e veprimeve që shqiptarët po i bëjnë kundër serbëve në komunën e Gjakovës.

“Kjo është një përpjekje e qartë për t’i trembur serbët që të mos kthehen në shtëpitë e tyre në Gjakovë. Megjithatë, të gjitha këto veprime sistematike tash e 15 vjet, duke na shkatërruar pronat, duke na prishur varrezat e duke na penguar lëvizjen e lirë, po na japin forcë neve dhe po na bëjnë këmbëngulës për një kthim masiv të serbëve në Gjakovë”, ka thënë Stanojevi për mediat serbe, transmeton zeri.info.

Ai ka thënë se për këtë kanë dërguar letra në të gjitha institucionet dhe organet më të larta ndërkombëtare, nga të cilët kanë kërkuar që të ndërpritet rrënimi i shtëpive dhe ato të kthehen në gjendjen e para disa ditëve.

Rrënimin e këtyre shtëpive gërmadha e ka dënuar edhe drejtori i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë Marko Gjuriq, teksa ka bërë thirrje tek bashkësia ndërkombëtare që të ndalojë veprime të tilla dhe të ofrojë siguri për serbët dhe pronat e tyre në Kosovë.

Por, të gjitha këto reagime duket se nuk do ta ndalojnë komunën e Gjakovës për ta realizuar projektin e vet, krijimin e sigurisë për qytetarët e kësaj komune.

I kontaktuar nga gazeta, Ali Tafarshiku, shef i kabinetit të kryetares Mimoza Kusari – Lila nuk ka dashur të merret shumë me reagimet serbe, por ka thënë se komuna e ka ndërmarrë këtë aksion në të mirë të qytetarëve.

“Nuk na intereson të merremi me deklarata politike që vijnë nga Serbia. Ne jemi komuna e Gjakovës në republikën e Kosovës. I kemi Ligjet tona dhe i kemi parimet tona për qytetarët tanë. Për ne ka rëndësi siguria e qytetarëve dhe ashtu siç kemi vepruar me këto objekte do të vazhdojmë edhe me objekte tjera në pjesë të ndryshme të Gjakovës, pa marrë parasysh se a janë ato prona të serbëve apo të shqiptarëve. Po e përsëris edhe një herë, ky veprim i komunës nuk lejon hapësirë për interpretime politike apo etnike dhe është bërë thjeshtë për sigurinë e qytetarëve”, ka thënë Tafarshiku.

Ndryshe, rrënimi i këtyre shtëpive – gërmadha ka ardhur pas pakënaqësive të qytetarëve në rrugën “Mretëresha Teutë”, të cilët javë më parë përmes gazetës “Zëri” patën deklaruar se këto gërmadha po përdoren për prostitucion dhe narkomani. Si të tilla, sipas banorëve ato po paraqesin rrezik për lagjen, kryesisht për fëmijët e lagjes, edhe për faktin se ato ishin kthyer në deponi të egra dhe paraqisnin rrezik nga epidemitë e ndryshme.

Rrenim i shtepive

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu