“Rrugën e Kombit” e ka projektuar në ’95-n Milosheviçi, ja si po përfiton Serbia

0
681

Projekt infrastrukturor i Milosheviçit i vitit 1995 për të hyrë në portet shqiptare nëpërmjet “Korridorit 7”: Durrës-Kukës-Prishtinë. Shkrimi më poshtë është botuar tek portali SETtimes, të cillit i referohet gazeta shqiptare “Lajmi Investigativ”.

Kaqusha Jashari, ish-funksionare e PKJ në Kosovë, ish-drejtore e drejtorisë së rrugëve në vitet 1989-1991 dhe 1999-2007 thotë: “Autostrada Durrës-Kukës-Prishtinë [Korridori 7], që është ndërtuar dhe do të vazhdojë në Merdare, nuk ka kuptim si një korridor, në qoftë se nuk lidhet me Korridorin 10”.

Tani zbulohet se “Rruga e Kombit”, Durrës-Kukës-Prishtinë, quhet ndryshe Korridori i 7-të, ai që i duhet Serbisë për ta lidhur me Nishin e Korridorin e 10-të. Jo vetëm kaq, ajo i siguron dalje në portet shqiptare, sikurse ishte parashikuar qysh në vitin 1995 nga Sllobodan Millosheviçi. Kosova dhe Serbia kanë nisur bisedimet mbi ndërtimin e një autostrade, që lidh të dy vendet, që do të lidhej me autostradën ekzistuese Prishtinë-Durrës. Ekspertët thanë se, nga autostrada do të përfitonin të dyja ekonomitë dhe ajo do të mundësonte kushte më të mira për lëvizjen e njerëzve dhe mallrave midis të dy vendeve, njofton portali “SETimes”.

AKSESI

Në fillim të nëntorit në një takim në Bruksel me Catherine Ashton, shefe e politikës së Jashtme dhe sigurisë, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç diskutuan projektin që BE-ja pritet ta mbështesë financiarisht. “Të dy palët ranë dakord të kenë një grup pune të përbashkët, teknik, për të përgatitur një studim fizibiliteti për autostradën Nish-Prishtinë”, tha Ashton pas takimit.

Autostrada e re do t’i mundësonte Kosovës të lidhej me Korridorin 10 dhe të shkonte më tej drejt Rumanisë dhe Bullgarisë. Për Serbinë, ajo do të hapte rrugë hyrjeje në portet e Shqipërisë. Safet Gërxhaliu, drejtor ekzekutiv i Dhomës së Tregtisë së Kosovës, tha për SETimes, se fondet e BE-së duhet të financonin të tilla projekte infrastrukture, që ofrojnë mundësi për zhvillimin ekonomik. Ai gjithashtu sugjeroi ndërtimin e dy autostradave të tjera, një nga Leposaviç në Rashka dhe tjetra nga Peja në Malin e Zi, për të përmirësuar ndërlidhjen tranzite rajonale.

“Ndërtimi i projektit të autostradës së Nishit duhet të nisë sa më parë të jetë e mundur dhe … duhet të përfshijë një autostradë, që lidh Kosovën me Serbinë, nëpërmjet Rashkës dhe vendeve të tjera”, tha Gërxhaliu.

IDE E MILOSHEVIÇIT

Sipas Milutin Mrkonjiç, ministër serb i Transportit, autostrada Nish-Prishtinë është një ide e vjetër që nga koha e Milosheviçit: “Që në vitin 1995, ne kishim projektuar një hartë të kësaj autostrade. Ajo është përfshirë gjithashtu në planin për zhvillimin e transportit në Ballkan. Ajo duhej të lidhte Rumaninë nëpërmjet Negotin dhe Nishin me kufijtë shqiptarë”, tha Mrkonjiç.

Gërxhaliu shtoi se, stabiliteti politik mund të arrihet nëpërmjet stabilitetit ekonomik. Ai tha se, edhe diaspora e Kosovës dhe komuniteti i biznesit do të përfitojnë nga autostrada e re. “Autostrada do të lidhte Kosovën me vende të tjera rajonale, sepse tregu i Kosovës prej 1,7 milionë banorësh nuk është i madh, por nëpërmjet rrugës së re të tranzitit mund të nxitej një zonë mini-Shengeni ballkanik dhe si e tillë ajo ka një ndikim politik”, tha Gërxhaliu. Kaqusha Jashari, ish-drejtore e drejtorisë së rrugëve të Kosovës dhe deputete, tha se një ndërlidhje e Shqipërisë, Kosovës, Serbisë dhe Bullgarisë do të ishte një rrjet i madh korridori rajonal dhe do të kishte një ndikim të madh ekonomik, politik dhe kulturor. “Autostrada Durrës-Kukës-Prishtinë [Korridori 7], që është ndërtuar dhe do të vazhdojë në Merdare, nuk ka kuptim si një korridor, në qoftë se nuk lidhet me Korridorin 10”, tha Jashari.

POTENCIAL SHUMË-NIVELESH

Goran Rodiç, sekretar i Shoqatës për Ndërtimin dhe Strehimin i Dhomës serbe të Tregtisë tha për SETimes se, autostrada do të shtrihet rreth 80 km në Serbi, me një potencial shumënivelesh, pasi përgjatë saj do të ndërtohen një numër motelesh, karburantesh, restorantesh. Ai tha gjithashtu, se autostrada do të kishte një interes të përgjithshëm dhe fizibilitet ekonomik.

“Ajo duhet të lidhet me Korridorin 10, që do të thotë me BE-në, pasi pikat e saj të reja duhet të jenë: Prizreni, Prishtina, Merdare – Korridori 10 ose Rumania, Hungaria dhe më tej. Ajo duhet të kalojë nëpër Shqipëri mbi Bjeshkët e Namuna, për në portet e Durrësit dhe Vlorës, që duhet të bëhen porte kryesore, shumë më të lirë dhe të përshtatshëm për transport më të madh, se sa Bari dhe Selaniku”, tha Rodiç për SETimes. “Autostrada Nish-Prishtinë duhet të përfundohet, sepse është realiste, absolutisht realiste dhe e dobishme në shumë mënyra, me një numër përfitimesh për mbarë rajonin”, tha Makonjiç.

Kush është Kaqusha Jashari?

Kaqusha Jashari (lindur më 16.8.1946 në Skenderaj, e martuar, dy fëmijë) është politikane dhe inxhiniere ndërtimi kosovare. Është deputete e Kuvendit të Kosovës e PDK-së që nga viti 2007. Ka prejardhje malazeze nga ana e nënës dhe shqiptare nga babai. Prej vitit 1986 deri në nëntor 1988, ajo dhe Azem Vllasi ishin dy politikanët kryesorë të Kosovës. Në nëntor 1988, të dy u larguan gjatë “revolucion anti-burokratik”, për shkak se nuk pranuan ndryshimet kushtetuese, që frenonin autonominë e Kosovës, dhe u zëvendësuan. Në maj 1988 Jashari zëvendësoi Azem Vllasin në postin kryetarit të Komitetit Krahinor të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës. Më 17 nëntor 1988, Jashari dhe Vllasi u detyruan të japin dorëheqjen dhe Rahman Morina u zgjodh kryetari i Komitetit Krahinor më 27 janar 1989. Gjithsesi, në vitet 1989-1991 ka qenë drejtoreshë e Fondit të Rrugëve të Kosovës, kurse në vitet 1991–1999 ka punuar në firma private. Për 8 vjet, në vitet 1999–2007, ka qenë drejtoreshë e Drejtorisë së Rrugëve të Kosovës.

/Shekulli Online/M.A./

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu