Rrugëtimi i dy shteteve shqiptare

0
995

E flasin një gjuhë dhe të ndara padrejtsisht 100 vite më pare, të dyja bashkë synojnë familjen evropiane dhe thirren në parime perëndimore, lidhin miqësi me shtetet perëndimore, thirren në një “komb”, por janë dy shtete të ndara.

Të dyja shqiptare, Kosova dhe Shqipëria, kanë para vetes një rrugëtim me qëllimin e njëjtë, atë të integrimit në Bashkimin Evropian.

Por, ndryshe prej vendeve tjera që kanë kaluar në të njëjtat procese dhe tashmë janë pjesë e familjes evropiane, dy shteteve shqiptare rruga që kanë para vetes u është zgjatur më shumë se që kanë pritur, me shumë sfida që vazhdojnë t’i luftojnë.
Në prag të shënimit të 101-vjetorit të pavarësisë, Shqipëria të njëjtën kohë shënon edhe vitin e katërt prej se ka aplikuar për të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE.

Vlerësohet se asnjë vend nuk është vonuar kaq shumë sa Shqipëria për këtë rekomandim bazuar nga koha kur ka aplikuar.
Në anën tjetër Kosova, e vetmja në Ballkanin Perëndimor që vazhdon t’i nënshtrohet regjimit të vizave, ka nisur dialogun për liberalizim të vizave me BE-në tash e 22 muaj dhe ende nuk ka datë se kur kosovarët do të mund të udhëtojnë lirshëm në zonën e Shengenit.

Politikanët e të dyja vendeve kanë arsyetimin për këto vonesa, Kosova si shtet i lindur shumë vonë, ndërsa Shqipëria me një barrë prapa vetes që asnjë shtet i Evropës nuk e ka pasur, atë të regjimit më të keq dhe më çnjerëzor të Luftës së Ftohtë, së cilës i është dashur të konfrontohet me reperkusionet e kësaj trashëgimie tragjike politike, sociale dhe ekonomike.
Sidoqoftë, sot të dyja të lira për të marrë vendime e për të ecur përpara, i lidh edhe një sfidë e përbashkët, që është lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Krimi e korrupsioni vazhdojnë t’i ndjekin shqiptarët

Çdo vit, Komisioni Evropian që bën vlerësimin e shteteve që kanë synim anëtarësimin në BE, përmes Raportit të Progresit, u rikujton atyre luftën ndaj korrupsionit e krimit, si prioritet kyç, për të cilin vazhdon të mos ketë fjalë të mira, ku e njëjta gjë është përsëritur edhe në raportin e fundit të tetorit të këtij viti.

Vetë përfaqësuesit institucionalë të Shqipërisë dhe Kosovës, i dinë dhe i pranojnë të metat e vendeve të tyre, ani pse shpresojnë se me një punë më të madhe do të arrijnë qëllimin, inkuadrimin e plotë në BE.

“Kemi ende përpara shumë punë për të bërë dhe hapja e negociatave për pranimin në BE, kushtëzohet nga përmbushja e plotë e 5 prioriteteve të mbetura si: krijimi i një administrate profesioniste dhe të depolitizuar; forcimi i pavarësisë së institucioneve të drejtësisë; lufta kundër korrupsionit; lufta kundër krimit të organizuar dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut”, thotë për “Zëri”, Klajda Gjosha, ministre e Integrimit Evropian në Qeverinë e Shqipërisë.

Për përmbushjen e këtyre prioriteteve, ministrja Gjosha thotë se janë të angazhuar maksimalisht, madje përmes një plani veprimi ku parashtrohen qartë masat konkrete që po ndërmerren në përmbushjen e këtyre prioritete.

Beson se me hapat që janë ndërmarrë, Shqipëria në dhjetor të këtij viti do të shpërblehet me dhënien e statusit të vendit kandidat.

“Marrja e statusit të vendit kandidat është vetëm një hap përpara në procesin e integrimit dhe jo finalizimi i tij. Marrja e statusit do të ishte një shtysë dhe nxitje e madhe në realizimin e reformave në mënyrë që të zhvillojmë më tej vendin”, u shpreh ajo.

Krahasuar me Shqipërinë, Kosova në anën tjetër është vetëm në hapat e parë drejt integrimit në BE.

Progresi i parë më i madh i saj është arritur në qershor të këtij viti me fillimin e nisjes së negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA), ku ky dialog deri te nënshkrimi pritet të zgjasë deri në verë të vitit 2014 (proces që shënon marrëdhënien e parë kontraktuale mes Kosovës dhe BE-së).

Petrit Selimi, zëvendësministër i Jashtëm, nuk e sheh Kosovën si të vonuar në këtë proces, duke pasur parasysh faktin që është vend i lindur shumë vonë.

“Kosova është vendi që ka shënuar përparim më të shpejtë se shtetet tjera të Ballkanit në integrime evropiane. Jemi prapa disa vite pasi që sapo nënshkruam MSA-në, por jemi shtet i cili ka lindur shumë më vonë se të gjithë fqinjët tjerë, prandaj edhe progresi te ne ka qenë dramatik”, tha Selimi.

Kosova larg përmbushjes së kritereve

Njohës të çështjeve integruese në dy shtetet shqiptare kujtojnë liderët e tyre, se ata janë vonuar në drejtim të përmbushjes së kritereve evropiane, dhe atë më shumë me faj të tyre.

Kosova ka filluar dialogun për liberalizim të vizave tash e 22 muaj ndërsa ende në horizont nuk shihet se kur kosovarët do të jenë në gjendje të udhëtojnë pa viza në vendet e Shengenit. Duke pasur parasysh që vendet e rajonit kanë fituar lirinë e lëvizjes prej 18-24 muaj nga fillimi i dialogut me BE-në dhe se Kosova ka filluar me zbatim të kushteve prej vitit 2009 – mund të konstatojmë që Kosova tashmë është vonuar në këtë proces”, tha për “Zëri”, njohësi i çështjeve integruese, Shenoll Muharremi.

Më shumë vendosmëri në zbatim të udhërrëfyesit, më shumë fokus në zhvillim ekonomik dhe punësim që të parandalohet azili ilegal, duhet t’i ketë para vetes Kosova, e mbi të gjitha Kosova dhe BE duhet të dakordohen për një afat kohor të qartë në mënyrë që kjo dramë të mos vazhdojë skajshmërisht, vlerësoi Muharremi.

“Pra, në esencë, ky proces ka të bëjë me mirëqenie dhe ne nuk po shohim këtë qeveri që po vetëdijesohet të zhvillojë dhe të zbatojë programe për zhvillim ekonomik dhe punësim. Ajo fatkeqësisht po vazhdon me avazin e vjetër duke shpenzuar mjetet kryesisht në rrugë dhe ndërtime që deri më tash fatkeqësisht kanë prodhuar situatat të vështira si kampet me azilkërkuesit ilegalë në Hungari dhe Francë”, tha ai.

Qeveria e Kosovës para një jave aprovoi Strategjinë e Evropës Juglindore 2020 ku kërkohet që BPV për kokë banori të arrijë 44 për qind të mesatares së BE-së, ndërkohë që Kosova qëndron 11 për qind për momentin, që do të thotë asaj i duhet zhvillim ekonomik prej 22 për qind në shtatë vitet e ardhshme, përndryshe siç thotë Muharremi, me trendet e deritanishme Kosovës i nevojiten edhe rreth 47 vite për të arritur këtë mesatare pa marrë parasysh zhvillimin në BE dhe ndikimin demografik dhe të inflacionit.

Gledis Gjipali, udhëheqës i OJQ-së “Lëvizja Evropiane në Shqipëri”, vlerëson se në raport me Shqipërinë dhe me vendet e tjera të Ballkanit përfshirë edhe Kosovën, procesi i integrimit në BE ka një specifikë.

“Komisioni Evropian duke e parë se këto vende e kanë të vështirë të ecin shpejt në këtë proces, procesin e integrimit e ka zbërthyer në disa provime që këto vende duhet t’i kalojnë për të ecur përpara. Vendet e tjera pos këtyre të Ballkanit në momentin që e kanë statusin e kandidatit iu është caktuar edhe data e fillimit të negociatave. E me vendet e Ballkanit një gjë e tillë nuk ka ndodhur por vetë marrja e statusit dhe data e fillimit të negociatave janë provime të ndara”, tha Gjipali.

Politikat e dëmshme shqiptare

Gledis Gjipali u rikujton liderëve të Shqipërisë se vendi i tij ka hyrë në vitin e katër që nga aplikimi për të marrë statusin për t’u anëtarësuar, dhe për shkak të problemeve, sidomos atyre politike, ky vend është vonuar shumë dhe ka humbur disa vite në procesin e integrimit.

“Duhet kujtuar se asnjë vend nuk është vonuar kaq shumë sa është vonuar Shqipëria për këtë rekomandim duke u bazuar nga koha kur ka aplikuar”, u shpreh ai.

Duhet kujtuar se tërë këto ngecje Shqipëria i ka pasur si rezultat i problemeve me të cilat është karakterizuar në zgjedhjet e vitit 2009, vlerëson Gjipali.

“Kurse tani për të ardhur në situatën aktuale ka ndikuar edhe qeveria e re mirëpo më shumë ka ndikuar mbajtja me sukses e zgjedhjeve dhe më pas ndryshimi i qeverisë pa ndonjë problem. Por edhe qeveria e atëhershme ka ndërmarrë një sërë masash sa i përket integrimit duke përfshirë miratimin e ligjeve që kanë qenë kusht e miratimin e të cilave e kanë bërë me përkrahjen e opozitës së atëhershme”, tha ndër tjerash Gjipali.

Jo mirë sa i përket politikës së brendshme qëndron edhe Kosova, vlerëson Afrim Hoti, njohës i politikave ndërkombëtare. Sipas tij, ndër kriteret kyçe për integrim është politika, pastaj sundimi i ligjit dhe ekonomia.

“Kriteri i parë që lidhet me politikën, me sistemin që ka Kosova ka shënuar shumë pak progres. Vazhdojnë mosmarrëveshjet politike të brendshme, mungesa e komunikimeve dhe vazhdimi i ndarjeve të dy etniteteve, me theks të veçantë veriut”, tha Hoti.

Kosova duke pasur parasysh që të njëjtën kohë gjendet e ngujuar edhe me procese të karakteristikave të tjera, atë me problemet me Serbinë, dialogun në Bruksel, veriun e përfshirë edhe problemet me njohjet e shtetit të Kosovës, ku pesë anëtare të BE-së, vazhdojnë të qesin pengesa, pra janë gjitha këto pengesa që bllokojnë rrugën e saj drejt BE-së, vlerësoi Hoti.

Sidoqoftë, për sferat ku Kosova ka mundur të punojë nuk ka punuar, siç është sundimi i ligjit, reformimi i administratës publike, i cili nuk ka kaluar në asnjë reformë, e probleme këto që vazhdojnë të përsëriten çdo vit në secilin raport ndërkombëtar, vlerësoi Hoti.

“Integrimi evropian nuk është fjalë e as simbol, por është standard. Nuk jemi më shumë evropianë nëse veshim ndërresa me flamuj evropianë, por jemi evropianë nëse plotësojmë standardet evropiane, e për t’i plotësuar ato jemi shumë larg, dhe si të tillë integrim mbetet rrugë shumë e gjatë për ta kaluar”, u shpreh Hoti.

Me fjalë e ndihmojnë njëra-tjetrën

Zëvendësministri i jashtëm i Kosovës, Petrit Selimi, tha se dy shtetet shqiptare do ta vazhdojnë rrugën së bashku drejt anëtarësisë në BE, pasi qe edhe vetë kriteret e Kopenhagës kërkojnë fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim rajonal në integrime evropiane.

Ministrja e Integrimeve e Shqipërisë, Gjosha, përmendi takimin e pak javëve që ka zhvilluar me homologen e saj nga Kosova, Vlora Çitaku, ku tha se kanë diskutuar lidhur me thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në aspektin ekonomik e social.
“Sepse vetëm kështu mund të arrijmë objektivin tonë për të qenë pjesë e familjes Evropiane. Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete që i përkasin të njëjtit komb dhe është e padiskutueshme që të ecin bashkë në rrugën drejt Bashkimit Evropian”, u shpreh ajo.

Gledis Gjipali, nga “Lëvizja Evropiane në Shqipëri”, mendon se këto dy shtete e kanë ndihmuar njëra tjetrën dhe atë fillimisht me qëndrimet pozitive sa i përket bashkëpunimit rajonal dhe po ashtu me çështjet e sigurisë, zhvillimin e tregtisë e të shkëmbimeve tregtare që lehtësojnë në një farë mënyrë adaptimin e çështjeve evropiane.

 

Nga: Besiana Xharra & Selvije Bajrami

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu