Rrumpallat e politikës kosovare

0
859

Socialistët e Shqipërisë ia thonë çdo ditë kryeministrit Sali Berisha, ndërsa Presidentja e Kosovës duket se është bërë arsyeja që për herë të parë termi “rrumpall” apo personi që nuk lodhet për gjërat që ndodhin, nuk i bën përshtypje asgjë, të përmendet për dikë në Kosovë.

Në fakt, zgjedhja e saj si presidente e Kosovës është komentuar gjatë, por Atifete Jahjaga po vazhdon të bëhet lajm më shumë për aftësitë e saj për të qenë udhëheqëse e vendit.

Deklarimet e fundit që asaj “nuk i lejohet të japë dorëheqje” e pak më shumë se vendit nuk i duhet një plan për dialogun me Serbinë, kanë nxitur njohësit e rrethanave të komentojnë për mungesën e përvojës së Jahjagës për pozitën që e mban.

Drejtori i organizatës “ÇOHU” dhe autori i “Biografi e paautorizuar e Adem Demaçit” kanë vlerësuar se deklarata e Jahjagës për dialogun vetëm sa konfirmon atë që është dyshuar gjithmonë, Kosova hyn në procese dialogu me Serbinë tërësisht e papërgatitur.

“Më kujtohet shprehja e vjetër, çfarë ka shpija e qet jashtë fëmija. Presidentja vetëm e ka konfirmuar se në asnjë dialog liderët e Kosovës nuk janë përgatitur. Të gjitha konditat, marrëveshjet dhe çdo gjë tjetër përcaktohet prej faktorit jokosovar. Gjithmonë ka qenë kështu dhe po vazhdon kështu. Natyrisht se këta nuk kanë plan se me vullnet nuk japin asgjë në dialog, por janë të detyruar të veprojnë si veprojnë”, ka vlerësuar Avni Zogiani. Ai shton më pas se me këtë deklarim “kemi të bëjmë me një artikulim të një gjendjeje, një lloj rrumpalle në këtë fushë se gjithmonë pala kosovare ka hyrë pa asnjë ide të veten në negociime të tilla”.

Presidentja e Kosovës duke folur për Radion Evropa e Lirë, të hënën, e ka përmendur Kushtetutën e Kosovës si të vetmin plan që e ka vendi para dialogut me Serbinë. Sipas saj, Kosova “nuk ka nevojë të ketë as plan dhe as strategji, sepse siç e dini, për Republikën e Kosovës strategjia është përcaktuar me aktin e pavarësisë së shtetit tonë. Veprimi konkret është veprim institucional, që ngërthen apo përfshin në vete edhe programin e Qeverisë së Kosovës, veprimet dhe punën e Kuvendit të Republikës së Kosovës… Për ta përmbledhur me një fjali, është zbatimi i plotë i Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës”.

Shkëlzen Gashi pajtohet me vlerësimin e Zogianit se kjo deklaratë verifikon që pala kosovare po i hyn dialogut të ri me Serbinë e papërgatirur, mirëpo gjithashtu komenton paaftësinë e Presidentes që të dijë se as Deklarata e Pavarësisë e as Kushtetuta nuk merren me dialogun Kosovë- Serbi.

“Kjo s’e di që Deklarata e Pavaresisë nuk merret askund në asnjë mënyrë me dialogun e ardhshëm Kosovë-Serbi, e as ligjet dhe Kushtetuta e Kosovës. Edhe Serbia ka kushtetutë dhe ligje, por është duke e hartuar strategjinë e saj për negociata me Kosovën. Gjasat janë shumë të mëdha që Kosova s’ka me pasë fare strategji në këto negociata, sepse përvoja e këtyre dy dekadave na tregon se pala kosovare gjithmonë i ka përqafuar parimet e bashkësisë ndërkombëtare”, i ka thënë “Zërit” Gashi.

Ndonëse nuk ka pranuar të komentojë deklaratën e Presidentes, ministrja për Integrime Evropiane, Vlora Çitaku, ka mendim krejt tjetër prej asaj që e ka thënë Atifete Jahjaga se pala kosovare nuk ka plane apo strategji për dialog.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, edhe para fillimit të dialogut teknik ka pasur platformë të qartë, kornizë të qartë veprimi si në nivelin teknik, ashtu edhe në atë strategjik e politik. Në asnjë bashkëbisedim, me asnjë vend fqinj, e aq më pak me Serbinë nuk kemi hyrë të papërgatirur dhe të pakoordinuar me partnerët tanë”, ka thënë ministrja Çitaku.

Në fakt, gazeta Zëri në shkurt të këtij viti kishte botuar atë që është quajtur “Vizioni i qeverisë për Veriun”, ku janë paraparë një seri masash për këtë pjesë të territorit dhe atë që është quajtur “dialogu me qytetarin e veriut të Kosovës”. Këto masa janë paraparë të nisen së zbatuari në muajin mars, ndërsa ajo që dihet deri më tash është hapja e Zyrës Administrative në veri të Mitrovicës, zyrë kjo që funksionon në kuadër të Qeverisë kosovare.

Pse Atifete Jahjaga ka thënë diçka krejt ndryshe prej asaj që po kërkohet me ngulm edhe nga vetë partnerët e Kosovës në botën perëndimore, nuk dihet saktë, mirëpo për analistët, Presidentja mbetet një politikane me njohuri edhe më të vogla se pjesa tjetër e skenës politike të Kosovës.

Avni Zogiani thotë se derisa politikanë të tjerë në Kosovë kanë mësuar të fshehin mosnjohuritë apo mungesën e planeve të palës kosovare, Atifete Jahjaga me deklarime si ato të bëra pardje, tregon se nuk ka mësuar as rregullat më të thjeshta të marrëdhënieve me publikun, se jo çdo gjë duhet thënë në opinion.

“Unë as që pres Presidenca të ketë ndonjë plan, sepse tek e fundit Presidentja nuk ka treguar se ka ndonjë përgatitje dhe më sa e di unë nuk ka as staf që mund të ketë ndonjë kompetencë për të përgatitur diçka të tillë”, ka vlerësuar drejtori i “Çohu”.

 

nga Artan M. Haraqija

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu