Rugovasit rrezikojnë të humbin pronat

0
432

Tokat e rugovasve që shtrihen përgjatë vijës kufitare me Malin e Zi tani e shumë vite kanë mbetur djerrina, pasi që këta banorë që prej se mbajnë mend verën e kanë kaluar aty me bagëtinë e tyre, mirëpo që nga paslufta nuk po lejohen të dalin më nga “banditët malazez”.

Një grup banorësh të kësaj treve ka kohë që kërkon nga komuna e Pejës që t’ju ndihmojnë të kthejnë në pronësi tokat që kanë mbetur jashtë kufirit, mirëpo nuk po mund të gjejnë zgjidhje.

Idriz Muriqi, banor i fshatit Koshutan, me disa bashkëfshatarë dhe banorë tjerë të fshatrave kufitare me Malin e Zi përderisa pritnin para dyerve të komunës për t’u takuar me dikën që t’iu ndihmojë në hallet e tyre, ankoheshin se askush nuk po interesohet për këtë problem.

“Territori i Kosovës çdo ditë e më shumë po tkurret rrëzë bjeshkëve, duke përfshirë edhe tokat tona për të cilat kemi dokumente. Ky është problem kombëtar dhe të gjithë duhet të ngrihen në këmbë e ta zgjedhin, por askush s’po merret me probleme të popullit”, ankohet Muriqi.

Në pamundësi për të gjetur zgjidhje, Muriqi thotë se tash nuk di se te kush të drejtohet për t’u ankuar lidhur me problemin e tij, pasi komuna thotë se nuk ka mundësi dhe as kompetenca. Por, Shefqet Uka, nënkryetar i Komunës së Pejës, ka thënë se kontestet kufitare, përfshirë këtu edhe ato të pronave private, janë në kompetencë të institucioneve të dy shteteve fqinje.

Sipas tij, komuna vetëm mund të dëgjoj hallet e qytetarëve të saj, ndërsa të njëjtat mund t’i procedojë në adresën e institucioneve qendrore të së Kosovës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu