Rusia: Kryeministri ukrainas ka luftuar përkrah Çeçenëve

0
547

Arseni

Autoritetet ruse kanë akuzuar sot kryeministrin ukrainas, Arseni Yatseniuk, se ka luftuar përkrah rebelëve çeçenë kundër ushtrisë ruse ndërmjet viteve 1994 e 1995, akuza që menjëherë janë hedhur poshtë nga Kievi.

“Sipas hetuesve, Arseni Yatseniuk ka marrë pjesë në së paku dy përleshje të armatosura që kanë ndodhur më 31 dhjetor 1994 në sheshin Minutka, në Grozni, dhe në shkurt 1995 afër spitalit numër 9 të kryeqytetit çeçen”, ka thënë në një intervistë për “Rossiyskaya Gazeta”, kryetari i Komitetit hetues rus, Alexander Bastrykin, përcjell “zeri.info” informacionin e publikuar nga mediet ndërkombëtare. Sipas tij, kryeministri ukrainas po ashtu ka marrë pjesë në “akte torture dhe në ekzekutime të ushtarëve të ushtrisë ruse” në Grozni më 7 janar 1995, gjatë luftës së parë të Çeçenisë.

Sipas Komitetit hetues, ai ka luftuar në kuadër të batalioneve të quajtura “Argo” dhe “Viking”, të drejtuara nga Olexandre Mouzitchko, i quajtur “Sashko i Bardhi”, një përgjegjës rajonal i lëvizjes ultranationaliste ukrainase “Pravy Sektor”, i vrarë vitin e kaluar nga policia, raporton “zeri.info”. Sipas hetuesit Bastrykin, z. Yatseniuk pastaj është larguar nga Çeçenia në fillim të vitit 1995 për t’u kthyer në Ukrainë përmes Gjeorgjisë.

“Kjo është një diagnozë klinike e pushtetit rus: drejtësia e Stalinit, e përzier me propagandën e Goebbelsit, dhe e konfirmuar dhe e nënshkruar nga Vladimir Putin”, ka reaguar kryeministri ukrainas, i cili është për një vizitë në Poloni. Zëdhënësja e tij kishte reaguar ashpër në faqen e saj në “Facebook”. “Ne këshillojmë autoritetet ruse t’i bëjnë një ekspertizë psikiatrike kryetarit të Komitetit hetues Bastrykin”, ka shkruar Olga Lappo.

“Është e vështirë të reagosh në absurditete të tilla”, ka shtuar ajo në një prononcim për AFP-në. Sipas biografisë zyrtare, Yatseniuk ndërmjet viteve 1994 dhe 1995 (atëherë rreth të njëzetave), ishte student i drejtësisë në universitetin shtetëror të Çernivcit dhe kryesonte një kabinet avokatësh. Duhet theksuar se Arseni Yatseniuk nuk është personaliteti i vetëm publik ukrainas i akuzuar nga Bastrykin se ka marrë pjesë në luftimet në Çeçeni. /Zëri

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu