Sa do të zgjasin llafet…?

0
601
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi edhe në Iowa të SHBA-ve përmendi Traktatin e Paqes, që nuk ndryshon politikisht aspak nga Traktati i Miqësisë me Serbinë, si një ide që duhet të kishte si qëllim final arritjen e fqinjësisë së mirë me Serbinë, si njëra nga mënyrat për të stabilizuar gjendjen edhe më tej në rajon.  Udhëzimi për hartimin e përshpejtuar të Traktatit të Miqësisë me Serbinë dhe oferta e GU-së,  gjatë mandatit të qeverisë së parë të ashtuquajtur “Thaçi 1” ishte ofertë e hershme dhe qyqare, ishte njëra ndër dështimet më të turpshme të formacionit të pakuptimtë, PDK-LDK, që hapi portën e koncesioneve të mëvonshme politike, sipas agjendës së gatitur më heret.
Janë shumë qesharake deklarimet e dështakëve frikacakë, të cilët ofrojnë kinse zgjidhje të shekullit XXI, është shumë e përçudshme retorika e tillë diplomatike, aspak serioze, ngase zgjidhja e problemit të Kosovës është e tashme, ndërkombëtarisht e pranuar, pra marrëveshja Ahtisaari ishte projekt i përbashkët i serbëve, i kosovarëve dhe ndërkombëtarëve, më saktësisht ai projekt që çoi në shpalljen e pavarësisë ishte edhe i amerikanëve, edhe i BE-së dhe i palëvë në konflikt Serbisë dhe Kosovës, ata kishin edhe të emisarë që udhëhenin bisedimet që përfunduan me shpalljen e pavarësisë së Kosovës; ishte përpjekje për rivendosjen e drejtësisë së mohuar, e dënimit të një politike qyqare dhë fashiste e regjimit serb, jo prognozë “meteorologjike”.  Gjuha diplomatike është shumë e saktë, e bazuar dhe e mbështetur në njohje të përpiktë të fjalorit diplomatik, nuk ishte gjuhë e kolumnistit.
Ai për këtë ide kërkoi angazhimin e SHBA-së dhe BE-së. Kuçi nuk e thotë, por ka parasysh marrëveshjet e mëhershme të nënshkruara nga përfaqësuesitë special të OKB-së, UNMIK-ut” me qeverinë-ish jugosllave (Serbi+ Montenegro), me pajtueshmëri të plotë që  parlamenti i zgjedhur i Kosoves do te duhet te zgjedhë një president i cili më pas do të emërojë një kryeministër për të formuar qeverinë e re e cila do të merret me disa çështje të brendëshme. Por UNMIK ruante kontrollin mbi politikën e jashtëme, atë monetare, drejtësinë dhe rendin publik, ndërsa Forca Mbrojtëse e Kosovës, KFOR, do te jetë përgjegjëse per mbrojtjen dhe çështjet e sigurisë, a ndryshojë esencialisht gjë nga ajo kohë (?), përveqëse UNMIK u zëvendësua me EULEX; dmth problemi nga UNMIK kaloi ne EULEX…, apo ofertës së mëhershme  serbe “më shumë se autonomi e më pak se pavarësi” iu ndërrua adresa.
Pala shqiptare pas pavarësisë së shpallur, nuk shtriu sovranitetin e plotë në tërë territorin e saj, dhe tash merr përsipër vullnetarisht të kryejë obligimet. Ka sqaruar saktë eksperti i të drejtës ndërkombëtare, shqiptaro-amerikani, Prof. dr. Mehdi Hyseni, se Kosova së pari duhet të pranohet anëtare e OKB-së, pastaj të nënshkruaj “Traktat-paqeje”, çështja është se Kosova   nuk po ka mekanizma, as mundësi, të ralizojë së pari marrëveshjet teknike me palën serbe, e lëre më atë ndërshtetërore, pa pranim të ndërsjelltë, dhe kush do të bëhej garant i Traktatit, dhe sa është reale që pala serbe do ta pranonte këtë, kur nuk kushtëzohet nga BE-ja për për të pranuar pavarësinë e Kosovës, dhe si do të pranojë Serbia kur në po ato pozicione qëndron 5-ja evropiane; Greqia, Spanja, Qiproja, Rumania dhe Sllovakia. Dhe si do të ndodhë kjo, kur Kosova pranoi fusnotën 1244 dhe te gjitha vendimet te cilat nuk janë në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila thote se Kosova është teknikisht ende pjesë e Jugosllavisë, dhe Serbia do t’i hedhë poshtë, ky projekt aktualizohet në kohën më të keqe kur kryatar i Asamblesë së përgjithshme të OKB-së është ish ministri serb i punëve të jashtëm, Vuk Jeremiq.
Si duket qeverisë aktuale i mungon kreativiteti politik, nuk është ky vetëm një gabim në hapa i Kuçit, aq sa është i kryeparlamentarit Krasniqi, i cili flet e nuk thotë gjë, përmend çështjen e reciprocitetit të veriut të pasur me xehe të Kosovws me Luginën e Preshevës, edhepse e din mirë që qeveria e Kosovës nuk ka ngritur zyrtarisht asnjëherw çështjen e Kosovës Lindore-Luginës së Preshevës, edhepse këtë kanë kërkuar sa e sa herë përfaqësuesit politik të Luginës, pse z. Krasniqi nuk kërkron që të takohet me ta zyrtarisht nw Preshevë ?
Kuçi në konferencën ‘Programi i Partneritetit midis shtetit të Iowas në SHBA dhe Kosovës’, elaboroi se me Traktatin e Paqes duhet të mbyllet kapitulli i konfliktit në mes të dy vendeve dhe popujve, duhet të përfshihet njohja reciproke në mes të dy shteteve, respektimi i tërësisë territoriale, mospengimi i njëri-tjetrit në fushat e integrimeve rajonale, evropiane, në OKB dhe mekanizmat tjerë ndërkombëtare, çështja e reperacioneve të luftës, kërkimi i faljes nga ana e Serbisë si dhe fushat e mundshme të bashkëpunimit ekonomik, transporti etj. Si do të ndodhë kjo pa konvokimin e një konferencë ndërkombëtare të paqes? Dhe për këtë nuk është i interesuar as komuniteti ndërkombëtarë, meqenëse kjo do të kushtonte shumë shternjtë, dhe një konferencë e tillë as që do të vehej në diskutim nga problemet e shumëta që janë në botë, kriza me Iranin, lufta civile në SIri, vendosja e ombrellës së sigurisë ne Poloni…
Është pra skajshmërisht i papranueshëm koketimi i disfavorshëm me palën serbe, e cila edhe pse zhvlerësoi kolektivisht shqiptarët duke zbatuar deportimin e dhunshëm kolektiv, spastrimin etnik, në vend të gjuhës së ashpër denoncuese kundër Serbisë, asaj i falen të gjitha të bërat e llahtarshme, nuk e di kush ua dha atë të drejtë, apo kështu ata luajnë me dinjitetin e nëpërkëmbur të qytetarëve, që pësuan krimet më të rënda të pas Luftës së Dytë Botërore. Çfarë do të ishte kjo botë nëse kaq lehtë falen krimet, dhe a kanë këta njerëz kujtesë historike? Në çfarë stadi do të ishte njerëzimi sikur Gjermanisë hitleriane dhe pas hitleriane t’i ofrohej një pakt i tillë i miqësisë, për hir të ardhmes, apo “serial killer”-ve t’u falen krimet, po të premtonin se nuk do të kryenin vrasje të reja…!? Turpi nuk paska fund!
Prezantimi kaq i dobët dhe i paparashikueshëm nën çdo nivel, shkakton edhe nebulozë të panevojshme edhe te faktori ndërkombëtarë. Martesa e sërishme e Kosovës me Serbinë është e paqëndrushme, dhe nuk ka relaksim të raporteve pa u kryerë “divorci” i ligjshëm, i pranuar nga të dy shtetet, pastaj varet nga palët e papajtuara se çfarë raportesh reciprociteti do të ndërtojnë në t’ardhmen, pra një formulim i tillë i “miqësisë” është shumë qesharak dhe deningrues.
Tjetër është të jipen formulimet gazetareske të analistëve, duke pranuar edhe prognozimet e tyre, por jo e një qeverie përfaqësuesish që pretendon të zgjidhë statusin e Kosovës në favor të interesit nacional, që do të kurorëzohej me divorc të natyrshëm nga Serbia dhe pranim të pavarësisë, nga ana e saj. Ky grup përfaqëuesish (parti politike shqiptaro-serbe-turke-boshnjake-rome-ashkalinjësh) duhet të kuptojë se duhet të marrë hapa konkret dhe me përgjegjësi, nuk duhet lejuar që vazhdimisht të jenë pre e eksperimenteve ndërkombëtare por  të barikadojnë qëndrimet për të mos hezituar me marrë vendime të përgjegjëshme. Së pari duhet të na bindin se vërtet janë stoik në kërkesën e vetme dhe të natyrshme për shtet sovran. Nëse nuk kanë një guxim të tillë këtë pyetje mund t’ua shtrojnë qytetarëve përmes votës.  A e duam vërtetë pavarësinë me të gjitha konsekuencat e mundshme apo jo, apo do të vazhdojmë të luajmë lojën e simulimit të republikës së pavarur? Eshtë pyetje që do përgjegje!
Kohës së “muajit të mjaltit” që zgjati aq shumë, duke grabitur miliona të tatimpaguesve, por edhe duke stërkequr procesin e privatizimit, po i skadon afati, veç sa shton shqetësimet, a do të veprohet me përgjegjësi apo do të pranohet shtyrja e mëtejme, duke frikësuar shqiptarët me zgjidhje aspak të natyrshme dhe të pa përtypshme si me atë të “qiproizmit”, apo atë të “palestinizimit”, ngase problemi i Kosovës është vazhdimësi e shthurrjes përfundimtare të ish Jugosllavisë, por edhe i pranimit të një politike reale në teren, të pavarësisë. Janë dhënë sinjale të mjaftueshme deri më tash për të vendosur përfundimisht për hapat e mëtejmë, ngase vet ish-presidenti Bush, i cili u pat pozicionuar në Tiranë, qartë, në anën e drejtësisë, a duhet kuvendarët të hezitojnë ende, për të kuptuar detyrat e tyre.
Është e vërtetë që shqiptarët kanë ndërmarrë hapa edhe më heret në këtë drejtim, por nuk i zbatuan asnjëherë, edhe për shkak të rrethanave jo të favorshme, të atëhershme. Fatmirësisht rrethanat kanë ndryshuar, është krijuar një realitet i ri, shumë i përshtatshëm falë luftës histrorike të UÇK-së, duhet vetëm të materializohen politikisht frytet e luftës së fituar, me ndihmën e NATO-s, dhe historikisht kuptohet se asnjë luftë nuk është fituar pa aleat. Gjatë luftës së Dytë Botërore, Evropa u çlirua nga qizma e Hitlerit falë ndihmës ushtarake dhe asaj në armatim të amerikanëve. Edhe Izraeli fitoi pavarësinë me ndihmën e britanezëve, por ata pa asnjë mëdyshje reaguen me konsekuencë duke shpallur pavarësinë.  Edhe çka duhet të ndodhë që shqiptarët të mos vonohen për të përligjur një akt shumë të rëndësishëm dhe historik. Kuptohet që krahas këtij procesi të pashmangshëm duhet të riparohet autoriteti i institucioneve demokratike dhe të brishta të Kosovës. Se sa do të jenë përfaqësuesit në nivel të detyrës varet nga ata, jo vetëm premtime të kota aspak të mbështetura politikisht.
Kosova tash për tash nuk ka nevojë për premtime “djerrakohe” të zhvillimit të menjëhershëm ekonomik, ka nevojë për një poltikë të qartë, dhe reale, jo vetëm të realizimit të shtetësisë dhe të sovranitetit të padiskutueshëm territorial, por edhe të sundimit të ligjit, duke departizuar institucionet shumë të rëndësishme të shtetësisë: arsimin, shëndetësinë, gjyqësinë, policinë…, duke profesionalizuar shërbimet, por edhe krijimin e kornizës së nevoshme ligjore, duke i bindur zgjedhësit se politika nuk do të implikohet drejtpëdrejtë në këto institucone, për atë duhet të angazhohen subjektet politike që sa herë mbahen zgjedhjet kandidohen për të fituar besimin e zgjedhësve-pushtetin përmes votës, duke hartuar kodin etik, jo vetëm të mirësjelljes, por edhe atë të zbatimit të ligjshmërisë i pranueshëm nga të gjitha palët.
Shkruan: Agim Vuniqi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu