Sa gjilanas kishin marrë pjesë në Betejën e Kaçanikut dhe kush u printe atyre

0
142
Sa gjilanas kishin marrë pjesë në Betejën e Kaçanikut dhe kush u printe atyre

Kryengritësit shqiptarë të regjionit të Gjilanit kanë zhvilluar e fituar beteja të mëdha gjatë një shekulli përpjekje për liri kombëtare. Këta kryengritës, në krye me Idriz Seferin, në prill 1910, në Betejën e Kaçanikut, e mundën edhe ushtrinë osmane.

Në një raport të Mita Dimitrejoviq, nëpunës i konsullatës serbe në Shkup, të datës 12 (29) prill 1910, përshkruhet marrja e Grykës së Kaçanikut nga kryengritësit shqiptarë: “Të premten, më 22 prill 1910, kryengritësit e Gjilanit janë nisur për në Moravë dhe të shtunën më 23 prill 1910 futën nën kontroll Grykën e Kaçanikut, kurse më 24 prill e ndalën trenin që qarkullonte prej Mitrovicës në drejtim të Shkupit”.

Sipas historianëve shqiptarë, në mesin e udhëtarëve kishte edhe gazetarë të huaj të cilët po ndiqnin nga afër ekspeditat e gjeneralit osman Shefqet Turgut Pasha.

Sipas historianit Naim Musliu, Kaçaniku ishte pjesë taktike e krerëve të kryengritjes, por meritën më të madhe për këtë e kishte Idriz Seferi, prijës i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare të Kazasë së Gjilanit e më gjerë, i cili ishte shquar si komandant dhe strateg i rrallë.

Për mençurinë dhe strategjinë e mirë që përdorën prijësit e kryengritësve të kazasë së Gjilanit, Preshevës e Kumanovës njoftonte edhe konsulli austro-hungarez në Selanik, i cili thoshte se shtënia në dorë e kësaj gryke ishte bërë me mençuri dhe se kjo fitore i detyroi shumë vëzhgues e gazetarë të supozojnë se në mesin e kryengritësve kishte edhe këshilltarë ushtarak austro-hungarez.

Fitorja e kryengritësve shqiptarë alarmoi kryeqytetin e vilajetit të Kosovës, se kryengritja shqiptare ishte shumë serioze dhe po e kërcënonte ekzistencën e Perandorisë Osmane në Ballkan. Nga frika se kryengritësit gjilanas do të vërsulen drejt Shkupit, si qendër e Vilajetit, autoritetet osmane përforcuan pozitat strategjike të këtij qyteti, duke vendosur ushtrinë osmane jashtë Shkupit në drejtim të Kaçanikut, e cila kërkonte përforcime ushtarake nga Selaniku.

Kjo ishte një përgjigje e shqiptarëve ndaj qeverisë xhonturke e cila kishte marrë masa për shuarjen me forcë të kryengritjes së armatosur shqiptare. Për shtypjen e kësaj kryengritje ishte caktuar gjenerali osman Shefqet Turgut Pasha, i cili më 16 prill 1910, niset për në Kosovë, me një ushtri prej 16 mijë pjesëtarëve. Plani i nënshtrimit të kryengritësve do të fillonte në fushën e Kosovës pastaj do të vazhdonte në Dukagjin dhe në fund do ta nënshtronte Lumën.

Për të filluar ekspeditën, gjenerali osman mori informacionet e nevojshme nga shërbimet sekrete dhe pastaj hartoi një plan operativ.

Fillimisht, Shefqet Turgut Pasha nuk mori masa ushtarake. Ai, pas vendosjes së ushtrisë së tij në sanxhakun e Prishtinës dhe të Pejës, ftoi prijësit e Shqipërisë Verilindore të heqin dorë nga kërkesat e tyre dhe të shpërndaheshin, por shqiptarët ishin të vendosur në kërkesat e tyre dhe kështu filluan të organizohen tubime në gjithë vendin.

Në tubimin e Pozheranit, ku kishin marrë pjesë rreth 3000 kryengritës të kazasë së Gjilanit, Preshevës e Kumanovës, sipas konsullit serb në Prishtinë, u vendos që të fillojë kryengritja e armatosur dhe vetëm pritej sinjali për ta sulmuar Grykën e Kaçanikut.

Për këtë u njoftuan edhe kryengritësit e kazasë së Preshevës dhe Kumanovës. Një tubim tjetër u mbajt edhe në Viti, më 18 prill 1910, në të cilin morën pjesë rreth 4000 shqiptarë dhe pos tjerash u vendos që çdo shqiptar i aftë për pushkë duhet t’i bashkohet kryengritjes kundër ushtrisë osmane.

Më 20 prill 1910, Idriz Seferi në krye të 2000-3000 kryengritësve nga kazaja e Gjilanit, u vendos në mbrojtje të Grykës së Konçulit. Në të njëjtën kohë, krerët e kryengritësve shqiptarë nga malësia e Zhegocit, Karadaku dhe Karadaku i Shkupit u mblodhën për një takim në Pozheran. Aty u mor vendim që kryengritësit të marshojnë në drejtim të Smirës, Sadovinës e Goshicës dhe të arrijnë në Grykën e Kaçanikut.

Më se tremijë kryengritës të kazasë së Gjilanit, Preshevës e Kumanovës, të udhëhequr nga Idriz Seferi, Adem e Mustafë Kabashi, Sali Jupina, Hasan Lyta, Katil Ahmeti, Fetah Proshi e Hajdar Demoshi etj., me planin që e kishin krijuar më herët, më 23 prill 1910, morën Grykën e Kaçanikut.

Të nesërmen, më 24 prill, te Guri i Shpuar në Kaçanik, kryengritësit ndaluan trenin e udhëtarëve Shkup – Mitrovicë, çarmatosën oficerët dhe ushtarët osmanë që ishin në tren, kurse vagonët me ushqim të dedikuar për ushtrinë e Shefqet Turgut Pashës i morën kryengritësit për nevoja të veta dhe e urdhëruan makinistin që ta kthente mbrapa trenin me udhëtarë.

Lavdisë së kryengritësve shqiptarë, rapsodët i kanë kushtuar edhe këngën “Turgut Pasha, mor Turgut….” /mediafokus./

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu