Sabit Geci pranon fajësinë për vrasjen e Gani Berishës

0
1259

Gjykata e Prishtines

Të martën në Gjykatën e Apelit në Prishtinë u mbajt seanca për shqyrtimin e ankesës së mbrojtjes së të dënuarve Sabit Geci, Rrustem Geci dhe Hetem Geci.

Pikërisht në seancën ku duhej të apelohej vendimi me të cilin ishin dënuar më burgim, Sabit Geci pranoi fajësinë për vrasjen e Gani Berishës në vitin 1999 në Skenderaj.

Këta të akuzuar nga Gjykata në Mitrovicë ishin gjetur fajtorë dhe ishin dënuar me nga 12 vjet burg për akuzën e vrasjes së Gani Berishës më 18 qershor 1999 në Skenderaj.

Para panelit të Gjykatës së Apelit në Prishtinë elaboruan ankesën e tyre avokati i Sabit Gecit, Tahir Rrecaj dhe avokati i Rrustem Berishës, Mahmut Halimi, ndërsa avokati i Hetem Gecit, Fatbardh Makolli, nuk ishte i pranishëm.

Avokatët mbrojtës në ankesat e tyre kishin kontestuar aktgjykimin me pretendimin se kishte pasur shkelje esenciale të procedurës dhe se gjendja faktike nuk ishte vërtetuar drejt.

Pas elaborimit të ankesave të avokatëve, avokati Tahir Rrecaj tha se kishte pasur një diskutim me klientin e tij dhe se ai dëshiron t’i drejtohet panelit para avokatit.

Gjyqtarja ia mundësoi këtë kërkesë të avokatit Rrecaj.

“I kërkoj falje Gjykatës dhe avokatit sepse nuk e kam treguar realitetin sepse ne nuk kemi qenë bashkë kur ka ndodhur rasti sepse vetëm unë kam qenë në vendngjarje”, filloi rrëfimin e tijë Geci.

“Deri në mbramje kam qenë në shtëpi, në mbramje rreth orës 6 kam shkuar te spitali sepse kam qenë i lënduar. Në hyrje të spitalit kam hasë një person me revole në dorë, unë njëherë i kam kërkuar që ta hedhë revolen por nuk ka dëgjuar, dhe ka shtier në drejtim të njerëzve, edhe KFOR-i ka qenë prezent, prandaj kam kërkuar një raport të tyre, pastaj kam shtier njëherë në hyrje të spitalit. Unë nuk e kam njohur atë person, tek pas një muaji e kam kuptuar se kush ka qenë ai”, rrëfeu ngjarjen Geci.

Geci tregoi gjithashtu se në atë kohë kishte qenë polic ushtarak.

Geci poashtu shprehu keqardhjen e thellë për kushërinjtë e tij të cilët, sipas tij, qëndrojnë të pafajshëm në burg.
“Më vjen shumë keq për kushërinjtë e mi që rrinë në burg pa bërë kurgjo hiq”, tha Geci.

“Kjo është e vërteta dhe më vjen keq që ka marrë kaq shumë”, shprehu keqardhjen Geci.

Avokati i Gecit, Tahir Rrecaj, tha se këtë informacion e kishte kuptuar para pak kohe dhe se i kishte treguar pasojat e këtij veprimi, por “brejtja e ndërgjegjes” e të mbrojturit të tij kishte qenë me e rëndë sesa çdo dënim tjetër.

“Ma e rëndë është brejta e ndërgjegjes që njerëz të pafajshëm po qëndrojnë në burg dhe mund të kenë pasoja në të ardhmen sesa dënimi që ky eventualisht do ta vuajë me pranimin e kësaj vrasje”, tha Geci.

Rrecaj poashtu tha se frika nga një dukuri që është ekzistente te shqiptarët poashtu kishte ndikuar në pranimin e fajësisë.

“Zonja kryetare, ju jeni që një kohë në Kosovë dhe e dini se disa dukuri fatkeqësisht te ne janë ende të pranishme, si dukuria e hakmarrjes dhe gjakmarrjes dhe se Sabiti më ka thënë që e bren shumë ndërgjegjja që nëse familja Berisha do të hakmerrej ndaj Rrustemit e Hetemit e të cilët nuk kanë asnjë faj lidhur me vrasjen”, tha Rrecaj.

Avokati Rrecaj kërkoi nga Gjykata e Apelit që ta anulojë aktgjykimin e shkallës së parë.

“Unë besoj që në një situatë të tillë ju kolegj i nderuar gjykues do ta anuloni këtë aktgjykim dhe do të ktheni çështjen në rigjykim ku do të administrohen provat lidhur me krejt ngjarjen se si ka ndodhë”, tha Rrecaj.

Avokati i Rrustem Gecit, Mahmut Halimi, tha se kjo provë e ndërlidhur me provat e tjera vërtetojnë pafajësinë e Rrustem e Hetem Gecit.

“Ka dalë në sipërfaqe një provë shtesë e cila e ndërlidhur me provat e tjera të marra nga aktgjykimi i shkallës së parë vërtetojnë pretendimin e mbrojtjes dhe të pandehurit Rrustem Gecit se ai nuk ishte i involvuar në këtë rast dhe se ishte viktimë e këtij rasti”, tha Halimi.

Edhe i dënuari Rrustem Geci u betua se është i pafajshëm./Kallxo.com/

“Betohem në fëmijët e mi, betohem në drejtësi se jam i pafajshëm”, tha Rrustem Geci.

Edhe i dënuari tjetër, Hetem Geci, deklaroi pafajësinë e tij.

Gjykata e Apelit do ta marrë vendimin lidhur me këtë rast në ditët në vijim.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu