Saga e Samiut: Ma dhunuan gruan për 10 vjet, Prokuroria e mbylli rastin

0
815

Një grua deklaron që është dhunuar për afro 10 dhjetë vite nga tre persona, dhe për këtë vazhdon të jetojë në strehimore me tre fëmijët e saj. Analiza e ADN’së tregon që fëmijët nuk janë të burrit të saj, por Prokuroria në Gjilan vendosi që ta mbyll rastin. Express sjell rrëfimin e Sami Memës nga Vitia i cili tash po kërkon drejtësi. Por, pas nisjes së hulumtimit nga Express , Zyra e Prokurorit Disiplinor ka nisur hetimet.

Një hulumtim afro dy muajsh i Express ngrit dyshime të fuqishme për së paku parregullsi e shkelje të të drejtave të njeriut, por edhe për korrupsion në Prokurorinë Themelore në Gjilan, në rastin e një gruaje që deklaron që është dhunuar sistematikisht për afro 10 vite nga tre persona, dy prej të cilëve janë të afërm të burrit.

Viktima, emrin e së cilës për shkaqe etike Express nuk do ta publikoj, është ende në një qendër strehimi për viktimat dhe ku me vete mban dhe tre fëmijët e saj, fëmijë të cilët një analizë ADN’je e bërë në Shkup, konfirmon që nuk janë fëmijët biologjik të burrit të saj.

Megjithëse ajo deklaron që është dhunuar sistematikisht, e po ashtu edhe provat flasin që fëmijët nuk janë të burrit të saj, ajo kurrë nuk e ndryshoi deklaratën që është viktimë e dhunimit me kërcënim. Por pavarësisht se viktima vazhdon të jetojë në strehimore, Prokurori i Shtetit, Shaban Spahiu vendosi që ta mbyllte këtë rast dhe tre të përmendurit në deklaratën viktimës të mos i ndiqte penalisht.

Pas shtrimit të këtyre pyetjeve nga Express, Zyra e Prokurorit Disiplinor (ZPD) ka nisur një hetim në këtë rast. “Në bazë të dëshmive të bashkangjitura, të cilat Ju na i keni dërguar në dijeni, ZPD sipas detyrës zyrtare do të ndërmarrë veprimet e nevojshme në mbështetje të mandatit ligjor që ka”, thuhet në një përgjigje që Express ka marr me postë elektronike nga Zef Prendrecaj, Drejtor i ZPD’së.

Mema: Prokuroria nuk më morri seriozisht pasi që nuk kam para

Natën e 16 gushtit 2013, Sami Mema nga Vitia kishte zënë në shtëpinë e tij një person. Në kallëzimet penale që ai ka ushtruar në Prokurorinë e Shtetit thotë se atë person e kishte zënë duke bërë marrëdhënie seksuale me bashkëshorten e tij.

Sipas dokumenteve që ka siguruar Express gjatë hulumtimit afro dy mujor të këtij rasti, del se bashkëshorti Mema e kuptoi që bëhej fjale për një akt seksual-dhunim nën kërcënim.

Ai, siç do të shkruante dhe në kallëzimet e tij penale të deponuara në organin e akuzës, thotë se gruaja e tij për afro 10 vite është dhunuar nga tre persona, M.M. A.R. dhe B.Sh. (për shkak se ndaj të njëjtëve Prokuroria e Shtetit i ka mbyllur hetimet, Express, tash për tash, ka vendosur të mos ua përmend emrat).

Në një intervistë për Express, Sami Mema thotë se gjithçka nisi në gushtin e vitit 2013 kur ai kishte zënë një nga të përmendurit më deklaratën e gruas së tij të dhunuar. Duke biseduar me të kapurin në vepër, ai nxori edhe dy emrat e të tjerëve, që më vonë do të hyjnë nën hetime.

Ai thotë se njëri nga ta ia kishte pranuar këtë veprim në telefon, deri sa edhe i kishte kërkuar falje. Në këtë rast qenë përfshirë edhe burrat e fshatit, të cilët prunë një vendim që i afërmi i Sami Memës, i përfshirë në këtë treshe, të largohej nga fshati.

Karshi punës me burrat e fshatit, Sami Mema ushtroi edhe kallëzime penale në Prokurori, por sipas tij gjithçka nisi të shkonte keq. “Veç pse nuk kam para, Prokuroria kurrë nuk më trajtoi seriozisht. E mbyllën rastin se unë nuk pata para të ju jap avokatëve dhe prokurorëve”, thotë Mema për Express.

Ai sqaron se Prokurori Shaban Spahiu do të e zvarriste aq shumë lëndën, sa që Mema u mërzit dhe një dit i hyri në zyrë i nervozuar. Këtë ditë, thotë që Prokurori i propozoi të bënte një shënim zyrtar që po i tërhiqte kallëzimet penale.

Në këtë shënim zyrtar për tërheqjen e kallëzimeve penale. që mban datën 7 nëntor të viti 2013, thuhet ë Sami Mema po i tërheq kallëzimet penale se më nuk është i bindur që gruaja e tij të jetë dhunuar, por që beson se ajo e ka tradhtuar me personat e përmendur në deklaratën e saj si dhunuesit e saj sistematik, për afri 10 vite.

“Unë gjithmonë i kamë besuar gruas sime. Vazhdoj t’i besoj edhe sot që ajo ka bërë marrëdhënie seksuale me këta persona nën kërcënim, siç e ka shkruar në deklaratën e saj”, thotë për Express Mema.

Në deklaratën e bashkëshortes, që e posedon Express, ajo përmend si formë të kërcënimit nga dhunuesit e saj mbajtjen e armëve, nga armët e gjuetisë, revolet e deri tek thikat.

Siç thotë ajo, në deklaratë, ata i kishin thënë që nëse ndonjëherë i tregon burrit të saj, ata do t’ia vrisnin burrin, fëmijët dhe do t’ia digjnin shtëpinë.

Si dëshmi që e kishin përnjëmend kërcënimin, dhunuesit, sipas deklaratës së gruas së Sami Memës, në dy raste kishin tentuar t’ia vinin flakën shtëpisë.

Edhe Mema i kishte vërejtur këto tentativa për t’ia djegur shtëpinë, por thotë që atë kohë kishte menduar që janë bërë nga rryma.

Analizat e ADN’së: Asnjë nga tre fëmijët nuk ishin të Memës

Që gruaja e tij ishte dhunuar, herë pas here kishte vërejtur shenja edhe burri i saj, Sami Mema.

“Unë shpesh herë e kam par gruan, kur jam kthyer nga puna, me shenja të çuditshme. Fëmijët ishin gjithnjë të traumatizuar. Ata , nëse edhe për të marrë dru jashtë dilte gruaja, i shkonin pas. E kam mjekuar disa here për shenjat në fytyrë e trup, për të cilat më thoshte se i janë bërë gjatë punëve në shtëpi”, thotë Sami Mema për Express.

Ai pohon se tek pasi që kishte zënë njërin nga personat, sipas gruas së tij, dhunuesin e saj, atij kishin filluar ti lidheshin gjërat.

I prekur nga ky rast, dhe nga deklarata e gruas së tij se ishte dhunuar sistematikisht për afro 10 vite, Mema pagoi 2400 euro në Shkup për analiza të ADN’së për të tre fëmijët që i dinte deri atëherë për të tijtë. Rezultatet, një kopje të së cilave e posedon Express, ishin tronditëse- asnjëri nga ta nuk i doli që është fëmijë i tij biologjik.

“Analizat kanë dal si kanë dalë, por unë nuk ju besoj shumë, Por, deri sa të mund të bëjmë edhe analiza tjera, një herë mbetet kështu”, thotë për Express Mema.

Mema: Dyshoj që janë dhënë 20 mijë euro për tu mbyllur rasti

Megjithëse kishin një deklaratë të një gruaje të dhunuar, Prokuroria Themelore e Gjilanit vendosi ta mbyll rastin. “Gruaja ime kurrë nuk e ka ndërruar deklaratën. Edhe sot ajo thotë që është e dhunuar.”, thotë për Express Sami Mema.

Express ka mbi dy javë që ka tentuar që të marr një koment nga prokurori Shaban Spahiu, i cili e mbylli këtë rast duke qenë ende deklarata e bashkëshortes së Sami Memës që ajo është viktimë e dhunimit, dhe mbi të gjitha, si viktimë ajo vazhdon edhe sot të jetoj në një qendër strehimi për viktimat diku në Kosovë.

Megjithëse gazeta pyetjet ua ka bërë në mënyrë të shkruar dhe u ka lënë afat të mjaftueshëm, askush nga Prokuroria e Shtetit,përfshirë këtu edhe prokurorin që e mbylli këtë rast, Shaban Spahiun, nuk ka komentuar në këtë rast.

Sami Mema mendon që në krejt këtë muhabet të jenë përfshirë shuma të mëdha parash.

“Unë kam dyshime që këtu ata që ma dhunuan gruan kanë dhënë para të majme për ta mbyllur rastin. Njëri nga ata ka marrë edhe letër nga Policia që nuk e ka hiq asnjë lënë më në polici”, thotë Mema për Express.

Megjithëse nuk përmend emra, ai ka përmendur një shifër parash. “Unë kam informacione se për tu mbyllur ky rast janë dhënë 20 mijë euro. Unë dyshojë që pos avokatëve, para mund të kenë marrë edhe në Prokurori” , thotë për Express Mema.

Përfshihet edhe EULEX’i

I zhgënjyer me vendimin e Prokurorisë së Gjilanit për mbylljen e hetimeve, Sami Mema kishte ardhur në Prokurorinë e Shtetit në Prishtinë. “Një prokurori prej Llapit kishte qenë aty. U takova me të dhe më tha që veç në EULEX munden me të bërë qare”, thotë Musa Mema për Express.

Ai shkoi n EULEX, bëri një kallëzim penal ku përfshiu dy kallëzimet e më hershme dhe rrëfimin që atij i ishte mbyllur rasti, sipas Sami Memës, padrejtësisht. EULEX’i e shqyrtoi këtë kallëzim, të cilin e posedon Express, por në fund i ktheu një përgjigje aspak të kënaqshme për Memën.

Në përgjigjen që EULEX i ka kthyer Sami Memës, e që e posedon Express, thuhet se EULEX mund të vepronte në këtë rast veç nëse Mema kishte prova shtesë. Ata nuk u ndalën te fakti që gruaja e tij vazhdon të deklaroj që është viktimë e dhunimit sistematik për afro 10 vite.

Express nuk ka marrë një shpjegim as nga EULEX, sikurse as nga Prokuroria e Shtetit me prokurorë vendor, për këtë aspekt: pse nuk u hetua ndaras deklarata e gruas që thotë se është e dhunuar. “Unë nuk mund të bëjë interpretim të përgjigjes që Prokuroria i ka kthyer zotëriut në fjalë”, thotë për Express Blerim Krasniqi, zëdhënës i EULEX.

Dështimi i burrave dhe kërcënimet e prokurorëve

Sami Mema për Express thotë se për këtë punë, që morali tij është cenuar rëndë, kishin dalë edhe në odën e burrave, sipas traditës shqiptare.

“Me burra ishim marr vesh që i afërmi im , që e pranoj se më ka prekur në moral, ta lëshojë katundin. Ai e kishte pranuar këtë kusht, por, pasi që Prokurori e mbylli rastin dhe ai morri nga Policia një letër që nuk është nën hetime, thotë që nuk ka ndodhur kurrgjë dhe që kurrë nuk më ka bërë asgjë të keqe”, thotë Mema për Express.

Ai thotë që erdhi dita e cila ishte përcaktuar nga burrat e katundit që ky person të largohej, por ai nuk e bëri.

“I çova fjalë që dita ka ardhur për tu larguar qysh ishim marr vesh në odë të burrave, por ai më lajmëroi në polici se po e kërcënoj”, thotë Mema për Express dhe tregon që Prokuroria në Gjilan kishte urdhëruar për këtë veprim në janar të këtij viti, edhe arrestimin e tij.

‘”Fati që nuk isha në shtëpi se do të më arrestonin për kërcënim vetëm pse ia kujtova që duhet të dilte nga katundi”, thotë ai.

Në një tjetër rast, kur Sami Mema kishte shkuar në Prokurori për tu internuar për lëndën e tij, thotë se është kërcënuar nga një tjetër prokuror se do të arrestohet se po e “përzien” këtë rast.

Mema pati deklaruar për Express se, çuditërisht, Policia nuk kishte pranuar që të hapte rast kundër Prokurorit. Polica pati një shpjegim për këtë rast duke thënë se Policët në Stacionin e Vitisë në fakt e luajtën rolin Prokurorit-duke vlerësuar vetë policët e Vitisë se nuk ka pasur kërcënim.

“Në këtë kontest zyrtari policor bazuar në bisedën me palën ne cilësinë e mbikëqyrësit të ndërrimit nuk ka pasur as një element se kundër tij dikush ka kryer vepër penale, dhe njëkohësisht e ka udhëzuar palën qe nëse nuk është i kënaqur me punën e Prokurorëve të ankohet te Udhëheqësi i Degës në Viti apo Kryeprokurori në Gjilan e nëse edhe me ne nuk është i kënaqur atëherë mund ta kontaktoj edhe institucione tjera që mbikëqyrin punën e policisë”, ka deklaruar për Express Zyra për Informim e Policisë së Kosovës (PK).

Sami Mema tutje tregon që burrat tash në këtë katund janë tërhequr nga fjalët që kishin dhënë dhe nuk po i dalin zot vendimit që kanë marrë në odë.

“Burrat po tuten tash me e ekzekutu vendimin, Prokuroria i ka shpallur të pafajshëm, dhe mua nuk më ka mbetur derë”, thotë Mema për Express.

Thotë se ka pak shpresa në sistem, madje edhe kur e ka parë që as “burrëria e shqiptarit” nuk bëri punë kundër njerëzve, që ai pretendon se ia kanë dhunuar gruan, megjithatë Sami Mema ka vendos që të kërkojë drejtësi.

“Veç nëse shpirti më del mund të më ndal nga kërkimi i drejtësisë në këtë rast”, thotë Mema për Express.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu