
Ish-kryeministri Sali Berisha ka hyrë me forcë në selinë e PD-së.
Mesditën e sotme grupi i udhëhequr nga Sali Berisha u drejtua për në selinë blu me anëtarët e komisionit të rithemelimit dhe mbështetësit.
Lideri historik i PD-së u ngjit në katin e dytë të godinës. Dyert e sallave ishin të mbyllura, por njëri prej mbështetësve të Sali Berishës e hapi derën me forcë duke e goditur me shkelm. Ish-kryeministri dhe anëtarët e komisionit u futën brenda dhe nxorën median jashtë.
“Dilni përjashta. Dilni. Vazhdoni” dëgjohej deputeti Flamur Noka. Në korridoret e PD-së u krijua kaos dhe rrëmujë. Përballë sallës ku u fut Berisha me njerëzit e tij, Lulzim Basha po zhvillon një tjetër takim me strukturat e PD-së.
Berisha: Bashën do ta njoftoj me një letër që e kemi shkarkuar
Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha akuzoi policinë e shtetit se mbrëmjen e djeshme ka dhunuar disa prej protestuesve. Ai i dërgoi një paralajmërim kryeministrit Edi Rama.
“Protesta pati një jehonë të gjerë botërore. Falënderoj të gjitha mediat që e kanë përcjellë me objektivitet. Dënoj disa akte brutale të policisë, narko-policisë, e cila ka arrestuar mbrëmë njerëz të pafajshëm, i ka keqtrajtuar adoleshentët në furgona, veçanërisht narko-banditë të komisariatit nr. 2. Unë jam sot këtu për të paralajmëruar narko-policinë se revolucioni ynë paqësor nuk do të tolerojë dhunimin e të drejtave të njeriut dhe keqtrajtimin çnjerëzor të pjesëmarrësve në protesta apo lëvizjet revolucionare”.
“Mbrëmë deri në orën një të natës në qelitë e komisariateve me urdhër të Ramës janë mbajtur adoleshentë dhe burra të moshuar 84-vjeçar. Falënderoj anëtarët e komisionit të rithemelimit, të cilët kanë ndjekur në cdo orë situatën në komisariatet 1 dhe 2. Me gjithë absurditetin e ndalimit pa asnjë motiv, komisariati nr. 1 nuk i ka keqtrajtuar të ndaluarit, gjë të cilën e ka bërë narko-policë dhe banditë të komisariatit nr. 2. Paralajmërimi i fundit është të mos dhunojnë asnjë të drejtë njerëzore”, tha Berisha, shkruan abcnews.