SAS e shpëtoi Kobanen pa rënë në duart e ISIS-it

0
817

SAS, njesia speciale Angleze

Para dy javësh mediet botërore kishin të përgatitura për botim tekstet për rënien e qytetit Kobane në kufirin turko-sirian, pasi ishte njoftuar se xhihadistët e IS kishin okupuar një të tretën e qytetit me 400,000 banorë. I mprihnin lapsat për të sulme verbale kundër Turqisë dhe politikës së saj, por edhe SHBA-ve e aleatëve të saj, kurse pastaj ndodhi – shoku pozitiv.

Kobane jo vetëm që nuk ra, por në disa ditë të ardhshme pjesëtarët e IS u dëbuan nga të gjitha lagjet që i mbanin nën kontroll. Shumëkush pyetej si ndodhi kjo kthesë, derisa këtë vikend nuk u zgjidh ky mister, transmeton lajmi.net.

Në momentin vendimtar, kur qyteti ishte vërtetë para rënies së plotë, në luftime u inkuadruan pjesëtarët e njësive speciale britanike, të njohur me akronimin SAS (Special Air Service), më saktësisht parashutistët e këtyre njësiteve.

Dihej që forcat e SAS bashkë me njësitë speciale amerikane ishin të vendosura dikur si këshilltarë të kurdëve në Irak, por tashti u zbulua se ato kanë marrë pjesë aktive edhe në betejën vendimtare për shpëtimin e qytetit Kobane, bashkë me pjesëtarët e njësisë amerikane Delta Force.

Detyrë kryesore e britanikëve ishte të shënohen caqet në mënyrë që sulmet ajrore të forcave të koalicionit të udhëhequr nga SHBA-të, të jenë sa më precize dhe të shkaktojnë sa më shumë viktima në mesin e xhihadistëve. Sipas burimeve ushtarake, ata këtë punë e bënë në mënyrën më të mirë. Kështu, për shembull ia dolën të shënojnë një cak ku grumbulloheshin xhihadistët, të cilët pastaj u goditën direkt me një seri të rëndë bombash, duke i shkaktuar IS-it humbje të mëdha.

Pos kësaj, ata i udhëzuan aeroplanët luftarakë të bombardojnë konvojet me tanke, autoblinda dhe kamionë me municione. Burimet ushtarake konfirmojnë se pilotët amerikanë ishin jashtëzakonisht të kënaqur me punën e bërë në terren nga ana e pjesëtarëve të SAS, andaj edhe sulmet ishin pothuajse 100 për qind të sakta. Pikërisht detektimi preciz i caqeve kryesore e nxiti koalicionin për sulme ajrore dhe kësisoj Kobane u shpëtua.

Komandot britanike tërë kohën kanë punuar në fshehtësi. IS nuk e dinte që ata ishin vendosur pothuajse në linjën e betejës, kurse nganjëherë edhe prapa shpinës së tyre. Mbijetonin me atë pak ushqim që kishin marrë me vete kur ishin lëshuar me parashuta, ndërsa që edhe ujin e shfrytëzonin në mënyrë shumë racionale.

Përveç kësaj, kanë vepruar edhe duke luftuar përkrah mbrojtësve të qytetit për të penguar përparimin e xhihadistëve nga krahët në disa raste – roli kryesor i tyre ishte organizimi, por për arsye të ndjeshmërisë së situatës ata janë inkuadruar edhe në luftime.

Situata në Kobane tashti është qenësisht më e mirë, megjithëse ende ka sulme të IS. Ky qytet u bë simbol, pasi për herë të parë IS nuk ia doli që me të parën ta pushtojë atë, kurse sipas raporteve të Vëzhguesit sirianë, aty u vranë 481 pjesëtarë të IS, por edhe teknikë të konsiderueshme luftarake.

Mbrojtësit e qytetit presin që shumë shpejt atyre t’iu bashkohen edhe rreth 150 peshmegerë kurd nga Iraku, të cilët kanë mbërritur me armatim të rëndë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu