Seanca e jashtëzakonshme

0
692

Në javën që shkoi nuk pati seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për Mitrovicën. Në javën që ndodhemi, partia në pushtet mezi kërkoi seancë të jashtëzakonshme për ditën e sotme. Herën e parë nisma vinte prej atyre që njëmend donin seancë, e herën e dytë nga ata që nuk e duan atë me gjithë mend.

Deputetët e pozitës që s’i dhanë nënshkrimet javën e kaluar ishin pozicionuar te Qeveria. Thjesht, pasi që Qeveria nuk kishte mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme, pasi që Këshilli i Sigurisë së Kosovës nuk ishte mbledhur, gjendja nuk është e jashtëzakonshme dhe nuk ka asnjëfarë çështje të jashtëzakonshme për të diskutuar. Këta deputetë, që më shumë janë të Qeverisë sesa të Kuvendit, e shikojnë Kosovën veçse me sytë e Qeverisë.

Sikur partia në pushtet të ishte e interesuar për seancë të jashtëzakonshme për Mitrovicën, ajo do të na i jepte neve të VETËVENDOSJE!-s nënshkrimet. Mungesa e seriozitetit të nismës së tyre dëshmohet edhe me caktimin e datës për këtë seancë vetëm për të mërkurën e një jave më vonë. Një çështje s’mund të thuhet se konsiderohet e jashtëzakonshme duke mos e pasur as ndjenjën më të vogël të urgjencës për të. Për më tepër, kjo parti e ka Qeverinë e saj, e ka Kryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Brendshme nga radhët e saj. Madje, seancë të jashtëzakonshme mund të thërrasë direkt Kryeministri (sipas nenint 38, pika 2 të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës). Prandaj, ç’e do kjo parti seancën e jashtëzakonshme në Kuvend?! Mbase partia në pushtet i do seancat e jashtëzakonshme pikërisht për ta bërë gjendjen sa më të zakonshme. Ajo synon ta zëvendësojë me debat parlamentar mungesën e veprimit qeveritar. Përbrenda në Kosovë, Qeveria do që të mos ketë Kuvend. Karshi Serbisë dëshiron të shfaqet vetëm si Kuvend.

Deputetët e opozitës që po ashtu nuk i dhanë nënshkrimet javën e kaluar, ishin dy llojesh. Aso që e kërkonin praninë e kryeministrit në sallë dhe aso që thoshin se me fjalë nuk bëhet gjë. Po të ishte kryeministri në nivel të detyrës, po të ishte ai kryeministër i vërtetë, menjëherë të dielen, pra po atë ditë kur u vra Selver Haradinaj, ai do të kthehej në Kosovë. Kryeministri tashmë i kishte përfunduar takimet kryesore në ShBA me Sekretaren e Shtetit Clinton dhe me Zëvendëspresidentin Biden. Mirëpo jo, kryeministri nuk u kthye. Moskthimi i kryeministrit ishte vetë përgjigja e kryeministrit dhe dëshmia e papërgjegjësisë së tij. Ç’e donim kryeministrin në sallë për këtë çështje që ai edhe ashtu s’po e përfillte? Qeveria ishte në Kuvend përfshirë aty edhe Ministrin e Punëve të Brendshme. Situata ishte urgjente dhe e jashtëzakonshme prandaj ishte absurde që për trajtimin e saj të pritet kryeministri i cili s’po e konsideronte këtë gjendje as urgjente dhe as të jashtëzakonshme.

Në anën tjetër, deputetët e llojit të dytë konstatonin kotësinë e debatit në Kuvend. Në fakt, Kuvendi veçse debate bën meqë aty veprime s’ka. Veprimet i bën Qeveria e cila nuk po i bën ato. Fjala në Kuvend është e rëndësishme dhe e domosdoshme. Qeveria përfaqëson projekte kurse Kuvendi përfaqëson qytetarët. Ndjenjat dhe mendimet e qytetarëve thuheshin e shpreheshin kudo dhe vazhdimisht në bisedat e tyre të shumta publike e private. Por, jo edhe në Kuvend ku ishin ulur përfaqësuesit e këtyre qytetarëve të shqetësuar e të brengosur si rrallëherë tjetër. E, atëherë kur nuk u lejua fjala në Kuvend, atëherë kur u pamundësua seanca e jashtëzakonshme në një situatë që veçse e zakonshme s’ishte, ne të VETËVENDOSJE!-s edhe vepruam brenda Kuvendit. Protestuam duke shfaqur publikisht emrat e Selver Haradinajt dhe të Enver Zymberit. Ama as kjo s’iu pëlqeu këtyre deputetëve.

Sa për veprimin qeveritar në pjesën veriore të Mitrovicës apo edhe në veri të Kosovës në përgjithësi, ne preferojmë që ai të mos ndodh fare përderisa kemi këtë Qeveri të papërgjegjshme në pushtet. Aq më tepër që ky veprim po paralajmërohet si përsëritje e 25 korrikut të vitit 2011 kur ndërmarrja u la përgjysmë për t’u urdhëruar zmbrapsja më pastaj. Edhe nëse bën ndonjë gjë të vogël të mirë kjo Qeveri, ajo do të pasohet doemos me të këqija të shumta të mëdha. Nuk mund t’i besojmë premtimeve më të reja të kësaj Qeverie me të cilën kemi përvojë thellësisht të hidhur. Ne nuk besojmë që kjo Qeveri mund të bëjë ndonjë punë tjetër më të mirë sesa të jep dorëheqje. Ajo na ka treguar që veprimet e saj në veri, edhe atëherë kur ngjajnë ashtu me të rrallë, janë vetëm gjeste pa strategji dhe plan, që mund ta bëjnë gjendjen edhe më të keqe seç kishte qenë ajo më parë.

Deklaratat e përsëritura të Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Drejtësisë për përsëritjen e aksionit të 25 korrikut nuk i paraprijnë veprimeve por janë kompensim për mungesën e tyre. Për të qenë edhe më keq se kaq, këto deklarata vetëm sa i mobilizuan strukturat armiqësore dhe ilegale të Serbisë, të cilat vetëm pak orë më pas, i bllokuan tri fshatrat shqiptare Koshtovë, Cerajë dhe Bistricë në Leposaviq. Qeveria nuk shkoi pastaj që t’ua heq fshatarëve ato barrikada, porse ata vetë e bënë këtë gjë me angazhimin e tyre të guximshëm.

Nisma e partisë në pushtet për seancë të jashtëzakonshme mund të jetë edhe pse Qeveria dëshiron unitet rreth mosveprimit qeveritar dhe për bisedime të reja me Serbinë për veriun e Kosovës. Mirëpo, për këtë të dytën, Qeverisë i nevojitet ndonjë gjest i ri në veri që me mediat e saj e shet mandej si aksion e ndërmarrje të organizuar të forcave të rendit. Prandaj, edhe uniteti paraprak politik e institucional. Kosova është në gjendje shumë të rëndë: aktiviteti i Qeverisë po bëhet edhe më i dëmshëm sesa pasiviteti i saj!

Kjo Qeveri Kosovën e ka nxjerr fort lirë në pazar. Kush ia jep ndonjë ditë pushtet më shumë mbi Kosovën, kjo ia jep një copë të shtetit të Kosovës. Ajo po e zbret çmimin e Kosovës sepse vetë vlera e saj po ulet me shpejtësi. Qeveria e Kosovës i ngjan atij plaçkitësit që e ka sjell në treg mallin e vjedhur: e shet lirë e më lirë për ta shitur sa më shpejt. Gjithsesi, shitja e mallit të plaçkitur vihet në shërbim të shpëtimit të plaçkitësit nga kapja.

 

Nga, Albin Kurti

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu