Secili ka të drejtë t’i ketë rrënjët e veta

0
520

Jemi në prag të ndeshjes së dytë eliminatore të futbollit ndërmjet Zvicrës dhe Shqipërisë. Kjo ndeshje ka sigurisht rëndësinë e vet të madhe për pozicionimin e dy skuadrave në garat për Botërorin Brazil 2014. Por, sikur rrallë ndonjë lojë tjetër në fushën e gjelbër, kjo që do të luhet të martën në Luzern pritet me një ngarkesë të veçantë emocionale. Nga të dyja palët.

Shkak për këtë është fakti se në skuadrën zvicerane luajnë pesë futbollistë me prejardhje shqiptare. Këta, pa fajin e tyre, janë vënë në një pozitë të ndjeshme, si të thuash në mes të dy fronteve. Në mes të Kombëtares së Zvicrës, për të cilën janë përgatitur, si lojtarë që janë formuar në këtë vend, dhe Kombëtares shqiptare, me të cilën i lidhin emocionet e origjinës dhe të rrethit familjar.

Rreth pozitës së tyre dhe rreth ndeshjes në përgjithësi, albinfo.ch ka kontaktuar një numër politikanësh dhe ekspertësh të futbollit të dy palëve.

Kryetari i CVP-PDC-së, Christophe Darbellay, në prononcimin e tij me këtë rast, tha se është e padrejtë që djelmoshat t`i nënshtrohen një presioni të tillë nga fanatikët e të dyja anëve.

“Nuk jam ndonjë specialist i futbollit, mirëpo nuk i kuptoj këto reagime fanatike. Secili ka të drejtë t’i ketë rrënjët e veta. Këta kosovarë janë tërësisht zviceranë. Ata kanë zgjedhur të luajnë për atdheun e tyre të ri, dhe kjo është më mirë për neve. Për të evituar emocionet si dhe të provokimet është e dëshirueshme që të mos tregojnë elemente simbolike shqiptare gjatë lojës. Mirëpo, kjo nuk do të thotë se ata të braktisin vetveten si dhe rrënjët e tyre”, tha politikani zviceran.

Ai shtoi që shpreson që në këtë duel të fitojë Zvicra. “Zvicra llogarit një komunitet shumë të madh shqiptarësh, dhe ajo është atdheu i dytë i shumë bashkëkombësve tuaj. Shpresoj që sporti do të kontribuojë në respektin, miqësinë si dhe mirëkuptimin mes dy vendeve tona! Le të fitojë më i miri”, përfundoi Darbellay.

Në anën tjetër, mesfushori kosovar i Borussia Moenchengladbachut, Granit Xhaka thotë se është ekzagjeruar tepër me faktin që ka kënduar himnin e Shqipërisë në një ritual te klubi gjerman. Në klub çdo lojtar i ri duhej të këndonte një këngë dhe Xhaka zgjodhi himnin e Shqipërisë. Kjo kishte bërë bujë të madhe në mediumet zvicerane. Xhaka është ndër lojtarët më të mirë të Përfaqësueses së Zvicrës.

“Unë e kam parë shumë të ekzagjeruar faktin që këndova himnin e Shqipërisë. Çështja është se himni i Shqipërisë është kënga e vetme që e di. Mua më duhej të këndoja një këngë dhe këndova himnin”, ka thënë Xhaka, transmeton Koha Ditore shkrimin e  “Basler Zeitung”.

“Më është dukur tepër e padrejtë që thuhej se Kosovën e kam më për zemër se Zvicrën. Unë jam krenar për prejardhjen time. Me këtë mendoj si për Zvicrën ashtu edhe Kosovën”.

Mediumet zvicerane kishin kritikuar futbollistët shqiptarë të Zvicrës që nuk po e këndonin himnin zviceran. Xhaka thotë se ndoshta një ditë do ta bëjë këtë, por po e ka të vështirë ta mësojë.

“Unë e pranoj se teksti i himnit të Zvicrës është mjaft i komplikuar dhe me këtë gjermanishte nuk jam i njohur. Unë kam zbuluar se edhe shumë zviceranë tjerë nuk e dinë himnin”, ka thënë Xhaka.

“Ndeshja me Shqipërinë është e veçantë. Pavarësisht Kosova apo Shqipëria – shqiptarët janë një komb”, ka thënë pastaj Xhaka.

Ai nuk e hedh plotësisht poshtë mundësinë që në një të ardhme të luajë për Përfaqësuesen e Kosovës, nëse Federata e Futbollit e Kosovës pranohet në FIFA.

“Unë në fakt llogaris se do të luaj për Zvicrën. Por ku ta di se çfarë do të ndodhë pas disa viteve. Ndoshta më nuk do të jem temë për Përfaqësuesen e Zivcrës. Çfarë më pas? Askush nuk mund të japë një përgjigje”, ka sqaruar Xhaka.

Xhaka 19-vjeçar është shtyllë kyçe e mesfushës së Përfaqësueses së Zvicrës. Pos tij pjesë e Përfaqësueses së Zvicrës janë edhe Xherdan Shaqiri, Valon Behrami, Admir Mehmedi e Blerim Xhemajli.

Sipas gazetës zvicerane Blick, arsyeja kryesore që Zvicra duhet të gjendet në Brazil pas dy vjetësh, është dyshja fenomenale Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka. Sipas kësaj gazete  të dy janë versioni zviceran i lojës “Tiki Taka” të Spanjës.

“Shaqi-Xhaka vallëzojnë Samba: Kundër kësaj dyshe nuk ka ilaç. Fal Xherdan Shaqirit e Granit Xhakës përfaqësuesja e Zvicrës luan Shaqi-Xhakan, versionin tonë për Tiki Takan e Spanjës. Vetëm Shaqiri në vete është një arsye e mjaftueshme pse Zvicra duhet të kalojë me sukses eliminatoret për Botërorin 2014”, ka komentuar “Blick”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu