Sejdiu e ka password’in e LDK-së

0
762

Mbështetës të Fatmir Sejdiut, nëpërmjet e-mail’it të Forumit Rinor të LDK’së, lëshuan një komunikatë ku kërkuan rikthimin e ish-Presidentit në krye të partisë dhe largimin e Isa Mustafës. Ata e akuzuan Kryetarin aktual për pasivizim dhe margjinalizim të LDK’së.

Përkrahësit e ish-Presidentit Fatmir Sejdiu, të cilët u përjashtuan nga Forumi Rinor i Lidhjes Demokratike, duket se vazhdojnë ta kenë password’in e e-mail’it të këtij forumi.

Të dielën, ata u kanë shpërndarë mediave një njoftim ku shprehin përkrahjen e tyre për ish-Presidentin, derisa akuzojnë Kryetarin aktual, Isa Mustafën, për pasivizim dhe margjinalizim të LDK’së.

“Aktivistët e strukturave të FRLDK’së”, si është shkruar në këtë komunikatë, kanë kundërshtuar heshtjen e Mustafës karshi skandaleve në qeveri dhe ndaj bisedimeve me Serbinë.

“Temat kryesore që u diskutuan në takimin e mbrëmshëm të aktivistëve të strukturave të degëve të FRLDK’së ishin: pasivizimi dhe margjinalizimi i LDK-së në skenën politike të Kosovës, përjashtimi i qindra aktivistëve nga strukturat e LDK-së, e në veçanti përjashtimi i katër gjeneratave nga FRLDK, pas përmbylljes së procesit zgjedhor në FR të LDK’së, me vendimin për uljen e moshës, shkatërrimi i degëve të rëndësishme të LDK’së dhe krijimi i degëve paralele”, thuhet në këtë komunikatë për shtyp.

“Pastaj rezultatet e dobëta zgjedhore në të gjitha zgjedhjet ku ka garuar LDK qysh prej marrjes së kryesimit të saj nga Isa Mustafa, përjashtimi i anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm, gjuha ofenduese dhe denigruese ndaj aktivistëve të LDK-së që shprehin kritikat e tyre për gjendjen aktuale në LDK, luhatja e raporteve me miqtë tradicionalë të Kosovës dhe LDK’së në veçanti me SHBA’në dhe BE’në, mungesa e qëndrimit të qartë opozitar duke dhënë përshtypjen se LDK është në shërbim të politikave të gabueshme të Qeverisë Thaçi”, thuhet më tej në komunikatë.

Menjëherë ndaj këtij njoftimi ka reaguar Forumi legal i LDK’së.

“Ne të rinjtë e FR të Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk do të donim t’i komentonim veprimet dhe qasjen dezinformuese të individëve me qëllime të tilla, mirëpo për hir të informimit të publikut e bëjmë të qartë se FR i LDK’së nuk ka mbajtur mbrëmë kurrfarë takimi në Prishtinë dhe nuk ka debatuar për gjoja “pasivizimi dhe margjinalizimi i LDK’së””, thuhet në komunikatën e FR të LDK-së.

Më tej theksohet se ky Forum i të Rinjve i demanton deklaratat e lansuara në atë komunikatë, siç thuhet, “dezinformuese në të cilën thuhet gjoja se Forumi i Rinisë i LDK-se kundërshton udhëheqjen e Kryetarit Isa Mustafa”.

“Këto deklarime nuk janë të vërteta dhe nuk janë dërguar nga strukturat e Forumit të Rinisë”, theksohet në komunikatë.

“Ne të rinjtë e FR të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të përfshirë nëpër të gjitha strukturat e Lidhjes Demokratike të Kosovës, degë dhe nëndegë, në gjithë territorin e Kosovës, shfaqim përkrahjen tonë të gjithhershme për Kryetarin e LDK’së, akademik Isa Mustafa dhe Kryesinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës”, thuhet në komunikatën e FR të LDK’së.

Përkrahësit e Fatmir Sejdiut asnjëherë nuk e kanë pranuar humbjen në Kuvendin e Shtatë Zgjedhor. Ata në mënyra të ndryshme kanë protestuar ndaj udhëheqësisë aktuale. Krejt kjo duket se ndodh me bekimin e Sejdiut.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu