Sekiraça: Policia dhe SHIK-u donin likuidimin tim

0
653

Prishtinë, 17 tetor –  Në numrin e sotshëm publikohet vazhdimi i fundit të rrëfimit për ‘Jeta në Kosovë’ të Enver Sekirçës, njeriut të dyshuar nga Policia e Kosovës për një varg krimesh, ndër to edhe të Triumf Rizës.

Enver Sekiraça ishte dënuar më 27 tetor 2006 nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë me dy vjet burg për veprat e kanosjes dhe pengimit të personave zyrtarë gjatë kryerjes së detyrave zyrtare.

Sipas aktgjykimit, Sekiraça më 22 maj 2006, rreth orës 12:30, seriozisht i është kanosur të dëmtuarës Adriana Ahmeti se do ta privonte nga jeta. Përmes celularit, ai i kishte kërkuar asaj që të takoheshin në kafenenë “Dani” në Ferizaj, duke i thënë se prej tij nuk mund të largohet lehtë dhe se ka punë me të. E dëmtuara, vazhdon aktgjykimi, e frikësuar ka filluar të qante dhe ka pranuar takimin në këtë kafene.

Po ashtu, Sekiraëa së bashku me Xhemajl Dervishin nga Prishtina dhe Bujar Miftarin nga komuna e Vitisë, në të njëjtën ditë, rreth orës 14:30, në afërsi të kafenesë “Dani”, kanë përdorur dhunë ndaj personave zyrtarë gjatë kryerjes së detyrave zyrtare. Pasi e dëmtuara Adriana Ahmeti e ka paraqitur rastin në polici, policët Bekim Suma, Besnik Hasani dhe Jeton Burti, të cilëve fillimisht nuk u ishte hapur dera e veturës golf nga Sekiraça, kishin pësuar lëndime trupore nga të shpallurit fajtorë. “Policët kishin arritur të zmbrapsin sulmin dhe t’i prangosin të akuzuarit”, thotë aktgjykimi që më 27 dhjetor 2007 ishte konfirmuar edhe me aktgjykim të Gjykatës Supreme të Kosovës.

Në të njëjtën lëndë, Sekiraça ishte akuzuar edhe për dhunim. Akuza ishte hedhur poshtë nga gjykata.

Por, më 14 gusht 2012, gazeta “Koha Ditore” ka publikuar dëshminë e një ish-hetuesi nga stacioni policor i Ferizajt i cili kishte marrë pjesë në operacionin policor, sipas tij të iniciuar nga Besnik Hasani, polic i njësisë speciale ROSU dhe të miratuar nga Destan Thaçi komandat rajonal për Prishtinën, gjatë të cilit Sekiraça ishte rrahur dhe i ishte lënë “një revole për ta futur në burg”.

Besnik Hasani, pjesëtar i Njësisë speciale të Kosovës, dhe Shpend Qerimi, pjesëtar i Njësisë Antidrogë, në shtator të vitit 2009, janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar me nga 25 vjet burgim për tri vepra penale, vrasje e rëndë, lëndim i rëndë trupor dhe shkaktim i rrezikut të përgjithshëm për shpërthimin e 24 shtatorit 2007, në lagjen “Dardania” në Prishtinë, ku patën humbur jetën dy persona dhe disa të tjerë qenë lënduar. Besohet se cak i sulmit me eksploziv ka qenë lokali “Sekiraça Bar” në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e policit Triumf Riza, më 30 gusht të atij viti. 

Tash Sekiraça dhe mbrojtja e tij po shikojnë për rigjykim. Sekiraça akuzon për montim.

“Në Ferizaj, me urdhër të SHIK-ut, kanë nisur me ma e montu një dhunim me një ish-femër timen me të cilën kam qenë në lidhje intime”, thotë Sekiraça, në intervistën për gazetën “Jeta në Kosovë”.

“Kam qenë me një ‘Golf 3’. Ka qenë veturë e blinduar. Unë nuk e hapa derën. Kur erdhën policët në uniformë, atëherë e hapa derën”, tha ai. “Na kanë qitë (v.j. jashtë), na kanë montuar një revole mbrapa në veturë, na kanë rrahur, na kanë hi shkelma e boksa, na kanë shtri përtokë grupa e policëve që ishte aty…”.

Në lidhje me këtë rast rrahje në Ferizaj, nuk ka pasur aktakuzë ndaj ish-policit Besnik Hasani.

Mirëpo, gjatë procesit gjyqësor për shpërthimin tek “Sekiraça Bar” policët Hasani dhe Qerimi kishin akuzuar kolonelin Destan Thaçi si pjesë të “Grupit të Sekiraçës”. Hetimet e kryera nga policia e UNMIK-ut nuk kishin rezultuar me dëshmi të kësaj natyre për këtë të fundit.

Edhe Sekiraça mohon të ketë pasur lidhje me ish-komandantin rajonal të policisë në Prishtinë, megjithëse thotë se atë e njeh.

“Unë e njoh Destan Thaçin, po nuk ka të vërtetë asgjë nga ato që janë thënë ‘jo ia bleu një xhip, jo shtëpi…’. Ato janë pallavra. Kurrë në jetë nuk kam ndenjur me Destan Thaçin, përveç që e njoh nga gazetat si komandant Policie”, tha Sekiraça.

Koloneli Thaçi, i kontaktuar, po ashtu ka hedhur poshtë çdo ndërlidhje me Sekiraçën dhe i ka quajtur ato shpifje. 

Ndërkohë Sekiraça akuzon sistemin e drejtësisë se është i ndikuar dhe i anshëm.

“Po e shihni si po punon gjyqësia – si t’i fishkëllejnë prej kafenesë dhe prej zyrave të SHIK-ut (v.j. kjo e fundit ka deklaruar mbylljen zyrtare më 2007)”, thotë Sekiraça. “Këtë ma kanë konfirmuar gjykatës dhe prokurorë, në këtë rast e kam fjalën për ish-kryetarin e Gjykatës së Qarkut, Anton Nokaj”, deklaroi Sekiraça.

Nokaj, tha ai, i kishte dërguar fjalë ku i kishte treguar për presionet që gjykata kishte për ta dënuar për rastin e rrahjes në Ferizaj.

“Nokaj i ka thënë një shokut tim se ka pasur presione të hatashme për me më mbajtë në burg. ‘Rastin tuaj e di shumë mirë’ ka thënë, ‘e di që është montazh, por kemi pasur presione’, ‘na kanë lyp me ua dhënë nga 7 vjet burg, ne ua kemi dhënë vetëm nga 2 vjet për rastin e Ferizajt, ne  kemi qenë të mirë’ i kishte thënë Nokaj atij”, tha Sekiraça.

Ish-kryetari i Gjykatës Komunale të Prishtinës, Anton Nokaj, i kontaktuar nga gazeta mohoi të ketë pasur këso kontaktesh me Sekiraçën. “Nuk është e vërtetë që ka pasur presione nga dikush dhe nuk është e vërtetë që i kam çuar fjalë Enver Sekiraqës nëpërmjet dikujt. Dua të cek edhe faktin se as gjykatësi asnjëherë nuk më ka thënë se ka pasur ndonjë presion”, deklaroi Nokaj.

Ky proces gjyqësor ishte drejtuar nga gjykatësi Mejdi Dehari, në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë.

Sekiraça pohon se të njëjtat fjalë i ishin dërguar edhe nga Dehari. “Të njëjtat fjalë na i ka dërguar edhe gjykatësi Mejdi Dehari. ‘Na kanë thënë t’ua japim nga 7 vjet po ne vetëm me 2 vjet u dënuam’. ‘Më kanë ardhur në shtëpi e më kanë thirrë në telefon, më kanë kërcënuar policia dhe pjesëtarë të SHIK-ut, s’kam pasur çka të bëj’”, thotë Sekiraça t’i ketë thënë Dehari.

Edhe gjykatësi Mejdi Dehari hedh poshtë këto pohime të Sekiraçës. “Sekiraça është gjykuar për dy vepra penale të kanosjes dhe pengimit në detyrë të personit zyrtar. Në bazë të provave të argumentuara, është gjykuar me dënim me burgim prej dy viteve. Ky aktgjykim ka marrë formën e prerë”, tha Dehari. “Jo vetëm në këtë rast po në asnjë rast nuk kam pasur presione, jam gjykatës që nga viti 2000 dhe asnjëherë nuk kam pasur kurrfarë ndikimi nga askush”.

Sekiraça ndërkohë thotë të ketë pranuar mesazhe që të largohej nga vendi edhe nga ish-kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Rexhep Haxhimusa.

“Më kanë kërkuar policia dhe SHIK-u që të më likuidojnë. Kam dashtë me u dorëzu te drejtësia, por vetë kryetari i Gjykatës Supreme, Rexhep Haxhimusa, më ka thënë ‘ik prej këtu se ne nuk mundemi me nda drejtësi për ty, kemi presion prej Qeverisë’, thotë Sekiraça.

Ai shton se këtë mesazh të Haxhimusës e kishte marrë përmes avokatit Fazli Balaj. “Unë i kam thënë ‘kur të jeni të gatshëm me nda drejtësi, unë vij”.

Ish-kryetari i Supremes, Rexhep Haxhimusa, tash këshilltar i ministrit të Drejtësisë, mohoi këtë dhe tha se as që e ka njohur ndonjëherë personin me emrin Enver Sekiraça.

“Atë e njoh vetëm nëpërmes shkresave të gjykatës”, tha Haxhimusa. “Nuk është e vërtetë që unë i kam çuar fjalë përmes dikujt dhe as që kam pasur presione nga dikush ndonjëherë. Për këtë le të deklarohet edhe avokati Balaj, pasi që paska thënë se përmes tij i kam çuar fjalë. Përndryshe, kjo për mua është një lloj njollosje e pashembullt”.

Avokati Fazli Balaj tha se të gjitha këto që janë thënë për ish-kryetarin Haxhimusa janë të pavërteta. “Kam qenë avokati i Sekiraçës në një rast më herët, ka qenë klient imi, aty ndoshta e lidh ai. Mirëpo këto që janë thënë janë plotësisht të pavërteta”, tha Balaj.

Akuzat e Sekiraçës përfshijnë edhe zyrtarët e lartë policorë të cilët i akuzon për lidhje me SHIK-un. Në veçanti ai ka akuzuar Emin Beqirin, ish-shef i hetimeve në rajonin e Prishtinës dhe tash drejtor i Departamentit të krimeve ekonomike. 

“Emin Beqiri u ka thënë (v.j. policëve për rastin e Swiss Casinos) ‘këtë rast me e nxjerr qysh t’mundeni, montoni, boni çka të doni, Sekiraça duhet të mbetet në burg’”, deklaron Sekiraça.

I kontaktuar, majori Emin Beqiri thotë se “nuk ka asgjë të vërtetë nga ato që janë thënë nga Enver Sekiraça”. “E rëndësishme është që, më në fund, ai është i burgosur. Asgjë më shumë”, tha Beqiri.

Aparatet e kafesë nxitën fjalët për Veselinoviqin

Enver Sekiraça po ashtu mohon të ketë lidhje me Zvonko Veselinoviqin, biznesmen kontrovers serb, shtëpia e të cilit në Doljane të Zveçanit ishte bastisur nga EULEX-i në maj të këtij viti, duke rezultuar me kapje të dy armëve, municionit dhe dokumenteve. Veselinoviqi dhe vëllai i tij Zharko dyshohen për nëntë vepra penale, përfshirë vrasjen e një oficeri policor shqiptar dhe një sulmi ndaj personelit të OKB-së e NATO-së.

“Zvonko Veselinoviqin e njoh si krejt dynjaja, nga gazetat. Me të nuk jam takuar kurrë”, tha Sekiraça.

“E njoh një tjetër person në veri të Mitrovicës nga nacionaliteti serb. I kam pasur nja 7 aparate të kafesë te ai, e kam parë që po donë me folë e me manipulu gazetat e fjalët e rrugëve…i kam tërhequr edhe aparatet vetëm shkaku i fjalëve”, tha Sekiraça.

Por Sekiraça pranon se ka pasur probleme rrugësh.
Për shembull, në një rast shkaku i fjalosjes, kishte rezultuar i plagosur.

“Te pompa e ‘Ramiz Sadikut’, kam qenë duke e la veturën. I ka thënë dikush për mua diçka a e ka kërcënuar…me dy tri fjalë aty jemi thy në fjalë (me personin nga pompa), e ka nxjerrë revolen, ka shkrepë katër-pesë here. Një plumb më ka rrokur në qafë. Jam plagosur”.

“Më vonë jemi pajtuar me burra edhe asgjë askujt…për këtë rast kam mbajtur 4 muaj e gjysmë burg edhe jam shpall i pafajshëm se i pafajshëm kam qenë. As nuk kam gjuajtur as nuk kam përdorë asgjë dhe më kanë lëshuar”, tha Sekiraça.

Sekiraça donte të dorëzohej në EULEX

Pas 26 shtatorit, kur u vetëdorëzua, gazeta intervistoi avokatin e tij, Bashkim Nevzati, i cili tha se Sekiraça nuk ishte prangosur gjatë dorëzimit.

“Kërkesa decidive e Enverit ka qenë që e tërë çështja të trajtohet nga EULEX-i, për faktin se ndaj tij ekzistojnë disa pretendime dhe ka pasur disa tentime të atentatit. Nuk e di pse, mirëpo sipas deklarimeve të Enverit ai është i rrezikuar nga Policia e Kosovës”, tha Nevzati.

Sipas tij, bisedimet me EULEX -in për vetëdorëzimin e Sekiraçës kanë zgjatur për më se 11 muaj.

“Kemi qenë në bisedime me EULEX-in që nga muaji nëntor i vitit 2011. Ne kemi kërkuar siguri që rasti të trajtohet nga EULEX-i”, tha Nevzati.

Ai zbuloi se ku ka qëndruar Sekiraça në arrati. “Sipas informatave që unë kam, Enveri ka qëndruar jashtë Kosovës, më saktësisht në Irlandë dhe në disa vende të tjera, ka poseduar dokumentacionin e duhur dhe ka shkuar e ka ardhur pa problem”, tha Nevzati. “Pse nuk e ka pengu askush unë nuk e di, nuk e kam pyetur për atë punë, sepse ato janë jashtë kompetencave të mia dhe nuk dua t’i diskutoj veprimet e policisë së Irlandës dhe të Interpolit”.

Pyetjes se me dokumentet e cilit shtet ka lëvizur, avokati iu përgjigj se e di që ka lëvizur me dokumente të rregullta, por jo edhe të cilit shtet.

Sipas tij, tani Sekiraça është në Burgun e Dubravës.
Bardha Azari, zëdhënësja e EULEX-it, thotë se, përveç për vrasjen e policit Triumf Riza, Sekiraça hetohet edhe për dy vepra të tjera penale.

“Përgjegjësinë për sigurinë në Burgun e Dubravës e kanë autoritet vendore, por normalisht i asistojmë ata në punën e përditshme. Për rastin e Sekiraçës, ministri Drejtësisë na ka kërkuar ndihmë dhe ne i asistojmë ata edhe në sigurinë e Enver Sekiraçës”, tha Azari. “Tani rasti është në duart e drejtësisë dhe do t’ia lëmë asaj ta bëjë punën e vet”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu