Sekserët e gjakmarrjes nxjerrin familjet në pritë

0
676

Në të kundërt të asaj që besohet, zonat me më shumë familje të ngujuar janë metropolet si Tirana e Durrësi. (pastaj, vjen qarku i Shkodrës, Lezhës, rrethi i Krujës, i Fierit e Vlorës. Disa familje Komiteti i ka dërguar të punojnë në zona të thella të jugut me blegtorinë ku jetojnë të fshehur duke gjetur përkujdesjen e banorëve të atyre anëve).

“Largimi nga vendbanimi ku ka lindur hasmëria është një manovër për secilin prej atyre familjeve që e pësojnë këtë fatkeqësi, jo vetëm për të mos u përballur me hasmin, por edhe për të krijuar mundësi mbijetese nga lëvizjet e maskuara. Rreth 600 fëmijë që nuk shkojnë në shkollë për shkak të gjakmarrjes janë pikërisht në Tiranë e Durrës. Një pjesë e tyre punojnë me emër e identitet të rremë për të ndihmuar mbijetesën e familjes” – thotë Gjin Marku.

Organizata kundër gjakmarrjes që ai drejton bashkë me një organizatë tjetër simotër ka shpërndarë dy ditë më parë në media një deklaratë ku njofton se së bashku nisin këtë 21 gusht një ekspeditë, e cila do të shtrihet në të gjithë vendin. “Lirim pa kusht i grave dhe fëmijëve të ngujuar nga gjakmarrja. Ekspedita do të rifillojë pasi numri i vrasjeve është rritur ndjeshëm dhe nuk ka kursyer as fëmijët dhe vajzat e reja në moshë, duke tejkaluar kështu edhe rregullat e kanunit, – thotë Gjini.

Duket mision i vështirë. “Shumicën prej tyre i kemi të regjistruara dhe në ndjekje prej shumë vitesh. Por situata është bërë më e rëndë për ato dhe më e vështirë dhe për ne. Qeveria as ka dashur t’ia dijë për punën që bëjmë prej 20 vitesh. Akoma më keq që lidhet me individë e struktura kriminale që në disa raste i nxisin vrasjet” – thotë Marku.

Z.Marku, a kanë bërë mjaftueshëm strukturat shtetërore për të penguar gjakmarrjen, sipas jush?

Strukturat shtetërore janë të paafta për ta penguar gjakmarrjen. Nga viti 2000 deri në vitin 2005 patëm një mbështetje e bashkëpunim shumë të mirë me policinë e shtetit duke e ulur numrin e vrasjeve nga 250 në vit në 70. Ish-ambasadori amerikan kishte porositur qeverinë dhe strukturat e shtetit që ta konsideronin të nevojshme strategjinë për aplikimin e traditës në mbështetje të shtetit të së drejtës. Fatkeqësisht megallomania e ministrave të qeverisë aktuale është e papranueshme dhe rrënuese.

Në njoftimin tuaj që na mbërriti në redaksi ju thoni se ekspedita juaj e pajtimit u ndërpre, – po ju citoj, “disa herë gjatë vitit 2012 nga sekserë dhe trafikantë si dhe struktura të errëta në shoqëri, në policinë e shtetit dhe në administratën publike”. Çfarë doni të thoni me këtë fjali?

Flasim për sekserë që kanë lidhje me punonjës policie dhe përfaqësues të pushtetit lokal. Këta dërguan brenda një muaji vjet 420 familje në dyert e Brukselit e 350 në Mbretërinë e Bashkuar, dhe 800 të tjerë në prill-maj 2012. Kanë edhe bashkëpunëtorët e tyre në Suedi, Angli, SHBA e Kanada. Janë krijuar 83 pseudoshoqata pajtimi nga këta sekserë që veprojnë kryesisht në Tiranë e Shkodër, duke mashtruar e nxitur ngatërresat nën maskën e shoqatës. Fijet e rrjetit të tyre të çojnë tek individë me detyra publike dhe në policinë e shtetit që, ose janë të mashtruar, ose i mbështesin këta sekserë për qëllime fitimi.

 

 

“Legalizimi ka pjellë 610 hasmëri të reja, “tregu i pajtimeve” ka joshur sekserë të shumtë”

 

“Nga studimi që ka bërë ekspedita në 6 mujorin e parë të vitit 2012 rezulton se në vitin 2011 janë bërë 139 vrasje, 109 prej të cilave janë për hakmarrje, nderin, dhe gjakmarrje. Policia ka zbardhur 124 vrasje. 15 vrasje janë të pazbuluara të konsideruara si vetëvrasje, vrasje aksidentale ose vdekje e natyrshme. Pra vrasje nën mentalitetin e deformuar kanunor janë 109. Kemi një raport me të dhëna specifike të cilat mund t’i trajtoni edhe për opinionin publik, – thotë Marku në bisedën tonë të gjatë për gjakmarrjen dhe problematikën që e shoqëron atë. Disa nga të dhënat e raportit që ka hartuar Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar, të pohuara nga ai, po i rendisim më poshtë:

1 – 1400 familje të ngujuara

Në fund të vitit 2011 kishim 1640 familje të ngujuara. Kemi rreth 60 pajtime e zgjidhje me ndërmjetësim, një pjesë tjetër kanë kaluar në besë të përkohshme, ndërsa rreth 150 kanë lënë Shqipërinë. Në këtë moment kemi rreth 1400 familje të ngujuara dhe numri po rritet mbasi janë shtuar dhe vrasjet e plagosjet si asnjëherë tjetër.

2 – Legalizimi ka pjellë 610 hasmëri

Në 2012 ka një intensitet më të lartë vrasjesh se sa në vitin 2011. Ka një numër shumë më të madh se vitet e tjera të familjeve në hasmëri për shkak të konflikteve të mprehta, të pronave dhe tokave, veçanërisht në rrethet e mëdha. Legalizimi i disa ndërtesave pa kriter ka sjellë deri tani 610 hasmëri shumë të mprehta dhe 17 vrasje.

3 – Sekserë të shumtë për “pajtimet”

Sekserët të cilët kanë krijuar “institute”, “misione” a “shoqata pajtimi” për qëllime përfitimi, kanë favorizuar me vërtetime pranë gjykatave lirimin nga burgu të vrasësve kundrejt pagesave prej 15 – 20 000 Euro. Këta vrasës në të shumtën e rasteve janë ekzekutuar sapo kanë fituar lirinë, të tjerët kthehen përsëri në kontigjente më të sofistikuara pengmarrësish e vrasësish me pagesë. Depërtimi i këtyre sekserëve tek familjet në hasmëri (me pretekstin e pajtimit) shpesh është kthyer në një krim mbi krimin duke nxjerrë në pritë individë të familjeve, që fshihen nga hasmëria, kundrejt shpërblimesh të paguara nga të afërm të familjes së viktimës. Të përfshirë në kësi vrasjesh pabesie, disa nga këta “drejtues pajtimi” janë vrarë, por janë zëvendësuar me sekserë të tjerë që kanë rrëmbyer shoqatën dhe vulën e “misionit” të tyre. 32 nga sekserët që janë në Tiranë punojnë tek zogu i zi, Stacioni i Trenit, gjykata e Tiranës, Bathore, Babrru dhe Sauk. Në Durrës janë 26 dhe në Shkodër e Lezhë 22 të tjerë.

4 – Mashtrues që ‘kapin’ çdo mundësi

Policia nuk ka hetuar mbi këto veprimtari kriminale dhe këto vrasje, përveç rastit të Ilia Peraj që mashtronte me “misionin” e tij si dhe Indrit Aliu që merrte para në emër të familjeve të ngujuara duke u shfaqur në media si përfaqësues i këtij grupi në nevojë me zyrë pranë Kryeministrisë për të bindur njerëzit se ka lidhje me qeverinë. Pak ditë pas shfaqjes së tij në media me gruan e kryeministrit, Indrit Aliu arrestohet. Homologu i tij nga Fushë Kruja arrestohet për të njëjtat mashtrime dhe vdes pas një viti në rrethana të pasqaruara.

5 – Historia tragjike e 2 pajtimtarëve

Prijësit e ndershëm të misionit të pajtimit mbarëkombëtar u kërkuan familjeve në veri që të ndalonin djemtë e tyre për të shkuar në jug në kundër protestuesve. Pas këtij veprimi, dy themeluesit dhe prijësit kryesor të misionit të Pajtimit Mbarëkombëtar, Ndrek Pjetri e Luk Velaj, u përballën me kërcënime dhe tentativa për vrasje, deri sa u tërhoqën nga detyra. Luk Velaj u mbyll në vetvete për shumë vite deri sa vdiq nga dëshpërimi për uzurpimin e misionit nga këta sekserë që shfaqeshin edhe në media si drejtues misioni, ndërsa Ndrek Pjetri e la Shqipërinë e u largua jashtë në Kanada pas disa atentatesh për ta vrarë.

 

Nga Albina Hoxha

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu