Selim Daci: Në Shqipëri u hodha pas një përgatitjeje speciale në Gjermani

0
1635
Selim Daci: Para Gjyqit që i beri Shteti Shqiptar
Selim Daci: Para Gjyqit që i beri Shteti Shqiptar

Redaksia e “Gazetës Shqiptare” hap siparin dritës së hedhur mbi dosjet voluminoze të arkivit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, të etiketuara “Veprimtaria e emigracionit reaksionar shqiptar dhe diversantët e hedhur në vendin tonë”, të cilat përmbajnë dokumente të periudhës së viteve ’50 kur në Shqipërinë komuniste të asaj kohe ishte intensifikuar puna e Perëndimit, e cila në bashkëveprim me komitetin “Shqipëria e Lirë” synonte rrëzimin e pushtetit të Enver Hoxhës.
Shumë ngjarje dhe dëshmi janë thënë për atë periudhë aksionesh të heronjve antikomunistë, të cilat edhe janë besuar, edhe nuk janë besuar plotësisht për vetë faktin se për të thënë të vërtetën, është kërkuar më shumë se rrëfim. Më së shumti historitë dhe ngjarjet e njerëzve që kanë dhënë kontribut personal për përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri, aq sa kanë rënë në krye të këtij misioni, në shumë raste kanë tingëlluar si të stisura dhe si legjenda.
Pikërisht për këtë arsye redaksia e gazetës sonë po përqendrohet në dosjet e këtij arkivi, ku flitet për gjyqet dhe deklarimet e atyre, që në gjuhën e kohës quheshin diversantë.
Në zbardhjen e këtyre dosjeve, ne do t’u qëndrojmë besnike dokumenteve të njëpasnjëshme të kësaj dosjeje që do të anonçojmë përditë.
Gjuha e dialektike dhe terminologjia e të shkruarit në dokumentin e arkivuar zbardhet absolutisht siç është vetëm duke bërë korrigjime sporadike ortografike në rastet kur nuk ndryshon kuptimi.
Konkretisht në ditën sotme të këtij cikli në dosjen në 260 të Arkivit të MPJ, që i përket seksionit “Dëshmitë e diversantëve/viti 1951” gjendet dokumenti i parë që i përket deklaratës së Selim Dacit, apo siç shënohet në dokumentin “procesverbal” të diversantit Selim Daci.
Selim Daci është përgatitur në një nga kurset më speciale nga zbulimet sekrete perëndimore pranë Kompanisë 4000 në Mynih të Gjermanisë Federale dhe është hedhur në Shqipëri me grupin diversionist të Martaneshit në 11 dhjetor të vitit 1950.
Nuk do të kalonte shumë kohë dhe do të binte në dorë të Sigurimit komunist, pas të cilit do t’i jepej gjyqit ushtarak, ku do të bënte dhe rrëfimin e tij në mënyrën e deklaratës publike, procesverbali i të cilës si shumë të tjera të dosjes në fjalë të arkivit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, tashmë ndodhet në redaksinë e gazetës.
Në numrin e sotëm të gazetës po botojmë disa pjesë specifike të këtij procesverbali, me qëllimin për të mos e bërë të lodhshëm, ndërkohë që në ditët në vijim do të vazhdojmë në botimin e dëshmive të ndryshme që ndodhen në dosjen numër 260 të arkivit në fjalë të Ministrisë së Punëve të Jashtme, që i përket vitit 1951.

(Zbardhja e shkresës “procesverbal”)

PJESË TË NXJERRA NGA PROCESVERBALI I DIVERSANTIT SELIM DACI, I CILI ËSHTË DËRGUAR NGA AMERIKANËT ME AEROPLAN NË TOKËN SHQIPTARE NËPËRMJET GREQISË NË DATËN 11.12.1950 DHE HEDHUR PIKËRISHT NË ZONËN MIDIS LEZHË-KRUJËS

Në faqen 5 thuhet:
Kampi i Reggio Emilias ishte i vendosur në Casa Balilla që ndodhej në periferi të qytetit. Kampi ishte i U.N.R.R.A-s, drejtor ishte një major anglez i quajtur Lewis.

Në faqen 8 thuhet:
Kampi Bognoli administrohej nga I.R.O-ja.
Drejtori ishte një amerikan i quajtur Tomson. Me sa kam mësue, ky ishte me gradën “Major”, po në kamp qëndronte vazhdimisht civil.
Tomson banonte familjarisht afër kampit në disa shtëpi, që i kishte blerë ai vetë.
N/drejtori i kampit ishte një kapiten amerikan, emri i të cilit nuk më kujtohet. Veç këtyre, ishin edhe katër nënpunës italianë, që merreshin me punë intendenti dhe sekretarie.

Në faqen 9 thuhet:
Në internacionalen e gjelbër
(të partive agrare reaksionare)
Që u zhvillua në Uashington në fillim të vitit 1950 morën pjesë edhe të dyja partitë agrare të të arratisurve shqiptarë.

Në faqen 10 thuhet:
Mbas bisedimesh dhe mbledhjesh të shpeshta që u zhvilluan në vitin 1950, më në fund u arrit një marrëveshje ndërmjet partive të ndryshme, duke formuar një komitet të përbashkët, të cilit iu vu emri demagogjik “Shqipëri e Lirë”.
Fakti që decidoj në këtë marrëveshje qe puna që zhvilluan me krerët e dy partive dy personalitetet e huaja:
– Një i ngarkuar i Qeverisë Amerikane dhe një i ngarkuar i Qeverisë Angleze, të cilët më në fund arritën t’i bindin këta krerë për t’i bashkue. Formimi i Komitetit “Shqipëri e Lirë” kishte për qëllim kryesor grumbullimin e të gjitha forcave të reaksionit shqiptar në emigracion si dhe për të zhvilluar një aktivitet të organizuar dhe të mirë, drejtuar kundër Republikës Popullore të Shqipërisë.

Në faqen 12 thuhet:
Për vajtjen në Gjermani me të arratisurit shqiptarë Komiteti “Shqipëria e Lirë” zhvilloi një propagandë të gjatë dhe që ky komitet që bënte punën për dërgimin e shqiptarëve atje, sigurisht sipas urdhrave të amerikanëve, Blloku nuk mori pjesë dhe asnjë bllokist nuk shkoi në Gjermani.
Grupi i parë i shqiptarëve që shkuan në Gjermaninë Perëndimore u nis nga fundi i majit 1950 dhe përbëhej nga 96 të arratisur shqiptarë, 15 prej katundrës, 43 vetë të Legalitetit dhe 38 të Ballit.
Në faqen 13 thuhet:
Më datën 28 qershor u nis grupi i dytë në të cilin merrja pjesë edhe unë, Selim Daci. Ky grup numëronte 110 vetë dhe përbëhej prej 50 ballistë, 8 persona të katundares dhe 52 veta të Legalitetit.
Vendi ku u vendosëm ne shqiptarët e të dy grupeve në Gjermanin Perëndimore ka qenë qyteti Monako. Porsa arritëm në një stacion të periferisë së qytetit, me disa makina të mbyllura të IRO-s, na morën dhe na shpunë në kampin e IRO-s në jug të qytetit Etje…
Organizimi i të gjithë shqiptarëve këtu ka ken kështu:
Të gjithë shqiptarët e të dy grupeve përbënin një kompani, komandant i së cilës ishte Çaush Basha (Alia) nga jugu, ndërsa N/komandant ishte Xhemal Laçi.
Këta ishin komandantë përsa i përket efektivit si shqiptar. Kompania e jonë mbante emrin “400 Labor service kompani” dhe ishte nën mbikëqyrjen dhe drejtimin e kompanisë “65 Laborator Service company”. Komandant i kësaj ishte amerikani me origjinë shqiptare, kapiten Thommas Mangelly. Si personel tjetër ky kishte një nëntoger amerikan si dhe 3-4 rreshterë po amerikanë. Pak ditë pas arritjes tonë dmth. grupit të dytë nëntogeri amerikan iku, ndërsa kapiteni dhe rreshterët qëndruan.

Në faqen 14 thuhet:
Në ushtrimet që bënim në Dashau përmblidhen:

1-2 orë gjimnastikë, 1 orë ushtrime ushtarake dhe instruksione për këto, teori dhe praktikë për ngritjen e çadrave, veç këtyre kishte dhe instruksione mbi shërbimin e policisë e detyrat e rojes si dhe qitjes me armë. Neve të grupit të dytë nuk arritëm t’i bënim këto, sepse në Karlsfelf dhe Dashau qëndruam vetëm 15 ditë.
Në Dashau neve stërviteshim nga instruktorët gjermanë, të cilët kishin qenë oficerë ose nënoficer të ushtrisë gjermane më parë dhe sot shërbenin në shkollën e policisë gjermane, e cila ndodhej në Dashau dhe që quhej “Industri Polizej”. Edhe këta mbanin veshur divizën e zezë sikundër neve. Me sa kam mësuar, diviza e zezë ishte për të huajt në shërbim të “Labor Servicit Amerikan”, ndërsa vetë amerikanët po të kësaj arme kishin divizën e zakonshme ngjyrë ulliri. Nga gjermanët instruktorët tanë, njeri kish qenë toger dhe tjetri nëntoger dhe 5-6 të tjerët ishin nënoficerë me gradën Rreshter e Kapter. Aty mësova se nëntogeri më parë kishte qenë major i ushtrisë gjermane.
Kursi i policisë që bëmë dhe shërbimi që kryenim si roje në depot e municionit, ka qenë vetëm sa për të mos kalue kohën kot si dhe për të na maskue për të mos rënë në sy të popullit nga njëra anë dhe nga ana tjetër, për të mundur me na pregatitur për punën tjetër spiunazhi.

 

Nga Fatos Veliu

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu