Selimi: UÇK, fjala më e frikshme për Thaçin

0
711

(E plotësuar) Deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, duke iu drejtuar masës së tubuar në Sheshin “Nënë Tereza”, ka thënë se kryeministri Thaçi i frikësohet sot më së shumti vetëm një fjale.

“UÇK, kjo është fjala më e frikshme për Hashim Thaçin”, tha deputeti Selimi, i cili përcillej me brohoritje “UÇK, UÇK” nga turma e mbledhur.

“Edhe dje edhe sot, Policia e Kosovës, pa dëshirën e tyre, doli në mbrojtje mbrojtjen të qeverisë së paligjshme të Kosovës”, tha Selimi, duke cituar një nen ku thotë se policia duhet të jetë në mbrojtje të qytetarit.

Ai gjithashtu i bëri thirrje kryeministrit Thaçi që t’i lirojë të gjithë të burgosurit e djeshëm nga Policia e Kosovës.

Në veçanti, deputeti Selimi kërkoi që të lirohet Gani Krasniqi, apo siç e quajti ai, “bacën Gani”, sepse siç tha ai, “Gania ka bërë shumë për UÇK-në. Ai e dha edhe djalin e tij për lirinë e Kosovës”.

Ndërkaq, pas tij, foli lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, i cili, tha se sheshi “Nënë Tereza” është i qytetarëve, e jo i pushtetit.

“Po të ishte Policia e Kosovës brenda oborrit të Qeverisë, nuk do të ndodhte dhuna. Sheshi është i joni, jo i Qeverisë”, tha Kurti.

Ai tha se Qeveria e Kosovës, në këtë 100 vjetor të Pavarësisë së Shqipërisë, “në vend që të bisedojë me Tiranën, për bashkim me Shqipërinë, Thaçi bisedon për ndarjen e veriut të Kosovës”.

“Vetëvendosje e ka thënë shumë qartë se çfarëdo bisedimesh me Serbinë pa kushte, humb Kosova e fiton Serbia”.

“Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri na la fusnotën, e Serbia mori statusin për anëtarësim në BE”.

Kurti tha se Policia e Kosovës duhet të merret me “të korruptuarit, me mafinë e me strukturat ilegale kriminale të Serbisë në Kosovë”.

“Kjo qeveri po e bën një shtet policor e ne jemi kundër këtij shteti, jemi për shtet demokratik”, theksoi Kurti gjatë fjalimit të tij, duke shtuar se “Policët duhet të na mbrojnë, e jo të na sulmojnë”.

***

Nis protesta e Vetëvendosjes

Deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë nisur protestën e paralajmëruar për sot. Ata, të përcjellë nga rreth 300 protestues tjerë, janë duke brohoritur në Sheshin “Nëna Terezë” se “sheshi është i qytetarëve e jo i qeverisë”, ndërsa në duar mbajnë pankarta të ndryshme.

Në disa prej tyre shkruan: “Me hajna nuk ka shtet”, “Bashkim me Shqipërinë, jo pazare me Serbinë”, e të tjera.

Ata aktualisht janë tek busti i Skenderbeut, ku janë të vendosur edhe një numër i vogël i policëve.

Në mesin e deputetëve që janë duke i paraprirë protestës, janë edhe lideri i VV, Albin Kurti, nënkryetari Visar Ymeri e deputeti Rexhep Selimi.

Ndryshe, kjo protestë, e cila pason atë të djeshëm, në të cilën pati konfrontime të ashpra mes protestuesve dhe policisë së Kosovës, ku mbetën të lënduar nga të dyja palët, po zhvillohet për të kundërshtuar bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë.

 

Nga Jeton Llapashtica

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu