Serbët e ‘ledhatuar’, 100 milionë euro borxh KEK-ut

0
828

Qytetarët e komunitetit serb në veri të Kosovës dhe në disa pjesë në jug të vendit të banuara me shumicë serbe, që nga paslufta nuk e kanë paguar energjinë elektrike të shpenzuar. Madje, në disa enklava serbe, si në Graçanicë, inkasantët e KEK-ut as që kanë shkuar ta faturojnë këtë produkt. Ndërsa, tani, kur Korporata Energjetike e Kosovës ka paralajmëruar rritje të çmimit të energjisë elektrike, konsumatorët shqiptarë në Kosovë kanë thënë se kjo rritje e çmimit të energjisë elektrike po bëhet për ta mbuluar pjesën e humbur të pagesës nga ana e serbëve. Njohës të energjetikës në Kosovë janë shprehur se që nga paslufta në vend, as KEK-u e as institucionet e tjera të Kosovës nuk kanë qenë të interesuara ta zgjidhin problemin e pagesës së rrymës. Kurse, përfaqësues për mbrojtjen e konsumatorëve në vend kanë thënë se “në Kosovë kemi konsumatorë të ‘ledhatuar’, të cilën nëse ndonjë nuk e paguajnë energjinë e shpenzuar, si dhe konsumatorë të cilët duhet ta paguajnë energjinë e shpenzuar”.

Njohësi i çështjeve elektro-energjetike në Kosovë, Ethem Çeku, ka thënë se komuniteti serb që një kohë të gjatë, por edhe tani, nuk është duke i kryer obligimet ndaj KEK-ut dhe disa tentativa të mëhershme që kanë qenë, që qytetarët e Kosovës të paguajnë energjinë e shfrytëzuar, diku nuk ka gjetur mirëkuptim. “Realisht, mospagesa e energjisë elektrike nga komuniteti serb është bërë për disa arsye: Për shkak se KEK-u nuk e shtriu ndikimin dhe nuk gjeti metoda të caktuara për të detyruar komunitetin serb ta paguajë. Problemi i dytë ishte mungesa e mbështetjes në radhë të parë dhe kjo ka qenë arsyeja kryesore se KEK-u nuk gjeti mbështetje tek institucionet për ta detyruar komunitetin serb ta paguajë, sepse, ju e dini, komuniteti serb nuk e paguan jo vetëm energjinë, por edhe shumë shërbime të tjera, të cilat ai i merr nga shteti i Kosovës dhe nuk i kryen ato obligime. Problemi i tretë ishte që edhe nga institucionet ndërkombëtare sikur pati hezitim që të bëhet pagesa e energjisë elektrike, dihet në disa rate kur është ndërprerë dhe kur ka pasur edhe influencë që të jenë të kujdesshëm dhe të vëmendshëm për hapat e bërë. Do të thotë janë disa faktorë, disa elemente të cilat kanë bërë që komuniteti serb për vite të tëra të mos e paguajë dhe tani nuk është ndonjë numër aq i konsiderueshëm që e paguan energjinë elektrike. Po ashtu, ka mbetur edhe borxhli i madh në pagesën e energjisë elektrike”, është shprehur Çeku. Ai është shprehur se me këtë rast nuk po flitet për shuma të vogla të parave, por për qindra-miliona euro.“Komuniteti serb i ka rreth 100 milionë euro borxh dhe llogaritni cila korporatë apo institucion ndërkombëtar e kishte pranuar një gjendje të tillë dhe kjo po vazhdon që komuniteti serb jo vetëm në pjesën veriore të Kosovës, por edhe në pjesë të tjera të Kosovës nuk e paguan energjinë elektrike”, është shprehur Çeku, duke shtuar se asnjë investitor nuk do t’i ofrohet sektorit të energjisë kur e di që 5 apo 7% sa janë të komunitetit serb, nuk e paguan energjinë elektrike dhe kur 5% e konsumatorëve që e shpenzojnë energjinë elektrike janë sikur të jenë 15% të popullatës në përgjithësi, pasi, sipas tij, ata që nuk e paguajnë energjinë elektrike edhe e shpenzojnë trefishin e atyre që e paguajnë energjinë elektrike. Çeku ka thënë se politikat e KEK-ut duhet të ndërrohen.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu