Serbia bën politikë me të zhdukurit

0
769

Te Zhdukurit e KosovësShteti i Serbisë, përfaqësuesit e Kosovës, si dhe Bashkësia Ndërkombëtare po i zgjasin vuajtjen e familjeve kosovare që kanë familjarë të zhdukur. Rreth 1700 persona figurojnë të pagjetur, kurse punimet në varrezën masive në Rudnicë të Rashkës janë ndërprerë.

Komisioni Qeveritar për Persona të Pagjetur ka bërë të ditur të premten se arsyeja e dhënë nga shteti serb për ndërprerjen e punimeve është se nuk ka fonde të mjaftueshme për punën në Rudnicë. Ndërsa familjarë dhe analistë hedhin poshtë këtë arsye duke e quajtur ndërprerjen e punimeve një lojë politike të shtetit serb.

Nga gërmimet e filluara më 23 prill, janë gjetur rreth 50 trupa, dhe 87 mbetje mortore.

Prenk Gjetaj, kryesues i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur ka thënë se kjo që po e bëjnë serbët është krim i shumëfishtë. Ai ka theksuar se pas dy ditë e gjysmë që kanë filluar, punimet janë ndërprerë me arsyetim se mungojnë fondet.

“Vazhdon të bëhet krim i shumëfishtë sepse krimi i parë ka qenë vrasja, krimi i dytë nxjerrja pas tre apo katër javëve të rastit të Rezallës nga varri dhe dërgimi në një vend të panjohur tani veç i njohur si varreza masive në Rudnicë dhe pas lufte ndërtimi i një objekti për të fshehur gjurmët, dhe tani po them edhe ky është krim sipas vlerësimeve tona dhe të familjarëve që bëhen zvarritje e obstruksione”, tha ai. Gjetaj në konferencën për media ka thënë se në vend që viktimat e luftës të dëmshpërblehen, tani pala serbe, sipas tij, kushtëzon me kërkesën për të fituar donacione duke dashur të përfitojë në fatkeqësi me arsyetime se “nuk ka mjete për ta vlerësuar mënyrën profesionale të një varreze masive siç është Rudnica”.

Nga Rudnica janë nxjerrë 87 mbetje mortore

Nga ana e tij, Arsim Gërxhaliu, drejtor i Mjekësisë Ligjore, ka thënë se lokacioni i parë “Rudnica 1” deri në kufirin e lëvizjes së dheut është kontrolluar dhe ka rezultuar me 45 gjetje, trupa relativisht të mbledhur mirë dhe 87 mbetje mortore. Ndërkaq, prej këtyre dy grupacioneve, ai tha se janë marrë 156 mostra të AND-së dhe janë dërguar për analiza të AND-së.

Nysrete Kumonva, kryetare e Shoqatës “Thirrjet e Nënave” dhe një nga nënat që ka djalin të zhdukur, ka thënë se ndërprerja e punimeve do të ringjallë dhimbjen edhe më të madhe tek familjarët e të pagjeturve, si dhe do të shuajë shpresat se një ditë do t’iu kthehen eshtrat e të afërmeve.

Po, ndërprerjen e punimeve ajo e ka quajtur një lojë tjetër politike, zhgënjim, tradhti të shtetit serb, e që tash ajo thekson se “ata (serbët) jo vetëm na vranë njerëzit tanë më të dashur, por dhe nuk po na japin ata”. Kumnova ka thënë se çështja e të pagjeturve po neglizhohet nga të dyja palët. Madje, ajo thekson se edhe presioni ndërkombëtar po mungon. Sipas saj, bashkësia ndërkombëtare po ledhaton Serbinë, dhe Kosova në anën tjetër nuk po interesohet për të pagjeturit. “Është e rëndë për ne se Serbia sigurisht këqyr diçka ta shfrytëzojë edhe këtë rast”, tha ajo.

Ndërprerja e zhvarrimit, për interesa të Serbisë

Kryetari i KMDLNJ-së, Behxhet Shala, ka thënë se Serbia po bën lojë dhe po përpiqet që të zvarrisë procesin e zhvarrimit. Sipas tij, me këtë veprim shteti serb po do t’i ikë edhe përgjegjësisë. Ai e quan të paarsyeshëm arsyetimin e Serbisë se nuk paska fonde për të financuar zhvarrimin. Shala thotë se aq mjete sa duhen për zhvarrim ka dhe një OJQ në dispozicion, prandaj, sipas tij, ndërprerja e zhvarrimit po bëhet vetëm për interesa të Serbisë.

Në mungesë të një veprimi të përbashkët politik e institucional në Kosovë ku, Shala thotë se më shumë po punohet si “ta hanë njëri-tjetrin” sesa të interesohen për çështjet qenësore që prekin popullatën, dhe në anën tjetër edhe rolin e dobët të Bashkësisë Ndërkombëtare për të bërë presion mbi Serbinë, Shala e sheh çështjen e të pagjeturve të lënë anash.
Madje ai thekson se edhe gjatë fushatës politike të pagjeturit nuk janë përmendur nga asnjë subjekt politik, ndonëse, sipas tij, një gjë e tillë ishte premtuar të zgjidhet para fushatës. Për t’u zgjidhur çështja e të pagjeturve, ai thotë se BE-ja është dashur t’i bëjë presion Serbisë para anëtarësimit të saj në BE.

Tash, ai thotë se, ndërprerja e punimeve ka si qëllim që Serbia të mos dëmtojë imazhin e saj dhe t’i ikë përgjegjësisë, sepse zhvarrimi i trupave kërkon edhe që dikush të dalë para drejtësisë.

Nga: Anita Kadriu

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu