“Serbia e Madhe” vs. “Shqipëria e Madhe”

0
711

Rama_Vucic2

 

Instituti  i Studimeve për Ballkanin dhe Lindjen e Mesme, me qendër në Ljubljanë të Sllovenisë, ka analizuar marrëdhëniet shqiptaro-serbe, pas incidentit në stadiumin “Partizani” të Begradit. Në analizën e IFIMES theksohet se “Shqipëria e Madhe” është një produkt serb, që fsheh ambicien e tyre për “Serbinë e Madhe”.

“Incidenti me dronin në stadium nxori në pah realitetin e marrëdhënieve mes dy kombeve dhe shteteve. Ndeshja që duhet t’i paraprinte vizitës së Kryeministrit shqiptar, Edi Rama më 22 tetor, tregoi se pavarësisht nga sesa shumë i pranishëm është shpirti i së ardhmes, ai i së shkuarës, është mjaft i fortë, aq sa të pengojë të ardhmen”, theksohet na raportin e IFIMES.

Përfundimi i ndeshjes Serbi-Shqipëri tregon gjithë kompleksitetin e marrëdhënieve në Ballkanin Perëndimor, duke vënë në pyetje gjithçka që është bërë për normalizimin e këtyre raporteve. Çfarë duhet bërë për të stabilizuar këto marrëdhënie dhe paqen në rajon? – pyet IFIMES.

“Fatkeqësisht, asnjë zhvillim nuk është arritur përgjatë viteve të qeverisjes së Sali Berishës dhe Boris Tadiç. Berisha kishte frikë nga ‘shqiptarët e tij’, po ashtu, edhe Tadiç i druhej ‘serbëve të tij’. Të dy kishin një të përbashkët: I drejtuan vendet respektive, duke lejuar sistemin e krimit dhe korrupsionit, të penetronte në të gjitha sferat e jetës sociale dhe politike. Nëse Zoran Xhinxhiç do të ishte ende gjalle, këto raporte do të ishin shumë ndryshe, jo vetëm sa i përket Shqipërisë, por edhe në lidhje me shqiptarët e Kosovës”, thuhet më tej në analizë.

Analiza vijon më tej, duke nënvizuar se Berisha përdori kartën nacionaliste, bazuar në idenë e krijimit të Shqipërisë së Madhe, duke sjellë reagime te fqinjët ballkanikë, sidomos në ato vende ku jetojnë shumë shqiptarë etnike.

“Bashkimi me Kosovën, u bë subjekt i debatit publik. Sali Berisha e nxori këtë tezë për të mbetur në pushtet, në përvjetorin e 100-të të shtetit shqiptar, në nëntor 2012. Uashingtoni zyrtar u kërkoi partive politike dhe liderëve të përqendroheshin tek prioritetet dhe integrimi euro-atlantik, është sigurisht njëri prej tyre”, theksohet në analizën e IFIMES.

 

Çfarë ndodh sot?

Rama dhe Vuçiç fituan zgjedhjet parlamentare me një shumicë të madhe: Rama në qershor 2013 dhe Vuçiç në mars 2014. SHBA dhe BE , veçanërisht Gjermania e pa këtë fitore në Shqipëri dhe Serbi, si pikë kthese drejt një bashkëpunimi më të madh rajonal.  Megjithatë Shqipëria edhe Serbia, mbeten të dominuara nga aparati i fortë shtetëror, i trashëguar nga partitë paraardhëse.

Në fund të gushtit 2014, Kancelarja gjermane, Angela Merkel, priti në Berlin liderët e shteteve dhe qeverive të Ballkanit Perëndimor, në një konferencë për bashkëpunimin rajonal në Ballkanin Perëndimor. Synimi i konferencës ishte ndryshimi i situatës “njëra palë kundër tjetrës” në “të punuarit së bashku”.

Megjithatë, sinjalet e para të intolerancës, u shfaqën mes Kryeministrit serb dhe atij shqiptar. Tre ditë para Konferencës së Berlinit, Kancelarja Merkel bëri me dije se konferencën e përbashkët do ta mbanin ajo dhe Kryeministri shqiptar Rama.

Qeveria serbe e kundërshtoi këtë, duke u shprehur se nuk ishte dakord që Rama të ishte përfaqësues i Ballkanit Perëndimor. Edhe pse u spekulua se Vuçiç mund të refuzonte të shkonte ne Berlin, Merkel nuk e ndryshoi vendimin dhe konferenca u mbajt sipas planeve të saj. Rëndësia që Merkel i dha Edi Ramës ishte një sinjal i fortë dhe i qartë se Berlini kërkon të hapë një kapitull të ri në raport me Tiranën.

Pas incidentit të ndeshjes, në skenë hyri sërish Kancelarja gjermane, e cila u përpoq të zgjidhte tensionin mes Ramës e Vuçiç, natyrisht, larg syve të publikut. Rama konfirmoi, se pas ndërhyrjes së Merkel, ai dhe Vuçiç nuk kishin me probleme të komunikonin dhe vizita u shty për në 10 nëntor.

Angela Merkel investoi për të ndërtuar besimin mes Ramës e Vuçiç, duke i konsideruar si motori që mund të tërheqë gjithë Ballkanin Perëndimor në procesin integrues. Koha do të tregojë nëse investimi, do të jetë i vlefshëm apo një tjetër zhgënjim nga liderët e Ballkanit.

Por ndarjet janë prezente. Pas incidentit të ndeshjes, kryeministri serb Vuçiç i telefonoi zëvendëspresidentit amerikan Xho Biden, duke i kërkuar, nëse ishte me “Shqipërinë e madhe” apo “Serbinë normale”? Kryeministri Rama reagoi ndaj qëndrimit te Vuçiç duke thënë, se “Serbia normale do të jetë një realitet , vetëm kur Serbia reale, të kuptojë, se Shqipëria e Madhe është frika e tyre dhe jo projekti ynë”.

Në fakt kjo është e vërtetë, shkruhet në analizën e IFIMES.  “Shqipëria e Madhe, nuk ka qenë kurrë projekt i shtetit shqiptar, por një produkt serb i përdorur si mbulesë për ambicien e tyre të Serbisë së Madhe. Një pjesë e madhe e shqiptarëve jetojnë jashtë kufirit administrativ, kryesisht në Maqedoni, Mal të Zi, Serbinë e Jugut dhe Kosovë. Megjithatë Shqipëria, në të kundërt nga Serbia, asnjëherë nuk luftoi me këto shtete për të kthyer kufirin etnik, që kishte para vitit 1913. Nga ana tjetër lider serb, Sllobodan Milosheviç, bëri luftë me Slloveninë, Kroacinë, Bosnjë-Hercegovinën dhe Kosovën, për të krijuar Serbinë e Madhe dhe për te mbledhur serbët ne një shtet të vetëm” – thuhet në analizë.

[youtube url=”https://www.youtube.com/watch?v=645V9eryieI#t=11″ width=”560″ height=”315″]

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu