Serbia fsheh krimet, shantazhon Kosovën!

0
520

Musolli

Serbia vazhdon të bashkëjetojë me krimin. Ajo i mban të fshehura varrezat masive dhe mbetjet mortore të shqiptarëve të Kosovës. Serbia në asnjë kohë nuk ka kërkuar falje për krimet masive ndaj shqiptarëve. Kjo dëshmon se ky shtet nuk ndryshuar dhe po vazhdon me politikën e saj kriminale ndaj shqiptarëve.

Është detyrim i shtetit serb t’i zbardhë krimet ndaj popullsisë shqiptare. Ato krime janë e do të mbesin të pashlyeshme sepse janë pjesë e asaj që mund të quhet si një histori gjenocidale që e ka bërë një shtet ndaj një populli, sidomos në këto njëqind vjetët e fundit.

E kaluara jonë shumë e hidhur të mos harrohet asnjëherë, POR asnjëherë të mos bëhemi pjesë e hakmarrjes sepse duhet të vazhdojmë tutje, të bëhemi pjesë e integrimeve me botën e përparuar, e jo të mbesim pjesë e trazimit e fanatizmit ballkanik. Në kuptim të përparimit të vendit tonë, vend të rëndësishëm zënë marrëdhëniet ndërshtetërore me fqinjët, pavarësisht hidhërimeve të  rënda që na i kanë shkaktuar në vazhdimësi.

Zbardhja e krimeve e ndihmon paqen dhe pajtimin mes popujve të konfliktuar apo, si e thonë politikanët, zbardhja e krimeve krijon lehtësim, sepse jemi shumë larg normalizimit të marrëdhënieve shqiptaro-serbe. Qeveritë e  Serbisë thonë se janë demokratike, por nëse është kështu, ato  duhet të jenë të denja e të marrin përgjegjësi historike për t’u përballë me të vërtetën për ta bërë zbardhjen e krimeve serbe ndaj popullsisë shqiptare, e për të kërkuar falje publike për veprimet e tyre vrastare që i bën gjatë historisë.

Ky është edhe një detyrim njerëzor që kanë qeveritarët dhe intelektualët serbë ndaj viktimave dhe familjeve të tyre. Kërkimfalja publike konsideroj se është edhe një detyrim moral që kanë serbët ndaj shqiptarëve, pra të thuhet e vërteta e të krijohen rrethana të reja bashkëpunimi mes dy popujve dhe mes dy shteteve që pretendojnë të bëhen pjesë e BE-së.

Ballkanasit, dihet, e kanë një mallkim të madh në shpirtin e tyre: ata kënaqen kur bëjnë krime ndaj tjetrit, por kënaqen edhe më tepër kur nuk shprehin keqardhje për krimet e bëra sepse, në mendjen e tyre të prishur banon djalli që si lejon ta bëjnë një gjë të tillë dhe kjo e vërteton shpirtin e tyre kriminel.

Si është e mundur të gjitha qeveritë serbe, përfshirë edhe këtë të Vuçiqit, të vazhdojnë e të bëjnë tregti më mbetjet mortore të shqiptarëve të vrarë në vitin 1999. Këto mbetje mortore të njerëzve tanë, për numrin e të cilëve nuk dihet ende, vazhdojnë të mbahen të fshehura në lokalitete të shumta serbe.

Një çmenduri e një kohë apo e një shteti, i cili mizorisht vret civilë të paarmatosur dhe të vrarët i mbanë të fshehur për të bërë tregti me ta. Çuditërisht, kjo ndodh në Beograd disa qindra kilometra larg Brukselit, ndodh në shtetin e Serbisë, e cila paturpësisht thirret në parime demokratike evropiane, thirret në liritë dhe të drejtat njerëzore, thirret në sundim të ligjit e drejtësi, sepse edhe më krim është fshehja e të vrarëve dhe fshehja e mbetjeve mortore. E, megjithatë Evropa këtij shteti të kriminalizuar ia njeh statusin e shtetit-kandidat për anëtarësim në BE. Si është e mundur ta bëjë një veprim të tillë bashkësia ndërkombëtare, ta shpërblejë shtetin që vazhdon t’i fshehë mbetjet mortore dhe si të arrihet paqja e pajtimi me kriminelët, të cilët nuk t’i japin mbetjet mortore sepse u duhen për ta mbajtur në tension një popull të tërë.

Serbia po i përdor të gjitha mekanizmat ndërkombëtarë, madje edhe armiqtë e dikurshëm po përpiqet t’i bëj për vete, për t’u paraqitur si palë bashkëpunuese me bashkësinë ndërkombëtare, kuptohet maksimalisht po i kapitalizon zvillimet aktuale në Kosovë. Po ashtu, Serbinë po e ndihmojnë edhe politikanët kosovarë. Ky shtet, duke luajtur rolin e viktimës ka arritur të pengojë që në Bruksel të bisedohet seriozisht për temën e të zhdukurve, varrezat masive dhe mbetjet mortore të disa mijëra shqiptarëve të vrarë. Serbia ishte vrasësi, ndërsa qarqet e caktuara të bashkësisë ndërkombëtare janë bashkëfajtore të krimeve serbe në Kosovë.

Ditë më parë u transmetua lajmi ku thuhet se Prokuroria për Krime Lufte e Serbisë, gjatë muajit tetor do të nxjerrë një urdhëresë për nisjen e kërkimeve në Batajnicë, ku dyshohet se ka mbetje mortore të shqiptarëve të vrarë gjatë vitit 1999.

Serbia thotë se do të hetojë vendndodhjet e mbetjeve mortore, që do të thotë, se ajo sikur nuk i paska  të njohura krimet që i ka bërë dhe po u dashka t’i fillojë hetimet për të marrë vesh për varrezat masive që i hapi vetë shteti për t’i varrosur civilët e vrarë shqiptarë. Ky fenomen dhe veprim idiotesk i qeveritarëve serbë flet për atë se deri ku ka arritur kriminalizimi i një shteti. Është po ashtu interesante kur thuhet se për hetimin e mbetjeve mortore qenka caktuar Prokuroria për Krime Lufte e cila vërtet do të duhej të përgjigjej për krime, sepse ka fshehur krimin që ka bërë shteti serb kundër civilëve që u vranë vetëm pse ishin shqiptarë.

Serbia vazhdon shantazhimet kudo. E instalon pushtetin e vet në institucione të Kosovës dhe ajo na i cakton edhe temat për të cilat duhet biseduar në Bruksel. Ne zgjodhën heshtjen thuajse ne ishim fajtorët që na vrau Serbia dhe përgjigjet e politikanëve tanë për heshtjen e tyre ishin absurde: se është kërkuar prej nesh të jemi të matur, të mos e hidhërojmë Serbinë sepse ajo mund të largohet nga negociatat dhe me këtë do t’i shkaktonim dëm dialogut dhe vendit tonë. Për politikanët tanë ishte e mjaftueshme që merrnin lëvdata për moshapjen e temave të nxehta, siç ishin edhe dëmet e luftës, dëmet ekonomike apo vjedhjet dhe pasojat e tjera që na i shkaktoi regjimi i Millosheviqit për më shumë se 15 vjet.

Asnjëherë nuk ishte e vërtetë se Serbia ishte e fortë, POR e vërtetë ishte se ne ishim të dobët, ende vazhdojmë të mendojmë për armiqtë tanë se janë të fortë e ne jemi askund, prandaj duke menduar me logjikën e të dobëtit, jemi dobësuar tej mase dhe sot kemi ardhur këtu ku jemi: nuk i hyjmë në punë askujt dhe nuk i duhemi as djallit të mallkuar. Të tillë të dobët e sakat do të jemi përderisa do t’na udhëheqin njerëzit e paaftë dhe ata që qëllim kryesor e kanë si të bëhen të pasur e jo për ta bërë këtë popull të lumtur.

Është bërë modë të thuhet me kënd je dhe me cilën je … përgjigja ime është se nuk jam as me ju as me ata e as me këta, por jam më ata që marrin përgjegjësi për ta drejtuar vendin si duhet dhe ku duhet në Evropë. Më gënjeshtra e trillime nuk shkohet as në Lamë të Pejës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu