Serbia gjunjëzon liderët e Kosovës

0
673

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Serbisë, të caktuara për 16 mars 2014, pritet të organizohen edhe në territorin e Republikës së Kosovës, ku do t’iu mundësohet votimi edhe pjesëtarëve të komunitetit serb në vend.

Institucionet as në të kaluarën nuk ia kanë dalë ta pengojnë procesin e votimeve në vend për zgjedhjet e Serbisë, e cila gjë është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Derisa zyrtarë të Qeverisë së Kosovës ende nuk kanë ndonjë qëndrim se si do të veprohet nëse Serbia rrit presionin tek autoritetet ndërkombëtare për lejimin e organizimit të zgjedhjeve parlamentare, partitë opozitare shfaqin drojën se edhe këtë herë do të lejohet mbajtja e zgjedhjeve të shtetit fqinjë në Kosovë.

“Me kohë do të dalim me qëndrim për këtë çështje”, ka deklaruar zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi.
Ndërsa këshilltari i kryeministrit Thaçi, Bekim Çollaku, ka thënë se qytetarët që kanë dyshtetësi do të mund të votojnë në zgjedhjet parlamentare të Serbisë.

“Serbia nuk mund të organizojë asnjë lloj zgjedhjesh në Kosovë. Mirëpo, qytetarët e Kosovës të komunitetit serb që kanë dyshtetësi kanë të drejtë të votojnë në zgjedhjet parlamentare të Kosovës dhe ato të Serbisë. Kjo gjë është legale për të gjithë qytetarët e Kosovës që kanë dyshtetësi. Se çfarë modalitetesh teknike do të aplikohen për të mundësuar një gjë të tillë, është herët të flitet”, ka thënë Çollaku.

Në anën tjetër nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Teuta Sahatqija, ka thënë se nëse e analizojmë rrjedhën e zgjedhjeve të mëhershme të Serbisë e shohim se çdo herë shteti serb që ka tentuar ka organizuar zgjedhje në pjesën veriore, por edhe komunat tjera të Kosovës, ku serbët janë komunitet shumicë.

Por ajo ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk duhet të lejojë mbajtjen e tyre në territorin e Kosovës, sepse do të dëmtohej imazhi i Kosovës.

“Qeveria duhet të jetë shumë syçelë dhe të mos lejojë mbajtjen e zgjedhjeve në territorin e Kosovës, sepse nëse këto zgjedhje mbahen edhe në Kosovë, atëherë do t’i vërtetohet jo vetëm Serbisë, por edhe bashkësisë ndërkombëtare thënia e Serbisë, që Kosova është pjesë e saj. Prandaj ky është rrezik i madh për autoritetin edhe ashtu shumë të dëmtuar të Kosovës”, ka thënë Sahatqija.

Ajo ka shtuar se kryeministri i Kosovës duhet të jetë në gjendje që ta mbrojë sovranitetin e Kosovës.

“Qeveria, konkretisht kryeministri nëse është në gjendje me shku me u fotografu në Bruksel me kryeministrin e Serbisë, atëherë do të duhej të jetë në gjendje edhe të mbrojë territorin e shtetit të vet”, ka deklaruar Sahatqija.

Ndërsa zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Erzen Vraniqi, ka thënë se Qeveria e Kosovës asnjëherë nuk e kreu detyrën e vet kushtetuese, që është ushtrimi i sovranitetit në tërë territorin e vendit, por u dorëzua para këtyre strukturave.

“Nuk e dimë se a do të ketë zgjedhje të Serbisë atje, por gjithsesi strukturat serbe, të organizuara në “Listën Serbe” do ta formojnë entitetin serb të quajtur Asociacion apo Bashkësi e Komunave Serbe, i cili do të funksionojë i pavarur dhe neutral ndaj statusit dhe rregullimit kushtetues të Kosovës, por i varur nga Serbia, qoftë me apo pa përfaqësues në parlamentin serb”, është shprehur Vraniqi.

Mirëpo, shefi i të ashtuquajturit Këshill i Kosovës në Kuvendin e Serbisë, Milovan Drecun, ka deklaruar për mediet serbe se pjesëmarrja e serbëve të Kosovës në votime nuk mund të vihet në pikëpyetje, pasi që, siç ka thënë ai, ata janë shtetas të Serbisë, me dokumente të këtij shteti.”Besoj se BE do të përpiqet që edhe serbët në Kosovë të votojnë të papenguar.

Prishtina le ta interpretojë si të dojë. Serbët atje nuk janë diasporë”, pati pohuar Drecun. Ndërsa ish – ministri për Kosovën, Slobodan Samarxhiq, ka thënë se serbët në Kosovë do të votojnë sikurse serbët në Hungari, në Gjermani ose në ndonjë shtet tjetër.

 

Nga: Albert Ahmeti

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu