Serbia ndikim në KEK

0
995

Pos skandaleve që s’kanë të ndalur, që çdo ditë na dalin nga Korporata Energjetike e Kosovës, këto ditë mësuam lajmin se KEK-u paska ndalur shpeshherë prodhimin e energjisë për të përmbushur kontratën me kompanitë serbe, të cilave u paguan disa herë më shtrenjtë çmimin e rrymës. Të jesh në gjendje të bësh këto pazare me kompani serbe, s’ka sesi të komentohet ndryshe pos dëshmi se mafia energjetike i ka ngulur rrënjët thellë në Kosovë.

Një situatë e tillë kalon çdo stad të keqpërdorimeve milionëshe, dhe bëhet një çështje shtetërore për të cilën dikush duhet të japë llogari. Kontrata të tilla lojëra me prodhim, çmime shumë herë më të larta, nuk bëhen në ajër pa dijeninë e njerëzve me peshë. Kjo rrit dyshimet për përfshirjen e njerëzve të fuqishëm në këto pazare.

Gazeta “Zëri” raportoi një ditë më parë për 56 milionë euro që u janë paguar kompanive serbe për importe dhe për punë të tjera që kanë kryer në KEK vetëm në vitin 2011, për të mos harruar me vite të tëra që këto kompani kanë kontrata me KEK-un për import. Nga lista e prokurimeve që ka siguruar gazeta del se kompanisë “Geni do Beograd&Tirana” me seli në Beograd vetëm për periudhën janar-dhjetor të vitit të kaluar ka marrë mbi 33 milionë euro, duke mos lënë anash as kompaninë tjetër serbe, “Rudna grup AD”, e cila po ashtu ka marrë kontratë milionëshe.

Kësaj makinerie të sofistikuar është duke i kontribuar me vullnet Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), e cila tash dymbëdhjetë vjet radhazi vetëm sa ka forcuar kapacitetet e saj gjithmonë në gatishmëri për nevoja të grupeve të caktuara të interesit. Nga ana tjetër hulumtimi i “Preportr”, tregon detaje se si KEK-u edhe kur ka prodhuar mjaftueshëm energji për kërkesat e konsumit vendor, është detyruar të ndalë gjeneratorët e vet për të përmbushur këto kontrata të importit të energjisë elektrike, që nga kompanitë serbe blihej me çmime shumëfish më të larta sesa ato të tregut. Të gjitha këto detaje tronditëse që dalin për keqpërdorimet milionëshe nuk zgjojnë reagim.

Është e pritshme që pushteti s’ka logjikë në këto rrethana ta ngrejë zërin, por opozita së cilës i janë servuar faktet të gatshme në dorë nuk tregoi interesim. Edhe pse kemi të bëjmë me një çështje shumë më të ndjeshme shtetërore se sa thjeshtë një kontratë shitblerje me kompani serbe. Këto të dhëna po dëshmojnë një realitet të pakontestueshëm dhe shumë shqetësues, se kompanitë serbe na dalin të kenë më shumë ndikim brenda Kosovës sesa vetë ndërmarrja publike KEK e cila është ende aset shtetëror.

Ndërkohë që konsumatorët janë ata që manipulohen, të cilët për një kohë të gjatë kanë paguar dy herë për energjinë, faturat direkt dhe përmes buxhetit të Kosovës i cili i ka dhënë KEK-ut çdo vjet me qindra mijëra euro për import të energjisë. Më shqetësuese sesa vetë faktet e bëra me dije, është krijimi i rrethanave të tilla ku gjithçka kalon në normalitet.

Sot nuk ndëshkohen edhe pse disa vjet më parë administratori ndërkombëtar i KEK-ut, Joe Trutschler, i cili pati bartur 4 milionë euro të KEK-ut në xhirollogarinë tij private në Gjibraltar, shtylla e katër e UNMIK-ut pati iniciuar hetimet të cilat rezultuan me dënimin e tij. Por, kush do të marrë përsipër të iniciojë hetimet për këto skandale të KEK-ut që mund të na dalin më të zeza sesa të rastit të famshëm Joe Truschler?

 

Nga Arbana Xharra

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu