Serbia: USA kërkon trazira, shqiptarët mercenarët e saj

0
671

Një artikull i medias fiqnje, “Veçernje Novosti” e konsideron situatën e tensionuar ku gjendet aktualisht rajoni, pasojë e një komploti madhor perëndimor, veçanërisht amerikan, i cili ka qëllim të përdorë shqiptarët si vegël për të destabilizuar Serbinë ortodokse, në një çast kur në këtë vend është rritur prania ruse. Artikulli, i pasqyruar gjerësisht në një pjesë të mirë të mediave fqinje nënvizon se përkeqësimi i raporteve mes Beogradit e Prishtinës, pavarësisht negociatave mes dy vendeve, nuk është aspak i rastësishëm dhe se shqiptarët “kanë ndër mend t’i përshkallëzojnë ngjarjet deri në fund”. “Kjo në masë të madhe i detyrohet sjelljes agresive të ekstremistëve dhe terroristëve shqiptarë”, shkruan “Veçernje Novosti”
Uashingtoni
Në artikull citohet albanologu Kaplan Buroviç, një akademik autoritar, i cili vëren se Shqiptarët e dinë që serbët nuk do t’i përgjigjen me të njëjtën gjuhë ashpërsimit të raporteve nga ana e tyre. “Shqiptarët kanë aleatë në Uashington dhe në Tiranë, ku merren vendimet për mënyrën si do luftohet kundër Serbisë ortodokse. Është evidente që ndërsa SHBA kërkon të vërë nën kontroll gjithë botën, po i përdor shqiptarët si mercenarë për shpërbërjen e Serbisë”, thotë akademiku Buroviç për “Veçernje Novosti”.
Një tjetër akademik serb i vendos ngjarjet aktuale të rajonit ballkanik në kontekstin e interesave globale imperialiste të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sipas kësaj teze, në mbështetje të këtyre interesave të SHBA është vendosur edhe Bashkimi Evropian. “Perëndimi e ka parë shtrembër shitjen e NIS (Industria e Naftës Serbe), ndërtimin e bazës ruse në Nish, ndërtimin e gazsjellësit “South Stream”, si dhe investimet e reja të kompanive ruse në Serbi. Çdo herë që Beogradi afrohet me Moskën, pasojat bien mbi Serbinë, të cilat mbërrijnë përmes ekstremistëve shqiptarë. Destabilizimi i vendit është vetëm një prej mënyrave që ndiqen për të nënshtruar interesat serbe ndaj perëndimit”, shkruan Darko Trifunoviç.
Më tej “Veçernje Novosti” shkruan se Qeveria kosovare po implementon disa forma të dhunës politike mbi serbët. Ato janë: presioni politik nga Prishtina dhe aleatet e saj perëndimore, BE dhe USA, demonstrimet e protestat publike, sulmet mbi serbët, shtëpitë e tyre, kishat, varret e monumentet, sulme me armë e eksplozivë në zonat e banuara nga serbë, kërcënimi për shkëputje territoresh të reja nga Serbia si dhe shkëputja prej Serbisë drejt krijimit të Shqipërisë së Madhe. Historiani Srxhan Svetkoviç vëren në artikull se shqiptarët ushtrojnë dhunë politike, pasi këtë ua lejon heshtja e Bashkimit Evropian, i cili për hir të interesave gjeo-strategjike është i gatshëm të mbyllë sytë përpara shkeljeve të rënda të të drejtave njerëzore.
Luftë apo jo?
Në mbyllje të artikullit “Veçernje Novosti” shtron pyetjen nëse ka të ngjarë që të ndodhë një konflikt i armatosur mes shqiptarëve e serbëve? “Nëse Serbia nuk iu bindet urdhrave, Perëndimi do ta ketë të lehtë t’i lejojë terroristët shqiptarë në jug të Serbisë e dhe në Serbi t’u qëllojnë serbëve”, përgjigjet akademiku Darko Trifunoviç. “Ekstremistët Shqiptarë kërkojnë të krijojnë Shqipërinë e Madhe, e cila i nevojitet Perëndimit për të zgjeruar frontin kundër Rusisë. Kjo super-Shqipëri nuk mund të krijohet pa luftë, pasi do të ngrihen Greqia, Maqedonia, Serbia e Mali i Zi”, përgjigjet akademiku Kaplan Buroviç.

 

Nga Lorenc Rabeta

 


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu