Serbisë integrim, Kosovës izolim

0
716

Isa_Mustafa_Hashim_Thaci_Ivica_Dacic_Aleksander_Vucic_Federica_Mogherini_Bisedimet_ne_Bruksel1436075615-848x478

Serbia ia ka parë më shumë “hairin” se Kosova dialogut që po zhvillohet në Bruksel, ndonëse në këtë proces kanë qenë të përfshira të dy palët.

Komisioni Evropian i ka mundësuar Serbisë që pas një kohe të bllokimit të negociatave për anëtarësim, t’i hapë edhe kapitujt tjerë në këtë proces.

Ndërkohë, që Kosova ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje se kur do ta nënshkruajë Marrëveshjen për Stabilizim-Asocim me BE-në dhe as se kur do të mundë të hiqet regjimi i vizave për kosovarët.

Vetë ministri i Integrimeve Evropiane në Qeverinë e Kosovës, Bekim Çollaku, gjatë një interviste të premten për gazetën “Zëri”, është shprehur i habitur nga ngutësia e Komisionit Evropian për ta shpërblyer menjëherë Serbinë për “konstruktivitetin” e saj në dialog me Kosovën. Ndërsa është shprehur i zhgënjyer që BE-ja po dështon ta dëshmojë me veprime konkrete se në këtë dialog është edhe një palë tjetër, pala kosovare.

“Unë jam i habitur nga ngutësia e Komisionit Evropian për ta shpërblyer Serbinë menjëherë për ‘konstruktivitetin’ e saj në dialogun me Kosovën. Ndërsa, jam tepër i zhgënjyer që BE-ja dështon ta dëshmojë me veprime konkrete se në këtë dialog është edhe një palë tjetër, e cila ka nevojë që të përfitojë shumë më tepër sesa Serbia në agjendën evropiane”, ka deklaruar Çollaku, duke shtuar se nuk e pengon avancimi i Serbisë drejt BE-së, mirëpo për faktin se Kosova është akoma pothuaj në pikën zero në kuadër të procesit të integrimit evropian.

Standarde të dyfishta me Kosovën

Çollaku ka deklaruar se Bashkimi Evropian duhet të lëvizë përpara me nënshkrimin e MSA-së dhe me heqjen e vizave për qytetarët tanë, në të kundërtën kredibiliteti i BE-së do të humbë te qytetarët dhe institucionet e Kosovës. “Izolimi i qytetarëve të Kosovës duhet të marrë fund. Nuk mund të kërkohet nga Kosova të jetë shoqëri e hapur e në të njëjtën kohë të jetë e izoluar”, ka thënë ai.

Megjithatë, ministri i Integrimeve Evropiane është shprehur i bindur së Serbia nuk do të mundë ta pengojë Kosovën në procesin e anëtarësimit në BE.

“Një gjë është e sigurt se pa zbatimin e kritereve dhe standardeve evropiane, të cilat përfshijnë marrëdhëniet e mira fqinjësore asnjë vend i rajonit nuk do të mundë të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Këto kushte janë të qarta për të gjitha vendet. Serbia nuk do të mundë në asnjë mënyrë të pengojë anëtarësimin e Kosovës në BE”, ka shtuar Çollaku.

Gashi: Çollaku të marrë përgjegjësi

Ndërsa, anëtari i Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, Arben Gashi, ka thënë se nuk ka çfarë të thotë për proceset integruese, përderisa ministri i Integrimeve është i habitur me faktin që Serbia po shpërblehet dhe Kosova jo.

“Nuk kam se çka të komentoj për këto çështje përderisa ministri është i habitur, pasi që ai ka qenë pjesë e negociatave dhe duhet të marrë përgjegjësi. Nuk kam çka të them vërtet përderisa ministri nuk ka përgjigje”, është shprehur Gashi duke thënë se përgjegjësia për mosnënshkrimin e MSA-së dhe liberalizimin e vizave deri më tani bie te të dyja palët, edhe te Kosova edhe te BE-ja.

As anëtari tjetër i këtij Komisioni, Ilir Deda, nuk ka dashur të flasë as për MSA-në dhe as për liberalizimin e vizave. Sipas tij, nuk ka çka të flitet më për këto çështje, përderisa nuk publikohet raporti vlerësues i BE-së për përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave.

“Nuk komentoj më asgjë rreth këtyre proceseve përderisa nuk publikohet raporti vlerësues i Komisionit Evropian”, ka thënë Deda.

Mazrreku: “Pesëshja” e BE-së po e bllokon Kosovën

Profesori i së Drejtës së Bashkimit Evropian, Avni Mazreku, ka thënë se Bashkimi Evropian do të duhej që të shpërblente edhe Kosovën për konstruktivitetin e saj në dialogun e Brukselit.

“Dhe padyshim se pala kosovare do të duhej të shpërblehej sepse ajo është pala që ka bërë kompromise, pasi që atje po dialogohen çështje që kanë të bëjnë me Kosovën”, ka deklaruar Mazreku.

Ai më tej ka thënë se për Kosovën pengesë të madhe në proceset integruese do të paraqesë mosnjohja nga pesë vendet e Bashkimit Evropian, pasi, sipas tij, asnjë vendim politik pa mbështetjen e këtyre pesë shteteve nuk mund të merret. Prandaj, profesori Mazrreku ka thënë se Kosova duhet të angazhohet më shumë për të siguruar këto pesë njohje.

“Askush nuk mund të garantojë se Kosova do ta konkludojë MSA-në apo marrëveshjen për liberalizimin e vizave, apo edhe se mund të na jepet statusi i vendit kandidat. Këto pesë shtete janë faktori bllokues i Kosovës në proceset integruese. Është më se e qartë që nuk mund të flitet për data as për MSA-në dhe as për liberalizimin. Kosova gjendet në pikën zero, sepse nuk mund të merret asnjë vendim politik pa këto pesë njohje”, ka vlerësuar më tej Mazrreku.

Mazreku ka thënë se do të ishte e padrejtë nëse edhe më tutje shpërblehet vetëm Serbia.

Shkruan: Alber Ahmeti

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu