Sfida e Asanajt me privatizimin

0
830

Prishtinë, 16 qershor – Shefi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Dino Asanaj, për të cilin hetimet e para thonë se ka bërë vetëvrasje të enjten, për katër vjet, sa ka drejtuar këtë institucion, më shumë i ka dalë punë me ndërmarrjet e shitura nga paraardhësit e tij, përkatësisht me drejtuesit e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit (AKM), sesa me ato që u shitën ndërkohë. Organet e hetuesisë janë duke analizuar të gjitha shkaqet që kanë mundur të çonin në vetëvrasjen e tij, përfshirë edhe dyshimin se ai ka mundur të jetë vërë në presion, pikërisht për postin që mbante në AKP.

Asanaj në krye të AKP-së ka ardhur pas shpalljes së Pavarësisë, më 26 gusht 2008, me vendim të Kuvendit të Kosovës, ndërsa procesi i privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore kishte nisur në vitin 2002, shkruan Koha Ditore. Në atë kohë UNMIK-u e kishte krijuar Agjencinë Kosovare të Mirëbesimit, e cila i ka pasur në kompetencë menaxhimin dhe privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore. Kjo agjenci fillimisht ka aplikuar dy metoda të privatizimit – me   spin-off special dhe atë të rregullt. Metoda e dytë ka qenë më e thjeshtë, pasi ofertuesi që ka ofruar shumën më të madhe të mjeteve për një ndërmarrje është shpallur fitues. Ndërsa spin-offi special është metodë, sipas së cilës blerësi, përveç çmimit të ofruar për blerjen e një ndërmarrjeje, ka qenë i detyruar edhe të tregonte se sa punëtorë do t’i punësonte, sa investime do të bënte brenda një periudhe të caktuar dhe kushte të tjera shtesë. Ish-AKM-ja me këtë metodë ka privatizuar 25 ndërmarrje. Kjo metodë është aplikuar te disa ndërmarrje që është vlerësuar se kanë ndikim domethënës për ekonominë e Kosovës. Gjatë kohës së AKM-së ishin zhvilluar gjithsej 30 valë të privatizimit.

Pas Shpalljes së Pavarësisë, me vendim të Kuvendit të Kosovës është themeluar Agjencia Kosovare e Privatizimit si pasardhëse e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit. E në krye të Bordit të AKP-së ishte emëruar Dino Asanaj.

“AKP-ja ka filluar punën me një vonesë tremujore, pasi ish-udhëheqësit e AKM-së kishin refuzuar të bënin një dorëzim të mirëfilltë të kompetencave. AKM-ja i kishte djegur të gjitha dokumentet, i kishte fshirë të gjitha të dhënat nga kompjuterët. Në agjenci ka pasur vetëm mobilie dhe mure. Prej zeros e kemi nisur procesin e privatizimit, duke mbledhur dokumentacione nga zyrat rajonale”, pati thënë ai për “Kohën Ditore”, në shtator të vitit të kaluar.

Vala e parë e privatizimit në kompetenca të vendorëve, ajo e 31-ta, është bërë në dhjetor të vitit 2008. Tani në proces është vala e 54-t e privatizimit, që i bie se gjatë mandatit të Asanajt janë kryer 24 valë të privatizimit. Gjithashtu AKP-ja gjatë këtyre katër vjetëve ka bërë shitjen e aseteve të NSH-ve përmes metodës së likudimit, gjegjësisht janë zhvilluar 15 procese.

Nga 400 ndërmarrje shoqërore, sa ishin në plan për t’u shitur, deri në fund të vitit 2011 janë privatizuar afërsisht 300 sosh. Një përmbledhje e programit të privatizimit, që është bërë deri në fund të vitit 2011, tregon se totali i të hyrave të arkëtuara nga spin-offet e arrin shumën prej 557 milionë e 139 mijë 162 eurosh, ndërsa totali i të hyrave nga shitja e aseteve të ndërmarrjeve shoqërore në likuidim arrin 51 milionë e 338 mijë e 146 euro.

Agjencia ka gati 530 milionë euro që i mban në mirëbesim, që nuk mund t’i shpërndajë derisa të kryhen likuidimet me miratim të OVGJS-së të Kosovës.

“I lodhur” nga AKP-ja

Gjatë mandatit të tij katërvjeçar, Bordi i AKP-së kishte marrë disa vendime të rëndësishme për procesin e privatizimit. Fillimisht ishte bërë ndryshimi i mënyrës së privatizimit dhe rregullimit të saj nga rregulloret e UNMIK-ut në ligjet e Kosovës. Me iniciativë të kryetarit të Bordit të AKP-së, Dino Asanaj, kishte nisur ndryshimi i ligjeve që kishin dalë nga Pakoja e Ahtisaarit, e të cilat ishte më vështirë që të ndryshoheshin.

Bordi i AKP-së kishte marrë vendim që të ndryshohej politika e shpërndarjes së 20-përqindëshit, pasi ky proces ishte bllokuar nga mosefikasiteti i Dhomës së Veçantë të Gjykatës Supreme, ndërsa që jo pak herë ka pasur protesta të ish-punëtorëve. Po ashtu kishte kërkuar ndryshimin e strukturës drejtuese, ku ICO-ja ka pasur anëtarë në komisionet e likudimit.

“Ka qenë ideja e Asanajt ndërrimi i mënyrës se likuidimit, që tashmë bëhet nga një likuidator, e që pritet të përshpejtojë atë proces që kishte ngecur në vetëm tri likuidime gjatë 10 vjetëve të privatizimit”, patën thënë zyrtarët e AKP-së.

Gjatë mandatit të tij ai është përballur edhe me disa privatizime problematike. Shumica e tyre ishin trashëguar nga proceset e shitjes kur ajo menaxhohej nga AKM-ja. Hoteli Grand, IDGJ Tobaco, XIM Strezovc dhe XIM Golesh, kanë mbajtur gjatë kohë “bajrakun” e dështimeve, ndërsa sfiduese ka qenë edhe fabrika e llamarinës në Vushtrri “Llamkos”, e cila ka gjetur blerësin pas shumë tentimeve. Gjashtë vjet pa zgjidhje përfundimtare ishte edhe Fabrika e radiatorëve në Gjilan. AKP-ja ka dashur që kjo ndërmarrje, shitja e së cilës është thënë se është shoqëruar me parregullsi dhe ndërhyrje të politikës, të nxirrej sërish në shitje, mirëpo vendimi i Odës së Veçantë ia ka njohur të drejtën blerësit të menaxhojë me të. Rasti ka shkuar më pas në Kushtetuese.

Privatizim me shumë kritika kishte qenë edhe ai i ndërmarrjes “SharrCem”. Kjo ndërmarrje ishte privatizuar nga kompania greke “Titan”, pasi kjo e fundi si komercializuese ka pasur të drejtë të hynte në negociata me AKP-në për blerjen e kësaj ndërmarrjeje. Ashtu edhe kishte ndodhur, por që kishte ngjallur shumë reagime për mungesë të konkurrencës me rastin e shitjes së një ndërmarrjeje që gjeneron 20 milionë euro fitime neto brenda një viti.

Gjatë mandatit të Asanajt është diskutuar shumë edhe për gjigantin metalurgjik “Trepça”. Në një intervistë për “Kohën Ditore”, ai kishte thënë se rezervat e “Trepçës” janë disa dhjetëra miliarda euro. Rreth “Trepçës” ka pasur shumë fërkime dhe përplasje. Kuvendi i Kosovës e ka miratuar Ligjin për “Trepçën”, i cili i mundëson riorganizimin dhe rivitalizimin e saj. Gazeta pati raportuar se zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli kishte shkuar me plan për rivitalizimin e “Trepçës”, gjë që ishte refuzuar nga menaxhmenti i AKP-së.

Dino Asanaj kishte dhënë dorëheqjen në shtator të vitit 2011, duke paralajmëruar se që nga data 1 dhjetor nuk do të jetë pjesë e Bordit të AKP-së. Ai e kishte bërë publike këtë në një intervistë në “Kohën Ditore”, e në të cilën kishte sqaruar se dorëheqja e tij ishte bërë për arsye personale.

“Arsyeja është private, plotësisht e pandikuar nga askush. Tre vjet angazhime jashtëzakonisht të mëdha kanë qenë edhe nuk ka mbetur ndonjë e re që të shtohet. Agjencia e ka më lehtë, meqë është vizioni, rruga dhe janë ligjet. Misioni im ka qenë transformimi. Tash ndihem i lodhur”, kishte thënë Asanaj.

I pyetur atëbotë se nga kush kishte qenë i lodhur, ai ishte përgjigjur se nuk mund të ishte i mirë në shumë fusha. Ai ndihej krenar që kishte arritur ta transformonte këtë agjenci dhe ta kthente në duar të vendorëve.

“Nga shumë faktorë. Në shumë fronte nuk mund të angazhosh energjinë qind për qind, nuk mund të jesh i mirë në të gjitha vendet. Qoftë në biznesin privat, apo edhe në këtë, apo edhe në familje. E kam menduar, dhe besoj që është më së miri, është edhe koha dhe tash është shumë më lehtë në dorë të vendorëve”, ishte përgjigjur Asanaj.

Megjithatë, në mbledhjen e Bordit të AKP-së, të mbajtur në nëntor të vitit 2011, atij i ishte kërkuar të mos largohej.

“Anëtarët e Bordit e shqyrtuan kërkesën e kryetarit të Bordit për dorëheqjen, të paraqitur mbledhjen paraprake. Pasi që anëtarët e Bordit vlerësuan lartë të arriturat e deritashme të AKP-së nën udhëheqjen e Dino Asanajt, nga ky i fundit u kërkua që të vazhdonte ushtrimin e detyrës edhe më tutje. Anëtarët e Bordit shprehën kënaqësinë që Asanaj pranoi kërkesën e tyre dhe u zotua për përkushtim të lartë për të mirën e vendit”, thuhej në njoftimin e AKP-së për media.

Telashet me “Grandin” dhe akuzat për ryshfet

Dino Asanaj disa herë në konferenca për media kishte thënë se ndërmarrjet e privatizuara me spin-off special, e që nuk kishin arritur t’i plotësonin zotimet për investime i kishin marrë shumë energji atij dhe stafit të AKP-së.

“Ka qenë i dëmshëm sistemi i privatizimeve përmes spin-offeve speciale. I është shitur hoteli njeriut që kurrë nuk ka fjetur në hotel, i është shitur fabrika e duhanit njeriut që kurrë s’ka pirë duhan, u janë shitur minierat njerëzve pa pasur kurrë biznes me xehe. Duke parë këto, ne u angazhuam për t’i përmirësuar këto gabime”, ishte shprehur Asanaj, vitin e kaluar.

Ndërmarrje që kishin vonuar realizimin e zotimeve ishin 12 sosh. Por katër nga to kanë qenë temë dite e gati çdo mbledhjeje që Bordi i AKP-së, i udhëhequr nga Dino Asanaj, ka mbajtur për katër vjet. Këto ndërmarrje janë Hoteli Grand, IDGJ Tobaco, XIM Strezovc dhe XIM Golesh.

Pas shumë e shumë shtyrjeve në muajin dhjetor të vitit të kaluar, Bordi i udhëhequr nga Asanaj kishte marrë vendim për kthimin e aksioneve, i cili do të hynte në fund në muajin mars. Bordi i AKP-së u kishte dhënë 3 muaj kohë blerësve që të ndryshojnë vendimin. Por, kthimi i aksioneve nuk ishte bërë as në mars, përkundër që Bordi i AKP-së kishte thënë të mos ketë pranuar ndonjë garanci bindëse nga investitorët. Në atë kohë ishin tërhequr vetëm aksionet e ndërmarrje “Strezovc”, por ishin paralajmëruar të tjerat.

Ndërsa, në mbledhjen e muajit maj, Bordi kishte marrë vendimin për tërheqjen e aksioneve të Hotelit Grand. Tërheqja e aksioneve të “Grandit” kishte ngjallur shumë reagime dhe akuza në drejtim të AKP-së, sidomos në drejtim të Asanajt.

Afaristi Remzi Ejupi e kishte akuzuar Asanajn se nëpërmjet palëve të dyta, e jo nga vetë ai, i janë kërkuar 4 milionë euro në mënyrë që të shpëtonte Hotelin Grand. Sipas Ejupit, kërkesa kishte rënë në 3.5 milionë, por ata nuk kanë pranuar të japin ryshfet, e që kishte qenë arsyeja e vendimit për tërheqje të aksioneve.

Dino Asanaj përmes një letre të hapur u ishte përgjigjur akuzave.

“Mbeta i habitur për të mos thënë i shokuar me disa nga shkrimet ku trajtoheshin pretendime kundër emrit tim”, shkruante i ndjeri Asanaj në letrën e fundit që i ishte drejtuar medieve. “Këto shkrime dhe njollosje i cilësoj të jenë nga ato përpjekje e njerëzve joprofesionistë që pa kurrfarë etike manipulojnë me opinionin vetëm për të shtrembëruar faktet dhe të vërtetat.”

Akuza për ryshfet kishte bërë edhe Abdullah Konjufca, ish-komercializuesi i Fermës së pulave në Lipjan. Edhe pretendimet e Konjufcës i kishte hedhur poshtë Asanaj.

“Dëmet që i kanë sjellë ekonomisë së vendit tonë njerëz me veprime të ulëta janë të shumëfishta”, shkruante Asanaj në letër, pasi i kishte numëruar edhe disa nga arsyet që kanë çuar në tërheqjen e aksioneve në “Grand” dhe kthimin e Fermës së pulave në Lypjan në menaxhim të AKP-së.

Gjatë mandatit tim si kryetar i Bordit të AKP-së, shkruante Asanaj, gjithë kapacitetin tim e kam angazhuar për të pasur një privatizim të suksesshëm, i cili drejtpërdrejt ndikon në zhvillimin ekonomik të Kosovës.

“Ftoj cilindo që ka pretendime për ndonjë fakt tjetër, t’u drejtohen organeve përgjegjëse të Prokurorisë së Shtetit me ato fakte. Ajo është rruga e vetme e cila duhet ndjekur, dhe unë shpreh gatishmërinë time t’u përgjigjem organeve përgjegjëse në cilëndo kohë. Në bazë të ligjit mbi qasje në dokumentet zyrtare, i tërë dokumentacioni është në dispozicion për palët e interesuara”, përfundonte letra e nënshkruar nga Asanaj.

Dino Asanaj ka lindur në qershor të vitit 1956, në Pejë. Ai i kishte përfunduar studimet në Beograd në vitin 1982. Asanaj kishte migruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1985. Ishte anëtar themelues i Grupit të Shërbimeve Ndërkombëtare LLC, një kompani amerikane, e cila ka luajtur rol të rëndësishëm si investues ashtu edhe zhvillimor në Fshatit Ndërkombëtar LLC në Prishtinë, ku Asanaj ishte drejtor menaxhues.

Në biografinë e tij tutje thuhet se gjatë karrierës së tij, ai ka organizuar dhe marrë pjesë në investime të ndryshme dhe konferenca ekonomike në SHBA dhe në Kosovë. Ai ishte përfaqësues i UÇK-së në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Gjatë dhe pas luftës në Kosovë, ai ka shërbyer si përfaqësues i Qeverisë së Kosovës dhe përfaqësues i UÇK-së në SHBA. Gjatë këtyre viteve, ai ka shërbyer po ashtu si këshilltar për delegacionin e Kosovës në Konferencën e Rambouilletit. Ai kishte kryer edhe detyrën e këshilltarit të kryeministrit të Kosovës për çështjet e të mërguarve nëpër botë, gjatë viteve 2007-2008”.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu