Sfida e quajtur Mali

0
681

Gjatë javëve të fundit, për herë të parë, është arritur një konsensus i gjerë ndërkombëtar se një luftë mund të udhëhiqet së shpejti në shkretëtirat dhe savanat në veri të Malit, një rajon me sipërfaqe sa të Francës. Por planifikimi për një operacion të këtillë ende mbetet i paqartë. Kush do të marrë pjesë? Kur do të ndodhë? Kush do ta komandojë? Veriu i Malit është pushtuar dhe po mbahet nën kontroll nga një grup i organizatave radikale islamike.

Aksioni ushtarak, për të ripushtuar veriun e Malit të pushtuar nga islamistët, po bëhet gjithnjë e më i mundur, kanë deklaruar fuqitë Perëndimore, organizatat rajonale dhe OKB-ja, ndryshim ky i qëndrimeve, pas muajve të tërë të ngurrimit dhe të shpresës së negociatat mund t’i japin fund asaj, që tani konsiderohet si “kërcënim xhihadist”.

Gjatë javëve të fundit, për herë të parë, është arritur një konsensus i gjerë ndërkombëtar se një luftë mund të udhëhiqet së shpejti në shkretëtirat dhe savanat në veri të Malit, një rajon me sipërfaqe sa të Francës. Por planifikimi për një operacion të këtillë ende mbetet i paqartë. Kush do të marrë pjesë? Kur do të ndodhë? Kush do ta komandojë?

Këto detaje thelbësore ende duhet të përpunohen, kanë pranuar zyrtarët. Më 12 tetor, Këshilli i Sigurimit i OKB-së, i kryesuar nga Franca, miratoi rezolutën, në të cilën u theksua gatishmëria që bashkësia ndërkombëtare ti përgjigjet kërkesës së Malit për një forcë ndërkombëtare dhe kërkoi që një plan i detajuar të dorëzohet brenda 45 ditëve. Kjo vendosmëri u ripërsërit në samitin ndërkombëtar, i cili u zhvillua javën e kaluar në SHBA.

“Nuk ka alternativë tjetër”, tha Jack Christofides, zyrtar i lartë në Departamentin e OKB-së për Operacione Paqeruajtëse, i cili po luan një rol kryesues në planifikimin e operacionit të mundshëm. “Nevojitet forcë ushtarake kundër atyre grupeve radikale, të cilat kanë pushtuar pjesën veriore të Malit”, shtoi ai.

Do të nevojiten prej 7 deri në 10 mijë ushtarë për të ripushtuar dhe për të mbajtur nën kontroll veriun, kanë deklaruar zyrtarët e OKB-së dhe pengesat për të grumbulluar një forcë të tillë janë më se të dukshme.

Nigeria, me armatën më të madhe në Afrikën Perëndimore, është e ngujuar në luftën kundër islamistëve të vetë radikal. Algjeria, për të cilën mendohet se ka forcën më efektive në rajon, po ngurron që të përfshihet, edhe pse ajo në fund mund të marrë vendimin për një angazhim të tillë, kanë theksuar zyrtarët.

Franca, e cila i frikësohet një enklave radikale aq afër Mesdheut, ka qenë më e zëshmja për ndërmarrjen e aksionit për dëbimin e islamistëve. Të hënën, i dërguari i posaçëm i Francës në rajon, Jean Felix-Paganon, theksoi se Franca ka rifilluar ndihmat ushtarake për Malin. Por Franca, sikurse edhe SHBA-ja, ka hedhur poshtë mundësinë që të dërgojë ushtarë në Mali.

Gjeografia dhe moti i ashpër, si dhe taktikat guerile të islamistëve, gjithashtu janë faktorë që komplikojnë gjërat. “Nuk duhet të jemi optimistë se do të jetë kjo një ndërhyrje kirurgjike, që do të zgjatë një apo dy javë, pas të cilës do të jemi në gjendje të kthehemi në shtëpi. Çështja më e madhe mbesin paratë, ngase nuk do të jetë ky një operacion i lirë”, tha Christofides.

Në anën tjetër, qëllimi është i qartë: që të zhduket regjimi represiv në veri, i përbërë nga disa grupe radikale islamike, përfshirë këtu edhe Al Qaidën në Magrebin Islamik, regjim ky i cili gjatë gjashtë muajve të kaluar ka zbatuar politika të terrorit, përfshirë këtu rrahjet, amputimet dhe mbytjen me gurë të banorëve lokalë.

Islamistët kanë hartuar edhe një listë të femrave të pamartuara me barrë, të cilat duhet të dënohen, ka theksuar OKB. Në ndërkohë janë imponuar edhe martesat e dhunshme dhe janë rekrutuar fëmijë, për të vendosur lëndë të improvizuara shpërthyese.

Më shumë se 300 mijë njerëz janë arratisur nga rajoni. Islamistët kontrollojnë Gaon dhe Timbukun, qytetet kryesore në veri të Malit dhe duket se ata po përgatiten për luftë, kanë theksuar banorët e këtyre qyteteve. “Ata po kamuflojnë automjetet e tyre. I ka kapluar paksa paniku. Janë të frikësuar”, theksoi Issa Maiga, një gazetar në Gao.

Johnnie Carson, asistent i sekretarit amerikan të shtetit për çështje të Afrikës, gjatë kësaj jave do të takohet me zyrtarët francezë në Paris. Ai theksoi se aksioni ushtarak, për të dëbuar militantët islamikë, është i pashmangshëm, por shtoi se në aksion duhet të përfshihen ushtarët e Malit, të cilët do të kryesojnë forcat nga shtetet e Afrikës Perëndimore.

Megjithatë, ushtria e Malit, e cila pritet që të luajë një rol qendror në këtë aksion, po përballet me probleme serioze, kanë theksuar zyrtarët. Një atashe perëndimor ushtarak në Mali ka theksuar se një pjesë e madhe e oficerëve të ushtrisë së Malit kanë shitur armatimin që ju është dhënë.

Aq më tepër, e njëjta ushtri ja dorëzoi pothuajse pa luftë islamistëve qytetet në veri të vendit.

“Çfarë ndodhi me ta? Ata e lanë vendin të ndarë përgjysmë. Në disa shtete kjo do të ishte parë si tradhti”, deklaroi atasheu perëndimor.

(New York Times)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu