Shaip Muja në gjykatë për “Medikus”-in

0
853

Paraditja e së hënës e ka gjetur deputetin e Kuvendit të Kosovës, Shaip Mujën në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, në cilësinë e dëshmitarit në rastin “Medikus”, ku të akuzuar për transplantim organesh janë mjekë e zyrtarë të dikurshëm të Ministrisë së Shëndetësisë.

Shaip Muja, i cili në kohën e veprimtarisë së klinikës “Medikus” ishte këshilltar për çështje të shëndetësisë i kryeministrit Hashim Thaçi, para trupit gjykues ka ripërsëritur edhe njëherë se klinika “Medikus” nuk ka pasur licencë për të bërë transplantim organesh.

Ai me këtë rast ka arsyetuar edhe pozicionin e tij dhe arsyen se pse e kishte pyetur ministrin e atëhershëm të Shëndetësisë, Alush Gashin, se deri ku kishte arritur procedura për licencimin e klinikës “Medikus”.

Ai ka nisur “rrëfimin” e tij duke treguar se kontakti i tij i parë me klinikën “Medikus” kishte qenë në vitin 2007, kur edhe ishte hapur ajo për kardiokirurgji. Ai kishte pasur kontakt me këtë klinikë për shkak se e kishte njohur themeluesin që tashmë është në bankën e të akuzuarve, mjekun Lutfi Dervishi.

Me këtë të fundit nuk kishte pasur kontakte të rregullta por vetëm të rastësishme, ndërsa me ish-ministrin Alush Gashin dhe ish-sekretarin e kësaj ministrie Ilir Rrecajn, i cili është tashmë i akuzuar, kishte pasur raporte të mira.

Por, kontakti ishte “shpeshtuar” me Dervishin pas një rasti që kishte një djalosh 13-vjeçar, i cili ishte në dializë. Babai i fëmijës, sipas Mujës, kishte kontaktuar me një klinikë në Gjermani, e cila ia kishte kërkuar për shërim 300 mijë euro dhe në pamundësi për të shëruar të birin atje, prindi i fëmijës së sëmurë i ishte drejtuar Shaip Mujës.

“Babai i tij filloi të qajë, unë u preka sepse djali im është në atë moshë. Unë e dija se në atë moshë nuk mund të kryhen transplantime. E thirra profesor Lutfiun në telefon dhe e pyeta, edhe ai më tha deri në moshën bile 17-vjeçare nuk mund të bëhet transplanti. Përmes telefonit Dervishi më ka kritikuar për gjendjen në shëndetësi dhe më tha që këtë shërbim mund ta ofronim në Kosovë”, ka shpjeguar Muja.

Dervishi e kishte njoftuar Mujën se në mungesë të këtij shërbimi në Kosovë, çdo vit vdesin deri në 150 njerëz. “Ne mund të përgatitemi për shërbime të përgjithshme urologjike”, i kishte thënë Lufti Dervishi, këshilltarit të kryeministrit.

Problemin shëndetësor të fëmiut dhe gatishmërinë e Lutfi Dervishit për ofrimin e këtyre shërbimeve, Muja ia kishte paraqitur ish-ministrit Alush Gashi, gjatë një dreke që kishin pasur në Prishtinë.

“Sjellja e prindit më preku. I tregova ministrit për bisedën me Dervishin. Ai tha nëse përgatitet profesionalisht do të shikojë mundësinë t’ia japë licencën. Gjatë drekës e kemi thirrur doktor Dervishin me telefon, e kemi njoftuar se nëse përgatitet mund të pajiset me licencë”, ka thënë më tej Muja, ndërsa ka mohuar takimin mes tre personave për këtë çështje.

Dervishi kishte nisur procedurat për licencim dhe pas tyre nuk ishte ndarë me përgjigjen e marrë nga MSH-ja dhe kjo kishte qenë arsyeja pse tashmë deputeti i ishte drejtuar ministrit Gashi për të kuptuar se deri ku ka shkuar procedura.

Ai ka ripërsëritur se “Medikus” nuk ka pasur licencë për transplantim, ndërsa ka treguar se ishte takuar edhe me mjekun turk Yousuf Sonmez dhe atë gjatë dasmës së djalit të Lutfi Dervishit. Ky i fundit ia kishte prezantuar mjekun turk dhe i kishte thënë se “ky është partneri që jemi duke u përgatitur të punojmë me të”.

Seanca në rastin “Medikus”, do të vazhdojë më 8 mars, ku pritet dëgjimi i dëshmitarëve të tjerë.

 

Nga, Selvije Bajrami

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu